Ilir Meta: Integrimi në BE, qëllim kombëtar, asnjë forcë politike nuk duhet t’ a pengojë

518
Sigal

Kryetari i Kuvendit, merr pjesë në konferencën “Përafrimi i legjislacionit shqiptar me ACQUIS të BE-së”.

Kryetari i Kuvendit, z. Ilir Meta mori pjesë në punimet e konferencës “Përafrimi i legjislacionit shqiptar me ACQUIS të BE-së”. Në fjalën përshëndetëse, Kryetari i Kuvendit theksoi se anëtarësimi në Bashkimin Europian nuk është një qëllim në vetvete, por është një instrument për të sjellë më shumë prosperitet dhe mundësi të reja për mirëqenien e qytetarëve. “Duke ndjekur pikërisht këto dëshira dhe aspirata të popullit shqiptar dhe duke përfaqësuar pikërisht këtë vullnet, ne kemi vendosur prej kohësh aderimin në Bashkimin Europian si një objektiv strategjik kombëtar. Natyrisht që një ndër kriteret kryesore për aderim në Bashkimin Europian, është dhe përafrimi i legjislacionit, i shteteve kandidate të mundshme me legjislacionin e BE-së. Përveç Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit, procesi i përafrimit të legjislacionit në vendin tonë, realizohet duke u bazuar dhe në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, në Rregulloren e Kuvendit si dhe në akte të tjera ligjore dhe nënligjore”, tha z. Meta i cili shtoi se ekziston një bazë ligjore e konsoliduar për këtë proces përafrimi. Kryetari i Kuvendit tha se procesi i integrimit europian dhe harmonizimi i legjislacionit të brendshëm me legjislacionin e Bashkimit Europian, ka rezultuar si një sfidë mjaft e rëndësishme për Kuvendin e Shqipërisë. “Aspektet kryesore të kësaj sfide janë: Së pari detyra thelbësore e Kuvendit në periudhën para aderimit për të siguruar kontrollin politik ndaj qeverisë gjatë procesit të pranimit në Bashkimin Europian. Së dyti, Kuvendi i Shqipërisë në përmbushje të detyrimeve që rrjedhin nga Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit, duhet të harmonizojë në një periudhë të shkurtër kohore legjislacionin shqiptar me atë të Bashkimit Europian, legjislacion, i cili është zhvilluar për dekada me radhë”, u shpreh z. Meta. Kryetari i Kuvendit deklaroi se, për këtë qëllim Kuvendi ka vënë në zbatim struktura dhe mekanizma të ndryshëm për të forcuar rolin e tij shqyrtues dhe kontrollues në procesin e integrimit europian. Komisioni për Integrimin Europian është krijuar me qëllim që të forcohet më tej roli shqyrtues, kontrollues i Kuvendit në çështjet e integrimit dhe të përafrimit të legjislacionit tonë me atë të Bashkimit Europian. “Sipas një praktike tashmë të konsoliduar parlamentare, që zbatohet prej disa vitesh, kryesinë dhe drejtimin e komisionit e ka opozita parlamentare. Ndryshimet e fundit të Rregullores së Kuvendit të datës 30 maj 2013 e kanë forcuar ndjeshëm rolin e këtij komisioni duke parashikuar në mënyrë eksplicite detyrimin e çdo komisioni përgjegjës për të shqyrtuar paraprakisht raportin e Komisionit për Integrimin Europian përpara, se të miratojë projektligjin në tërësi. Z. Ilir Meta tha se, Kuvendi ka forcuar rolin e tij në ushtrim të funksionit ligjvënës në përgjithësi dhe në atë të përafrimit të legjislacionit në veçanti. “Kuvendi ka ngritur struktura të posaçme dhe administrative për të mbështetur punën në procesin e përafrimit të legjislacionit shqiptar me atë të Bashkimit Europian. Misioni i kësaj strukture është që t’i ofrojë Kuvendit asistencën e nevojshme ligjore, në procesin e përafrimit të legjislacionit duke sugjeruar edhe përmirësimet përkatëse në tekstin e projektligjit, të cilat shqyrtohen nga Komisioni për Integrimin Europian gjatë diskutimit të projektligjit. Duke falënderuar Bashkimin Europian për asistencën dhe ndihmën e vazhdueshme që i akordon institucioneve tona, në veçanti Kuvendit të Shqipërisë, Kryetari i Kuvendit tha se, përvoja e suksesshme e zgjerimit të Bashkimit Europian drejt vendeve të Europës Qendrore dhe Lindore na mëson se objektivi i aderimit në Bashkimin Europian mund të arrihet vetëm kur ka konsensus mes maxhorancës dhe opozitës në çështjet kryesore dhe për një periudhë afatgjatë. “Integrimi në Bashkimin Europian është një qëllim kombëtar dhe asnjë forcë politike nuk duhet të pengojë në arritjen e këtij objektivi madhor. Përkundrazi duhet të shtojë kontributet në mënyrë që ky proces të përshpejtohet. Duke punuar së bashku maxhorancë dhe opozitë për vendin tonë dhe qytetarët tanë, jo vetëm që do të plotësojmë kushtet që kërkon Bashkimi Europian për aderimin, por ajo që është më e rëndësishmja do të arrijmë standarde më të larta në jetën institucionale dhe politike, por sidomos në atë ekonomike dhe sociale për qytetarët shqiptarë. Ndërsa Kryeministri, z. Edi Rama tha se, Shqipëria jo vetëm që meriton marrjen e Statusit të vendit kandidat në Bashkimin Europian, por dhe Bashkimit Europian i duhet Shqipëria dhe Ballkani për të luftuar krimin e organizuar. “Shqipëria meriton statusin e vendit kandidat, nuk diskutohet. Besoj shumë sot se sa çka nevojë Shqipëria për BE-në, ka nevojë BE për Shqipërinë dhe sa çka nevojë Ballkani për BE-në ka nevojë BE për Ballkanin. Të mos harrojmë për asnjë moment se të gjitha sfidat që sot kanë sjellë rritjen e disa forcave të padëshiruara në BE janë sfida që përballohen më mirë së bashku sesa veç e veç. Në radhë të parë sfida e sigurisë, kundër krimit të organizuar. Le ta pranojmë se krimi i organizuar është shumë më i bashkuar sesa Europa e bashkuar. S’ka burokraci, nuk ka komision, nuk ka procese që e pengojnë për t’u integruar. Është kaq i globalizuar sa sot është e pamundur të gjesh një organizatë kriminale me një nënshtetësi”, tha z. Rama.