Ilir Meta: Fuqia me e madhe e një kombi janë ëndrrat e të rinjve

518
Kryetari i Kuvendit Ilir Meta në Vlorë mori pjesë në disa takime ku u prezantuan edhe kandidatët për deputetë të LSI-së
Situata politike ne të cilën ndodhet vendi, nuk mund të ndalojë në asnjë aspekt Lëvizjen Socialiste për Integrim të vazhdojë takimet me qytetarët në të gjithë vendin. Kryetari i Kuvendit Ilir Meta, i zgjedhur në postin e presidentit, gjatë ditës së djeshme ishte i pranishëm në disa takime në qytetin e Vlorës. Në këto takime u prezantuan edhe kandidatët për deputet të LSI-së. Në këto takime, Kryetari i Kuvendit shoqërohej nga Prof. Shezai Rrokaj i cili është edhe kryesuesi i listës së kandidatëve të Lëvizjes Socialiste për Integrim në qarkun e Vlorës. Duke folur në njërin prej këtyre takimeve, ku të pranishëm ishin qindra të rinj e të reja vlonjate, Meta theksoi se fuqi më e madhe e një kombi janë ëndrrat e të rinjve ndaj mbështetja për ta nuk duhet të jetë e pandalshme. “Ne duhet të kemi besim te të rinjtë dhe të rejat, te përgjegjshmëria e tyre te serioziteti i tyre dhe njëkohësisht duhet t’i japim krahë ëndrrave të tyre. Fuqia me e madhe e një kombi janë ëndrrat e të rinjve”,- tha Kryetari i Kuvendit, duke shtuar se të rinjtë duhet të marrin në dorë politikëbërjen në Shqipëri. “Ka vetëm një rrugë, që të rinjtë e të rejat e Shqipërisë ta marrin në dorë politikën dhe ta bëjnë në interesin e vendit, më tolerante më përfshirëse, më bashkëpunuese dhe më të mirë”, – theksoi Ilir Meta. Jo vetëm në Vlorë por në të gjitha takimet ku ka qenë i pranishëm, kryetari i Kuvendit Ilir Meta, i është drejtuar të rinjve me thirrjen për të marrë pjesë sa më shumë në votime. Sipas tij ata janë e ardhmja e vendit dhe fuqia më e madhe e një kombi. 
Sigal