Ilir Meta: Ftoj PD-në të kontribuojë për fuqizimin e rolit mbikëqyrës të Kuvendit

480
Sigal

Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, ftoi dje Partinë Demokratike të kontribuojë për fuqizimin e rolit mbikëqyrës të Parlamentit. Gjatë seancës plenare, ku vijoi për dy orë debati mes maxhorancës dhe opozitës për shkarkimin e ish-Kryeinspektores Zana Xhuka, kreu i Kuvendit, Meta, tha se, Partia Demokratike injoron një fakt mesa duket me qëllim. “Është absurde që përfaqësuesja e një institucioni nuk denjonte të komunikonte me Kuvendin dhe komisionin e Ligjeve. Ajo nuk paraqitej edhe pse përveç se detyrim kushtetues e kishte edhe detyrim etik, moral e ligjor, sepse çdo person që zgjidhet nga Kuvendi e ka për detyrë të respektojë Kushtetutën, ligjet dhe Kuvendin. Shqipëria është Republikë Parlamentare dhe nuk mund të ketë asnjë institucion mbi Kuvendin. Ftoj PD-në të kontribuojë për fuqizimin e rolit mbikëqyrës të Kuvendit”-deklaroi Meta. Gjithashtu, gjatë seancës plenare kreu i Kuvendit, ka përshëndetur këshilltarët e majtë për bashkëpunimin për miratimin e buxhetit në Këshillin bashkiak të Tiranës. Gjatë punimeve të seancës plenare të Kuvendit, Meta tha se opozita duhet të marrë shembull nga këshilltarët e majtë në këshillin Bashkiak të Tiranës. “Përshëndes këshilltarët e Aleancës për Shqipërinë Europiane për bashkëpunimin për miratimin e buxhetit të Tiranës”,-deklaroi Meta