Ilir Meta: “Forcë e parë, forcë e paparë është LSI-a, është LRI-a, është rinia”

594
Lëvizja Socialiste për Integrim organizoi një takim me të rinjtë dhe të rejat e Lushnjës, ku u prezantuan edhe kandidatët për deputetë të LSI-së së qarkut Fier.

Të pranishëm në këtë takim përveç kandidatëve, ishin edhe Kryetari i LSI-së, Petrit Vasili dhe Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta.

Duke marrë fjalën para mijëra të rinjve dhe të reja lushnjare, Kryetari i Kuvendit u shpreh: 

“Forcë e parë, forcë e paparë! Njëshi dhe vetëm njëshi më 25 qershor! 600 mijë të rinj dhe të reja në të gjithë Shqipërinë sot janë të betuar për LSI forcë të parë.

U bëj thirrje sot juve që t’u kërkoni prindërve, gjyshërve, hallave, tezeve që të bëhemi jo 600 mijë sa jemi sot, por 1 milion në dy javët që vijnë, në mënyrë që t’i japim 1 milion vota projektit tonë për Shqipërinë e rinisë, për Shqipërinë e të ardhmes. Në mënyrë që t’i japim Shqipërisë drejtimin ri, sepse drejtimi i vjetër i timonierit të lodhur që e ka mendjen tek tepsia, siç e tha Gallup-i, ka bërë që 56 për qind e shqiptarëve të mendojnë të largohen nga Shqipëria.

Ndaj, më 25 qershor, të rinjtë dhe të rejat e Lushnjës dhe të gjithë Shqipërisë do t’i thonë “Jo” projektit të braktisjes së Shqipërisë nga arroganca dhe nga konflikti politik. Sepse arroganca, konflikti politik, përçarja, pabesia dhe energjia negative midis shqiptarëve është sëmundje e pashërueshme e drejtimit të vjetër që do ta mbyllë kapitullin një herë e mirë më 25 qershor.

Forcë e parë, forcë e paparë është LSI-a, është LRI-a, është rinia. Erdhi fundi i kartelit të kanabisit dhe të krimit që kërkon të trembë njerëzit që janë në punë të shtetit, për të mbajtur karriget e shushunjave të koncesioneve.

Njerëzit duan të ikin nga Shqipëria, siç thoshte edhe Gallup-i, sepse siç shkruante Dritëro Agolli, shkrimtari i madh, në vitin ’94, kur Saliu i parë u çmend dhe donte të bënte një Kushtetutë që të merrte edhe ai një tepsi dhe një kusi të madhe për vete, Dritëroi i madh, para Referendumit të ’94-s tha disa fjalë shumë të thjeshta që i kuptuan të gjithë shqiptarët: “Në vendin tim dhe në vendin tënd, një kokë e çmendur të gjithë po i çmend”.

Ndaj, u bëj thirrje 600 mijë të rinjve dhe të reja në të gjithë Shqipërinë të mos u shkojë më mendja që të largohen nga vendi më i bukur në botë. Por, jo vetëm të rikonfirmojnë votën dhe vendosmërinë e tyre për LSI-në, forcë të parë, forcë të paparë, por në dy javë të kërkojnë votat e prindërve, të gjyshërve, të hallave, të tezeve. 1 milion shuplaka duhen kundër oligarkisë në mënyrë që të kenë shans të gjithë të rinjtë dhe të rejat e Lushnjes dhe të gjithë Shqipërisë.

Dhe tani dua t’u them ju të gjithëve që dëgjoni, dy ish-emigrantë të cilët duan të përzënë të gjithë shqiptarët nga Shqipëria për llogari të oligarkëve, të cilët i detyruan të bëjnë një marrëveshje kundër zgjedhjeve dhe jo pro zgjedhjeve, të bëjnë një marrëveshje për të vazhduar të marrin si shushunja fshehurazi koncesione, që nga shëndetësia e deri te burimet natyrore.

Shqiptarët janë shumë të mençur dhe përpara se të ikin 56 % e shqiptarëve jashtë për shkak të këtyre të dyve, le të kthejmë këta në emigracion dhe le të kthehen të gjithë shqiptarët në Shqipëri.

Nuk mund të bëjnë shtet ata që janë përgjegjës, që e çuan Shqipërinë në vendin e dytën në botë për drogën, nuk mund të bëjnë shtet ata që mbushën Parlamentin dhe bashkitë me njerëz me rekorde kriminale. Nuk mund të bëjnë shtet ata që forcën e drejtojnë te dhuna ndaj të varfërve, të pamundurve dhe ndërkohë i janë nënshtruar interesave të disa oligarkëve të pashpirt.

Nuk mund të fajësojnë LSI-në për këtë mbështetje skandaloze të bujqësisë, sepse këta e kishin drejtimin e qeverisë dhe ishin këta që i caktonin në kundërshtim me qëndrimin publik të LSI-së dhe të ministrit të shkëlqyer e të ditur të bujqësisë, i caktonin bujqësisë subvencione sa 1/5-ta e Kosovës dhe sa 1/15-ta e Maqedonisë.

Sepse fondet i çuan për palmat të cilat janë tharë, për palmat më të shtrenjta në botë. Sepse fondet nuk i sollën në Myzeqe, por i çuan të bëjnë kullat e shëmtuara që kanë shkatërruar Korçën dhe kanë shkatërruar shumë nga qytetet tona. Sepse nuk kishin hallin e bujqësisë, por kishin dhe kanë vetëm hallin e tepsisë.

Ndaj LSI forcë e parë, LSI forcë e paparë për një drejtim të ri të Shqipërisë!

Ju bëj thirrje të gjithëve, vazhdoni marshimin tonë të sigurt drejt 1 milionë votave! 1 milionë vota do të jenë në kuti më 25 qershor! Të dy rilindjet do të marrin mësimin më të mirë në historinë e Shqipërisë, jo thjeshtë nga LSI dhe të gjithë forcat e tjera politike, po në radhë të parë nga vetë socialistët dhe vetë demokratët.

E gjithë Shqipëria është bërë kundër dy ish-emigrantëve që duan të shpërbëjnë një vend dhe duan të largojnë rininë dhe shpresën nga Shqipëria. Të gjitha votat për LSI-në dhe më 26 qershor fillojmë punën për të bërë mazhorancën e re. Një mazhorancë për rininë dhe për Shqipërinë e jo për tepsinë!”
Sigal