Ilir Meta: Filozofia e Kuvendit të ri do të jetë gjithëpërfshirëse dhe bashkëpunuese

457
Sigal

Intervista e Kryetarit të Lëvizjes Socialiste për Integrim, z. Ilir Meta

– Cila do të jetë filozofia drejtuese e Kuvendit të Shqipërisë?

– Besoj se do të jetë filozofia e gjithëpërfshirjes dhe e bashkëpunimit, një filozofi e demonstruar si ngaLSI-ja ashtu edhe nga maxhoranca e re e dalë nga zgjedhjet e 23 Qershorit dhe besoj se vetëm përmes kësaj filozofie vendi do të ecë më shpejt drejt realizimit të reformave dhe standardeve që kërkon procesi i integrimit evropian.

– Si do ta trajtoni këtë opozitë në këto numra?

– Mendoj se vlera e fjalës në politikë shpeshherë është më e rëndësishme se vlera e numrave. Në këtë drejtim unë besoj se do të jetë shumë ë rëndësishme edhe standardi që do të tregojë opozita e re në Kuvendin e ri, i cili duhet të jetë një standard i niveleve evropiane, që do të thotë se do të jetë një opozitë krejtësisht ndryshe nga ajo që ka stigmatizuar vetë opozitën e mëparshme. Shqetësimi ynë është që të fitojnë të gjithë qytetarët shqiptarë dhe Shqipëria pas këtyre zgjedhjeve ta konsiderojë një herë e mirë të mbyllur kapitullin e gjatë të tranzicionit dhe të ecim drejt normalitetit.

– Si i gjykoni deklaratat që vijnë nga opozita e re se qeveria e re do të jetë me dy kryeministra?

– Nuk dua të them se opozita do të jetë me dy kryetarë. Mendoj se ky është një diversion i parëndësishëm, sepse qeveria do të ketë një kryeministër, pavarësisht se maxhoranca e re ka dy forca kryesore, natyrisht jo të vetmet, pasi janë edhe forca të tjera politike, siç është Partia e Bashkimit të Drejtave të Njeriut, që përfaqësohet në Kuvendin e ri. Kemi Partinë Kristian Demokrate, e cila gjithashtu, përfaqësohet në këtë Kuvend.

Pesë postet ministrore në këtë qeveri i kërkuat vetë këto pozicione apo u përcaktuan në bazë të bisedimeve me z.Rama që ju do të merrni këto ministri?

– Në përgjithësi, ne kemi qenë dhe jemi gjithmonë të hapur kur bëhet fjala për të bashkëpunuar apo bashkëqeverisur. Pra, asnjëherë nuk jemi udhëhequr as në raport me PD-në para katër viteve, apo përsëri me PS-në momentalisht, nga mendimi se “ne duam këtë dhe po s’u mor kjo”, etj.. Qëllimi në bashkëqeverisje është për t’u marrë vesh sepse është një detyrim që vjen nga vota. Qytetarët nuk votojnë që vota e tyre nesër të përdoret për të krijuar probleme, por ata investojnë që përmes kësaj vote të zgjidhen probleme dhe filozofia jonë siLSIdhe e imja  si kryetar i saj, gjithmonë një raste të tilla është e orientuar pozitivisht. Ne jemi në maxhorancë, sepse kështu dolëm që para zgjedhjeve, si një maxhorancë e ardhshme apo si një opozitë e ardhshme në rast se nuk do të fitonim. Natyrisht që qëllimi i përbashkët është që kjo maxhorancë të ketë sukses. Vendi ka probleme të mëdha dhe nuk është më e rëndësishme se në cilat ministri drejtojnë përfaqësuesit eLSI-së apo të PS-së apo të partive të tjera apo shoqërive civile. Sa më pak të flitet për politikën nga qeveria, sepse kishim një qeveri e cila e kishte kthyer në prioritet numër një bërjen e lajmeve dhe jo marrjen e vendimeve, të cilat çlironin energji, krijonin vende të reja pune, hapnin investimet. Unë besoj se kjo qeveri do të jetë një qeveri e orientuar drejt zgjidhjes së problemeve. Do të jetë shumë më pragmatiste në kuptimin e zgjidhjes së tyre sesa qeveria aktuale.

– A do të gjejnë zgjidhje këto çështje brenda mandatit të parë? 

– Unë besoj që do të ndihet shumë ndryshimi, do të ndihet që në vitin e parë. Mirëpo, ndryshime bëhen çdo ditë dhe asnjëherë nuk duhet pritur që brenda një viti do të ndodhë ndonjë çudi e madhe por po të punohet përditë, mendoj që ndryshimet rriten çdo ditë, besimi rritet në sytë e qytetarëve dhe natyrisht edhe durimi i tij për ti dhënë mundësi edhe qeverisë që të tregojë dhe të plotësojë arritjet e saj.

– Çfarë garanton një bashkëpunim katërvjeçar në këtë qeveri mes jush?

– Politika është e tillë, të detyron të bashkëpunosh, të çon drejt ballafaqimeve. Kjo nuk është një histori e imja me z. Rama. Kjo është një histori mes shumë aktorëve këtu, por kudo tjetër, jo vetëm në Shqipëri. E rëndësishme është që të gjithë ne, dhe unë besoj se kam fituar dhe mësuar shumë nga gjithë këto histori të bashkëpunimeve dhe ballafaqimeve me të gjithë aktorët deri më tani, këtë eksperiencë që e kemi fituar ta investojmë pozitivisht për të realizuar disa sfida që ka vendi, të cilat natyrisht janë edhe sfida të kësaj maxhorance të re që është votuar për t’i zgjidhur këto probleme.

– Në Shqipëri sa herë ka zgjedhje, administrata mban frymën z. Meta. Çfarë do të ndodhë me administratën publike?

– Kjo është për të ardhur keq. Unë mendoj se këtu kemi një politizim të tepruar të këtyre çështjeve, sepse kam dëgjuar vazhdimisht edhe kryetarin e zgjedhur të PD-së, z. Basha, i cili të gjithë fushatën e tij në garën për kreun e PD-së e mbështeti te mbrojtja që do t’u bëhej njerëzve që do të largoheshin nga puna pa u hequr akoma. Ndërkohë, që në Bashkinë e Tiranës të gjithë ata që ishin emëruar atje ngaLSI-ja, vetëm drejtorët kanë dhënë dorëheqjen dhe ishte deri diku normale dhe etike, por edhe shumë elementë të tjerë që nuk ishin në nivele të tilla u paragjykuan dhe u hoqën nga puna dhe ne nuk u ankuam shumë për këtë çështje. Kjo nuk do të thotë se ata nuk kanë të drejtë të ankohen, por mendoj se këtu ka një teprim të madh. Për arsye sepse ne kemi disa kolona të qëndrueshme në administratën tonë. Unë besoj se reforma në administratë nuk nënkupton sikurse ka një tendencë nga drejtues të PD-së për një revansh për spastrime dhe emërime të karakterit politik. Por, nënkupton ndryshime në strukturë, ndryshime në prioritete, por mbi të gjithë nënkupton një ritëm të ri dhe një vazhdimësi të kapaciteteve më të mira që vendi ka në administratë dhe janë shumë të tilla. Pra, nuk ka një dëshirë dhe një frymë për të bërë spastrim sepse kjo nuk është normale kur ne flasim për rritjen e punësimit, flasim për investime, për të hapur fabrika që të punësojmë njerëzit, nuk flasim që të hiqen disa demokratë dhe të vijnë socialistë, tëLSI-së apo socialdemokratë etj., sepse ky nuk është interesi i madh i publikut.

– Si e shikoni Partinë Demokratike pa kryetar Sali Berishën, apo ai është ende në opinionin tuaj?

– Në opinionin tim vazhdon të jetë.

– Si e shikoni Partinë Demokratike me z. Basha në krye të saj?

– Nuk e përfytyroj dot ende, për arsye se, ende duket sikur vazhdon z. Berisha, qoftë edhe për inerci, t’i japi tonin drejtimit apo komunikimit të PD-së edhe me opinionin publik. Sigurisht që, ai ka sfida shumë të mëdha përpara dhe shumë të vështira. Unë nuk kam ndërhyrë gjatë fushatës së dy kandidatëve të Partisë Demokratike, pavarësisht se pati një dëshirë të madhe për të përfshirëLSI-në në problemet e tyre. Por, absolutisht që detyra kryesore e z. Basha nuk është që të krijojë këto zyrat për të mbrojtur anëtarët apo militantët e Partisë Demokratike që nuk janë hequr nga puna, sepse nuk ka sesi të hiqen nga një qeveri e cila akoma nuk ka filluar punë. Por, duhet ti japë një vizion të ri kësaj force politike dhe të sjellë një opozitë të standardeve të reja në vendin tonë.

– A i garantoni votuesve që do të punoni si maxhorancë e ardhshme qeverisëse për të forcuar ndërtimin e një shteti ligjor në vend dhe transparent me qytetarët? 

– Kjo është shumë e rëndësishme sepse është një shqetësim i madh qytetar mosfunksionimi i ligjit siç duhet dhe funksionimi i ligjit nuk është se ka të bëjë thjesht me partitë që janë në pushtet apo që janë në opozitë, por ka të bëjë me gjithë funksionimin e institucioneve, të gjykatave, ka të bëjë me shumë aktorë të rëndësishëm dhe në këtë drejtim absolutisht që ligji duhet të jetë ai që duhet të prevalojë mbi çdo raport apo mbi interes tjetër politik apo personal qoftë ai. Dhe për këtë qeveria, maxhoranca, deputetët duhet të jenë të parët që duhet të japin shembullin në respektimin e ligjit dhe në pranimin e superioritetit të ligjit mbi çdo lloj pushteti tjetër. Besoj se mbetet ende shumë për të bërë, prandaj jo më kot edhe të gjithë raportet ndërkombëtare kërkojnë forcimin e ligjit dhe mendoj se ky do të jetë një prioritet i parë dhe kryesori qeverisë, sepse pa forcimin e zbatimit të ligjit nuk mund të arrihen as ato rezultate që ne besojmë se do të japim në fushën e ekonomisë, në fushën e zhvillimit, të investimeve. Dhe unë natyrisht besoj në radhë të parë në transparencën, e cila do të bëjë të mundur që vetë institucionet të forcojnë llogaridhënien ndaj qytetarëve dhe njëkohësisht të rritet pushteti i tyre ndaj politikës sepse në këtë mënyrë mendoj se rritet edhe pushteti i ligjit në këtë vend.