Ilir Meta: “Evropianizimi i shoqërisë nis nga garantimi i të drejtave themelore të fëmijëve”

406
Sigal

Kuvendi  do bëjë çdo përpjekje për përmirësimin e legjislacionit në mbrojtje të fëmijëve

Kuvendi i Shqipërisë do të bëjë çdo përpjekje në përmirësimin e legjislacionit në mbrojtje të të drejtave të fëmijëve. Kështu ka deklaruar Kryeparlamentari, Ilir Meta, gjatë një seance dëgjimore lidhur me rekomandimet e Komitetit të Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Fëmijëve për Shqipërinë të organizuar nga Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut si dhe Komisioni për Punën, Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë. Duke vlerësuar faktin se dëgjesa e parë publike në këtë legjislaturë, në Kuvendin e Shqipërisë me shoqërinë civile u çel me të drejtat e fëmijëve, Kryetari i Kuvendit theksoi se ky debat i hapur duhet të përcjellë mesazhin se e ardhmja nis pikërisht nga fëmijët. “Kam bindjen se modernizimi, emancipimi dhe evropianizimi i shoqërisë sonë, nis nga garantimi i të drejtave themelore të fëmijëve në përgjithësi dhe aty në vështirësi në veçanti” u shpreh Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, i cili, gjithashtu,  theksoi rëndësinë që ka forcimi i përpjekjeve për të bërë më shumë në mbrojtje të fëmijëve dhe zgjidhjes së vështirësive që rrjedhin nga shumë probleme, si nga çështja e diskriminimit të disa kategorive, kushtet ndaj fëmijëve romë apo edhe atyre me aftësi të kufizuar. Meta theksoi se është koha për krijimin e një tjetër sjelljeje, dhe kulture tjetër ndaj fëmijëve. Gjithashtu, Kryetari i Kuvendit shprehu gatishmërinë e Kuvendit për nxitur gjithashtu përpjekjet e mundshme për të patur një sistem drejtësisë për të miturit në përputhje me Konventën e OKB-së për mbrojtjen e të drejtave për fëmijët.

Kryetari i Kuvendit z. Ilir Meta priti të Ngarkuarin me Punë të Shtetit të Libisë z. Essam Ben Galiel

Kryetari i Kuvendit z. Ilir Meta priti dje  të Ngarkuarin me Punë të Shtetit të Libisë z. Essam Ben Galiel. Kryetari i Kuvendit Meta shprehu mirënjohjen për njohjen e Kosovës nga Shteti i Libisë në shtator të këtij viti dhe shprehu njëkohësisht gatishmërinë për të intensifikuar marrëdhëniet bilaterale, veçanërisht në rrafshin parlamentar.

Ilir Meta priti ambasadorin e Irlandës z. Charles Sheehan

 Kryetari i Kuvendit z. Ilir Meta priti dje  Ambasadorin e Irlandës në Shqipëri, Rezident në Athinë, z. Charles Sheehan.  Kryetari i Kuvendit Meta vlerësoi mbështetjen e Irlandës ndaj procesit të integrimit evropian të Shqipërisë dhe theksoi se miratimi i statusit të kandidatit në BE, pas rekomandimit pozitiv të Komisionit,  do të krijonte një shtysë të re në marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian.