Ilir Meta: Është absolutisht absurde, që opozita apo edhe një forcë serioze politike të bojkotojë zgjedhjet lokale

425
Sigal

Intervista e Kryetarit të Kuvendit:Mesazhi i Francës, asnjë prirje radikale nuk duhet nënvlerësuar

Kryetari i Kuvendit dhe njëkohësisht edhe kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta në një intervistë televizive dje, i pyetur për mundësinë e kandidimit të Monika Kryemadhit në Bashkinë e Tiranës, u shpreh se zonja Kryemadhi është deputete e Qarkut të Lezhës, duke thënë që media ka të drejtën e saj që të bëjë interpretimet.

-Zoti Meta, sa real është ky problem në Shqipëri fundamentalizmi, por dhe islamofobia?

– Ajo që ndodhi në Francë është absolutisht një mesazh i qartë se asnjë prirje radikale nuk duhet nënvlerësuar. Por unë personalisht do të isha më i qetë për arsye sepse shoqëria jonë e ka të konsoliduar në shekuj këtë tolerancë, këtë bashkëjetesë, këtë harmoni, dhe jam i sigurt që kjo është një pasuri që nuk mund ta humbasim, tani kur vlera e saj është e jashtëzakonshme, kur të tjerët e kërkojnë dhe nuk e arrijnë dot.

– A jemi në rrugën e duhur të zbatimit të asaj marrëveshje me katër pika?

– Unë besoj dhe shpresoj që dy palët do t’i përmbahen atyre angazhimeve, pasi besoj që i kanë nënshkruar me vullnet të plotë këto prioritete që do të përmirësojnë klimën politike në vend duke filluar nga Kuvendi, por dhe në atë reflektim që ajo pasqyron në të gjithë shoqërinë.

Në ç’ formë duhet të funksionojë marrëveshja, që të kemi një dekriminalizim, siç kërkon opozita të parlamentit?

– Kjo është shprehur qartë nga ana e opozitës dhe është një e drejtë e tyre për një zgjidhje konkrete dhe unë nuk mendoj se ka ndonjë kundërshtim për të vendosur standarde më të larta për sa i takon verifikimit të figurave publike përfaqësuese, të mënyrës së përzgjedhjes dhe të zgjedhjes së tyre. Ne jemi vend demokratik dhe për këtë do të diskutohet, do të bashkëpunohet, do të ndiqen modele më të përshtatshme evropiane.

Ishte kjo marrëveshje apo këto kërkesa të opozitës një mënyrë për t’u rikthyer në parlament në këndvështrimin tuaj? Ishin këto pretekste apo jo?

– Së pari unë besoj se largimi i opozitës ishte i pajustifikuar, pavarësisht nga aktet e papranueshme që ndodhën në Kuvend dhe që u dënuan edhe nga Kuvendi dhe nga opinioni.

– Ka edhe një çështje që vijon në gjykatë…

Po. Por absolutisht vendi i opozitës dhe i çdo force politike, aq më tepër i opozitës është në parlament dhe sigurisht që ajo do të kthehej një ditë dhe shumë mirë që është kthyer.

-Z. Meta, Presidenti i Republikës rrëzoi ndryshimet që parlamenti i bëri ndryshimeve në ligjin për Gjykatën e Lartë sa i takon mënyrës së përzgjedhjes së anëtarëve të kësaj gjykata. Si do të veprojë në këto kushte mazhoranca kur kemi një rrëzim të ligjit që ju bëri Presidenti i Republikës?

– Është një e drejtë e Presidentit të Republikës të shprehi qëndrimet e tij. Unë besoj se në letrën e z. Ruçi dhe z. Vasili, shprehen qartë të gjitha argumentet pse maxhoranca ndërmori këtë nismë dhe unë jam i bindur që kjo është një nismë dhe iniciativë që e ndihmon Presidentin, që është në harmoni dhe në raport të plotë me Kushtetutën dhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese.

– Nuk cenon kompetencat e tij siç thotë Presidenti?

– Absolutisht nuk cenon, përkundrazi, në fund të fundit kemi të bëjmë me instrumente këshillues që krijojnë mundësinë për një transparencë shumë më të madhe dhe për të garantuar një standard më të lartë objektivisht vlerësimi për gjyqtarët që do të propozohen

Opozita për shkak të reformës territoriale që e miratoi mazhoranca ka kërcënuar me bojkotim të zgjedhjeve të pushtetit vendor. A ka gjasa që palët në këtë pikë të negociojnë?

– Thelbi i marrëveshjes është respektimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese. Ky ka qenë një nga shqetësimet bazë sepse incidenti që ndodhu në parlamenti ishte preteksi për të dalë nga parlamenti. Por shkaku kryesor ka qenë sipas tyre, gjoja moszbatimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, komisionet hetimore. Kështu që është rënë dakord nga të dyja palët të respektojë vendimet e Gjykatës Kushtetuese. Edhe për çështjen në fjalë do të respektohet vendimi i Gjykatës Kushtetuese. Asnjëherë nuk i është dhënë kjo mundësi një opozita në Shqipëri që të ketë pozita të barabarta me shumicën në një Komision të Reformës Administrative Territoriale, 8 anëtar maxhoranca, 8 anëtar opozita, bashkëkryetar maxhoranca, bashkëkryetar opozita. Asnjëherë kjo gjë nuk ka ndodhur dhe opozita refuzoi të përfshihej në këtë proces edhe pse iu kërkua edhe nga partnerët ndërkombëtar që asistuam këtë reformë kaq të domosdoshme. Së dyti u paragjykua maxhoranca duke i thënë sa se ju e keni të fiksuar hartën, variantin e ndarjes së administrative-territoriale. Ndoshta edhe nën presionin e kryetarëve të tyre të bashkive, kryetarëve të tyre të komunave, një presion që është i vlefshëm edhe për ne, për Partinë Socialiste sepse kuptohet që preken disa interesa lokale e kështu me radhë. Por natyrisht që reforma ishte e domosdoshme dhe është e domosdoshme.

– Por a mund të ketë zgjedhje për pushtetin vendor nëse opozita vendos bojkotin e tyre? Ju do të ishit të gatshëm të futeshit në zgjedhje?

– Është një detyrim kushtetues, sikur edhe maxhoranca të vendosë bojkotin, të gjitha institucionet, përfshirë edhe Komisioni Qendror të Zgjedhjeve, janë të detyruara të zbatojnë Kushtetutën dhe të organizojnë zgjedhjet. Nuk është e thënë që të konkurrojnë vetëm partitë, mund të konkurrojnë edhe kandidatët e pavarur, çdo njeri, ne nuk mund të bllokojmë procese kushtetuese për arsye të qëndrimeve thjesht të karakterit politik. Por është absolutisht absurde, që opozita apo edhe një forcë serioze politike të bojkotojë, sepse në fund të fundit këtu dallohet një forcë politike nga një shoqatë. Shoqatat japin ide, japin mendime, ndërsa forcat politike përfaqësojnë qytetarët, kandidojnë, fitojnë dhe mund të humbasin, por kurrsesi nuk mundet t’i lënë pa përfaqësuar qytetarët…

A është një pikë për mosmarrëveshje me opozitën, ri formatimi i mundshëm i KQZ-së?

– Kjo është një çështje tjetër të cilën unë e shikoj si një çështje teknike e ligjore. Unë nuk e shoh si çështje politike, sepse nuk mendoj që KQZ-ja ka një rol kaq të rëndësishëm sa mund të ketë pasur dikur në të kaluarën dhe nuk do ta ketë këtë rol. Pra, duhet të jetë një institucion i karakterit teknik që zbaton ligjin.

A do të duhet të rifomatohet KQZ-ja në tërësinë e vet qoftë edhe kryetari i KQZ-së në këto kushte ku jemi, kur do të duhet të bëhen edhe ndryshime të nevojshme në Kodin Zgjedhor?

– Mendoj që duhet të udhëhiqemi në mënyrë strikte nga Kushtetuta, nga Kodi dhe nga ligji, jo nga interesi politik për të rënë në pozitat e z. Berisha para zgjedhjeve që të kontrollojë tani edhe KQZ-në. Edhe e kontrolloi KQZ-në totalisht, por kjo nuk ishte produktive. Mendoj që duhet të respektojmë kodin në mënyrë strikte ligjore.

– Sa komod ndjehet kjo maxhoranca, në një kohë që ne jemi në një vit zgjedhor, përballë elektoratit të saj z. Meta?

– Unë do ta ulja këtë dramaticitetin e zgjedhjeve, që është një vit zgjedhor apo që zgjedhjet lokale janë kaq të rëndësishme, etj. Natyrisht që ka politikanë të cilët përpiqen të mobilizojnë simpatizantët e tyre dhe të krijojnë idenë e një rëndësie të jashtëzakonshme vendimtare politike të këtyre zgjedhjeve, por unë besoj se këto janë zgjedhje fare normale, janë zgjedhje për administratorë vendorë. Këto nuk do të ndryshojnë asgjë në funksionimin e institucioneve në vend. E vetmja shpresë e madhe mbetet që në sajë të kësaj reforme do të ketë një ndryshim cilësor në organizimin e njësive vendore, një efektivitet më të lartë të shërbimeve të tyre ndaj qytetarëve. Absolutisht mendoj se çdo politizim i tepruar është i panevojshëm.

– Beteja më e madhe si në çdo zgjedhje tjetër vendore, do të jetë ajo për Tiranën. A jemi në kohë për të artikuluar emra konkretë z. Meta?

– Unë nuk jam në gjendje të artikuloj asnjë emër, as për Tiranën dhe për asnjë njësi tjetër dhe nuk kam pasur mundësi që të mendoj. Dhe jam i bindur që do të ketë në këtë proces gjatë muajve që vijnë shumë emra dhe ky është një proces normal.

– LSI-ja do të jetë në garë për kreun e bashkisë së Tiranës?

– Në çdo rast të gjitha partitë marrin pjesë në zgjedhje dhe nuk është më e rëndësishmja se kush do të jetë, si do të jetë, i kujt do të jetë. E rëndësishme është që Tirana të marrë frymë lirisht dhe të ecë në rrugën e modernizimit të saj, sepse shumë gjëra kanë mbetur ashtu siç ishin.

– Z. Rama ka publikuar një foto të znj. Kryemadhi në profilin e tij në “facebook” para pak javësh dhe media në fakt e ka komentuar si një katapultim që z. Rama kërkonte të bënte për znj. Kryemadhi si një kandidate e mundshme për Bashkinë e Tiranës. Ju si do t’i cilësonit këto komente?

– Media ka të drejtën e saj të bëjë interpretimet e saj, por kjo nuk është një argument që justifikon këtë interpretim. Z. Rama e ka si praktikë që publikon foto të ndryshme, të individëve të ndryshëm dhe kjo është një gjë normale, është një lloj hobi i tij. Znj. Kryemadhi është deputete e Qarkut të Lezhës .