Ilir Meta deklaron se nuk ka më falje për personat që dënohen për “dhunë në familje”

546
Presidenti Ilir Meta: Nuk ka më falje për personat që dënohen për “dhunë në familje” 

Presidenti i Republikës, Ilir Meta, mori pjesë në koncertin e bamirësisë “Ende ka jetë”, të organizuar nga shoqata “Të ndryshëm dhe të barabartë”, me qëllim mbledhjen e të ardhurave që do të shkojnë për të ofruar shërbime për mbrojtjen dhe riintegrimin e viktimave të trafikimit dhe dhunës. Në fjalën e tij përshëndetëse, Presidenti Meta u shpreh se: “Rastet e fundit tragjike, të Ariela Muratit dhe Fildez Hafizit, na bëjnë më të vetëdijshëm se, që nga qeverisja qendrore, pushteti lokal, qendrat komunitare e sociale, organizatat për mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe çdo punonjës policie, prokuror e gjyqtar, të gjithë duhet të bashkëveprojmë për të parandaluar rënien viktimë të dhunës e trafikimit, të çdo vajze e gruaje shqiptare, të çdo të mituri apo personi në nevojë”. “Gjatë mandatit tim si President i Republikës nuk do të trajtoj me falje të dënimit, asnjë person, i cili është dënuar për dhunë në familje dhe njëkohësisht do kundërshtoj çdo amnisti të veprave penale të dhunës në familje apo të lidhura me to”, – theksoi ai. Presidenti Meta apeloi për një bashkëveprim të ri e të fuqishëm të gjithë institucioneve në vend për të rritur fuqinë denoncuese ndaj çdo rasti dhune dhe ndëshkueshmërinë maksimale sipas ligjit ndaj këtyre kriminelëve që po tronditin themelet e shoqërisë dhe familjes shqiptare.
Sigal