Ilir Meta-Danielsson: Me rëndësi avancimi i reformës territoriale dhe i drejtësisë

487
Sigal

Kryeparlamentari Ilir Meta shprehu dje besimin se, progres raporti i ardhshëm i Komisionit do të reflektojë punën e madhe që është bërë gjatë këtij viti në drejtim të përmbushjes së prioriteteve të axhendës europiane. Në takimin e zhvilluar me Drejtorin e Përgjithshëm për Zgjerimin në Komisionin Evropian, Christian Danielsson, Meta vlerësoi përkushtimin e Komisionit Evropian ndaj procesit të zgjerimit dhe veçanërisht ndaj Shqipërisë. Ata biseduan edhe për ecurinë e reformave të ndërmarra nga qeveria dhe zhvillimet e fundit politike në vend. Meta theksoi se, Kuvendi është përqendruar në forcimin e bashkëpunimit me institucionet e pavarura, me shoqërinë civile dhe me grupet e interesit, në funksion të rritjes së rolit të tij mbikëqyrës dhe të avancimit të axhendës parlamentare përmes parimit të gjithëpërfshirës. Z. Meta dhe z. Danielsson diskutuan gjithashtu mbi axhendën e reformave të nisura me fokus në reformën administrative e territoriale dhe reformën në fushën e drejtësisë, duke ndarë bindjen e përbashkët për nevojshmërinë e avancimit të këtyre reformave të rëndësishme për vendin, përmes pjesëmarrjes aktive të të gjithë palëve dhe në bashkëpunim të ngushtë me strukturat e Bashkimit Evropian. Në përfundim Kryetari i Kuvendit, Meta theksoi rëndësinë e ndarjes së politikës nga drejtësia dhe shprehu vullnetin e maxhorancës për të punuar së bashku me opozitën dhe me faktorët e tjerë të shoqërisë në funksion të zgjidhjeve efikase që kërkon zhvillimi ekonomik dhe perspektiva evropiane e Shqipërisë.