Ilir Meta betohet sot si President i Republikës

593
Ilir Meta betohet sot si President i Shqipërisë, ja cila është rruga e tij politike 
Kuvendi i Shqipërisë mblidhet sot pasdite në një seancë të jashtëzakonshme. Deputetët do të jenë të pranishëm në sallë gjatë betimit të Ilir Metës si President
Dita e sotme do të jetë tepër e veçantë për Ilir Metën, ish-kryetarin e Kuvendit. Pikërisht nga ajo foltore ku ka drejtuar Kuvendin për katër vite, Meta do të betohet si President i vendit, duke zëvendësuar kështu presidentin aktual, Bujar Nishani. Të gjithë deputetet janë lajmëruar për të qenë të pranishëm në sallë. Ilir Meta është zgjedhur presidenti i ri i Republikës së Shqipërisë, në raundin e katërt të votimit në 28 prill të këtij viti. Për kandidaturën e Metës kishin hedhur firmat 23 deputetë, 17 nga LSI dhe 6 të tjerët nga PDIU. Për Metën votuan 87 deputetë, asnjë nuk abstenoi, vetëm dy ishin kundër. Ndërkohë Kryesia e Partisë Socialiste e mbështeti në mënyrë unanime figurën e Ilir Metës si President i vendit. Pas betimit në Parlament, Meta do të marrë detyrën e tij, e cila do t’i dorëzohet nga presidenti në ikje Bujar Nishani. Gjatë ditës së djeshme Nishani ka nisur edhe procedurat për të lënë Presidencën. Ai mësohet se është zhvendosur nga vila presidenciale për në vilën e tij në farkë. Janë larguar prej andej të gjitha orenditë që i përkasin familjes së tij. Ndërkohë ende nuk ka asnjë të dhënë se ku do të qëndroj presidenti i ardhshëm. Në mesditën e sotme, sipas protokollit, do bëhet dorëzimi i të gjitha sendeve dhe orendive që ndodhen në vilë dhe i takojnë Presidencës. Ndërsa presidenti Meta i cili merr detyrën sot ende nuk ka vendosur nëse do të zgjedh rezidencën qeveritare numër 4 ku qëndroi presidenti Nishani apo do të qëndrojë në të njëjtën banesë ku është aktualisht në zonën e kodrës së diellit.

Sot gjithashtu pritet që presidenti Meta të merret në ruajtje dhe nga eskorta me 12 shoqërues, që për 24 orë të ndarë në dy grupe janë përgjegjës për sigurinë fizike të tij në ambientet e zyrës, banesës, dhe çdo lëvizje që kryen presidenti. Në ruajtjeje të gardës së republikës vendoset dhe zonja e parë Monika Kryemadhi e cila gëzon dhe statusin e deputetes dhe eskorta e saj do të përbëhet nga një automjet, shoqërues dhe shofer. Kjo sipas përcaktimeve që bëhen në Kushtetutë dhe në rregulloren e gardës së republikës për ruajtjen e personaliteteve. Me mbarimin e ceremonisë protokollare të betimit dhe më pas marrjes së detyrës në selinë e presidencës ku po përgatitet dhe ceremoniali zyrtar kreu i shtetit Ilir Meta do të marrë dhe automjetin presidencial “TR 0001 Z” Mercedez Benz i blinduar.
Kush është Ilir Meta, Presidenti i 7-të i Republikës së Shqipërisë
Ilir Meta u zgjodh në 28 prill Presidenti i 7-të i Republikës së Shqipërisë me 87 vota pro
Karriera politike 26-vjeçare e Meta është mjaft e pasur dhe e gjatë.
Ilir Meta lindi më 24 mars të vitit 1969 në Skrapar, Shqipëri.

U diplomua për Ekonomi Politike në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Tiranës. Ilir Meta ka përfunduar Studimet Pasuniversitare në të njëjtën fushë. Meta është që prej 15 viteve deputet i Kuvendit të Shqipërisë, dhe një nga figurat kryesore politike shqiptare. Ai konsiderohet nga media dhe publiku si krijuesi dhe drejtuesi i Polit të Tretë në Politikën Shqiptare.
Ilir Meta ka një aktivitet intensiv politik, duke filluar nga viti 1990, si pjesëmarrës aktiv në lëvizjen studentore që përmbysi regjimin komunist. Nga viti 1992 në vazhdim, Ilir Meta është zgjedhur pa ndërprerje deputet në të gjitha legjislaturat e Kuvendit të Shqipërisë, në të cilin ka qenë anëtar i disa komisioneve dhe gjatë periudhës 1996-1997 ka mbajtur postin e Nënkryetarit të Komisionit të Politikës së Jashtme.
Ilir Meta është njëri ndër themeluesit e Forumit të Rinisë Eurosocialiste (FRESH), duke dhënë kontributin e tij për anëtarësimin e Forumit në Internacionalen e Rinisë Socialiste. Gjatë viteve të anëtarësisë së tij në FRESH, Ilir Meta ka mbajtur poste të larta drejtuese si, Nënkryetar (1992-1995) dhe Kryetar (1995-2001).
Aktiviteti politik i Ilir Metës në strukturat e Partisë Socialiste është i ngjeshur.

Ai ka qenë anëtar i Komitetit të Përgjithshëm Drejtues nga Kongresi i Qershorit 1992 dhe anëtar i Kryesisë së Partisë nga viti 1993, deri në periudhën kur dha dorëheqjen nga kryesia e PS-së (Korrik 2003), pas problemeve që ngriti pranë strukturave drejtuese të PS-së mbi mungesën e transparencës në drejtimin e Qeverisë dhe Partisë prej Kryeministrit dhe Kryetarit të Partisë, Fatos Nano.
Gjatë periudhës 1997-1998, Ilir Meta ka qenë Kryetar i Partisë Socialiste të Tiranës.
Në periudhën 1993 -1996, Ilir Meta ka mbajtur postin e Nënkryetarit të Partisë Socialiste dhe nga 1994 – 1996 edhe atë të Sekretarit për Marrëdhëniet Ndërkombëtare, periudhë gjatë së cilës u vendosën marrëdhënie me shumë parti socialiste dhe socialdemokrate të Evropës, si dhe Partinë Socialiste Evropiane dhe Internacionalen Socialiste.

Përveç aktivitetit politik, Ilir Meta ka dhënë leksione në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Tiranës, si dhe në disa akademi dhe universitete në Evropë dhe SHBA, si Akademia Evropiane e Berlinit apo Universiteti i Harvardit.
Aktiviteti politik i Ilir Metës përfshin edhe një periudhë të suksesshme të drejtimit në Qeveri, ku ka shërbyer si Kryeministër i vendit gjatë periudhës Nëntor 1999 – Shtator 2001 dhe pas fitores së zgjedhjeve parlamentare të verës së vitit 2001 u rimandatua si Kryeministër, Shator 2001 – Shkurt 2002. Gjatë kësaj periudhe u shënuan arritjet më të mira të qeverisjes së vendit për periudhën e tranzicionit, stabilizimi i parametrave makro-ekonomik, përmirësimi i ndjeshëm i rrjetit rrugor, privatizimi i suksesshëm i disa prej sektorëve strategjik të ekonomisë, vendosja dhe funksionimi i ligjit në të gjithë terrorin e vendit, etj.
Në Shkurt 2002, për të shmangur krizën brenda maxhorancës politike dhe qeverisëse dha dorëheqjen nga detyra.
Gjithashtu, Ilir Meta ka shërbyer edhe si Zv.kryeministër dhe Ministër i Punëve të Jashtme gjatë periudhës Korrik 2002 – Korrik 2003, Zv.kryeministër dhe Ministër i Integrimit gjatë periudhës Tetor 1998 – Tetor 1999, si dhe Sekretar Shteti për Integrimin Evropian në Ministrinë e Punëve të Jashtme Mars – Tetor 1998.
Në vitet 2003-2004, Ilir Meta ka qenë anëtar i Komisionit Ndërkombëtar për Ballkanin, i drejtuar nga ish Kryeministri i Italisë, Xhuliano Amato, komision i cili përgatiti Raportin për të Ardhmen e Rajonit të Ballkanit, dhe shtroi rrugën për pavarësinë e Kosovës.
Ilir Meta, pas përpjekjeve brenda strukturave drejtuese të PS-së, për ndryshimin e funksionimit dhe demokracisë së brendshme në këtë force politike, më 6 shtator 2004, së bashku me 500 personalitete të tjerë dhe intelektualë të të gjitha fushave, themeluan një forcë të re politike në Shqipëri, Lëvizjen Socialiste për Integrim.
Ilir Meta u zgjodh në krye të LSI-së në prill të vitit 2005, duke zbatuar për herë të parë parimin “Një anëtar, një vote”. Z. Meta është rikonfirmuar në krye të LSI-së, në zgjedhjet e tetorit 2012 dhe së fundmi në 6 nëntor 2016. 

Në periudhën shtator 2009-shtator 2010, Ilir Meta ka shërbyer si Zv. Kryeministër dhe Ministër i Punëve të Jashtme, e më pas si Zv. Kryeministër dhe ministër i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës gjatë periudhës shtator 2010-janar 2011.
Në vitin 2013 Meta u zgjodh Kryetar i Parlamentit pas fitores së koalicionit PS-LSI në zgjedhje. 
Në 28 prill 2017, Ilir Meta u zgjodh Presidenti i 7-të Republikës së Shqipërisë. Ilir Meta është i martuar me Monika Kryemadhin dhe kanë tre fëmijë, Borën, Besarin dhe Erën.
1991-2017, cilët kanë qenë 5 Presidentët shqiptarë? 

Ramiz Alia
Shqipëria është njohur me institucionin e Presidentit si institucioni më i lartë i shtetit shqiptar në 1991, kur në Shqipëri kishte ndryshuar krejtësisht sistemi politik. Në bazë të disa dispozitave kushtetuese, të cilat u miratuan nga Kuvendi i vitit 1991, u vendos shkrirja e Presidiumit të Kuvendit Popullor dhe krijimi i institucionit të Presidentit si institucioni më i lartë shtetëror dhe këtë post për herë të parë e ka drejtuar ish-sekretari i Parë i Presidiumit të Kuvendit Popullor, Ramiz Alia. Ai është zgjedhur President më 30 prill 1991 me 2/3 e votave të Kuvendit, i cili kishte në përbërjen e tij 250 deputetë. Ramiz Alia e ka mbajtur këtë post për një vit rresh, deri më 3 prill 1992, kur vendi ynë u përfshi në zgjedhje të parakohshme.
Sali Berisha
Më pas këtë post do ta marrë kryetari i PD-së, Sali Berisha, i cili pas fitores së zgjedhjeve të 22 marsit 1992 la detyrën partiake, për tu ngjitur ne postin më të lartë. Berisha qëndroi në këtë detyre për gati pesë vjet, duke u rizgjedhur sërish si kryetar shteti më 3 shkurt të 1997. Por mandatin e dyte Berisha nuk mundi ta çojë deri në fund, për shkak të humbjes së zgjedhjeve të parakohshme te 29 qershorit të vitit 1997.
Rexhep Meidani
Pas humbjes së zgjedhjeve të 29 qershorit nga PD-ja dhe fitores së tyre nga spektri i majtë, kjo e fundit i ka propozuar Kuvendit të atëhershëm emrin e sekretarit të Përgjithshëm të PS-së, Rexhep Mejdani, për postin e Presidentit. Me shumicë votash Kuvendi ka votuar më 24 korrik 1997 Rexhep Mejdanin për postin e Presidentit, duke e çuar brenda shtatë viteve në tre numrin e krerëve të lartë të shtetit. Rexhep Mejdani e ka mbyllur mandatin e tij pesëvjeçar në korrik të 2002-shit. 
Alfred Moisiu
Përfundimi i detyrës nga ana e tij shënoi edhe ndryshimin e mënyrës së zgjedhjes se presidentit. Këtë herë emri i katërt i kryeshtetarit erdhi pas arritjes së konsensusit mes pozitës dhe opozitës, duke ngjitur në këtë detyrë ish-gjeneralin Alfred Moisiu. Edhe Moisiu e mbajti mandatin për pesë vjet.
Bamir Topi, 2007-2012
Prof. Dr. Bamir Topi ka lindur në Tiranë me 24 prill 1957 në një familje autoktone tiranase me tradita intelektuale e qytetare. Është i martuar dhe ka dy vajza. Prindërit e tij kanë treguar mjaft vëmendje në edukimin e tre djemve të tyre, vëmendje e reflektuar në suksesin e tyre profesional dhe shoqëror.
Bujar Nishani
Ish ministri i Brendshëm dhe i drejtësisë Bujar Nishani mori detyrë e Presidentit në vitin 2012-të, pas përfundimit të mandatit të Presidentit Bamir Topi. Në prill të këtij viti i përfundoi mandati. Ndërkohë që sot ai zhvendoset nga vila presidenciale për t’u rikthyer në vilën e tij në farkë. Bujar Nishani do të zëvendësohet në këtë detyrë nga presidenti më i ri i vendit Ilir Meta. 
Sigal