Ilir Meta: Berati, një nga qendrat më të bukura e tërheqëse të qytetërimit tonë mijëravjeçar

436
Presidenti Meta viziton Beratin në “Ditën Kombëtare të Trashëgimisë Kulturore”. 
Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Ilir Meta zhvilloi ditën e djeshme një vizitë në qytetin e Beratit me rastin e 29 shtatorit, “Ditës Kombëtare të Trashëgimisë Kulturore”. Fillimisht Presidenti Meta së bashku me Ministren e Kulturës, Mirela Kumbaro Furxhi u ndal në Muzeun “Onufri”, të shoqëruar edhe nga Kryetari i Bashkisë Petrit Sinaj, përfaqësues të ndryshëm të pushtetit vendor e të bashkësive fetare si dhe deputetë të Qarkut dhe qytetarë të shumtë beratas. Më pas Presidenti Meta vizitoi muzeun etnografik ku u njoh me historinë e themelimit të saj, objektet kryesore si dhe vlerat historike e arkitekturore të monumenteve të shumta e të lashta të qytetit të Beratit, duke theksuar se për koinçidencë në “Ditën tonë Kombëtare të Trashëgimisë Kulturore”, edhe popujt e Evropës kremtojnë “Ditën e Trashëgimisë Evropiane”. Në fjalën e Tij përshëndetëse, Presidenti i Republikës u shpreh: E dashur zonja Ministre faleminderit për zgjidhjen konsensuale që bëmë të dy bashkë për të qenë sot në Berat, për të dhënë mesazhe për trashëgiminë tonë kulturore në mbarë vendin në këtë ditë të rëndësishme, në këtë ditë kombëtare, por edhe në këtë ditë evropiane! Berati do të jetë përherë për ne një nga qendrat më të bukura e më tërheqëse. Do të jetë gjithmonë në vëmendjen tonë dhe për fat të mirë edhe të mbarë botës, përfshirë edhe UNESCO-n, pikërisht për shkak të qytetërimit mijëravjeçar që përfaqëson dhe që ruan. Qyteti i bukurisë monumentale, i traditave më të shquara të pikturës, të zejeve, të këngëve, të valleve dhe kostumeve popullore, por dhe të kishave dhe xhamive të magjishme. Një xhevahir i shndritshëm i kulturës sonë kombëtare. Më tej ai u shpreh: Në këtë ditë feste, ne sot jemi bashkë me të gjithë shtetet evropiane duke ekspozuar vlerat më të arrira të traditave monumentale, historike dhe kulturore. “Besoj se kremtimi i Ditës së Trashëgimisë sonë Kombëtare në të njëjtën datë me atë të Trashëgimisë Evropiane është gjithashtu dëshmia jonë e qartë për të ecur në një hap me trendin e zhvillimit kulturor, evropian. Ne shqiptarët jemi krenarë përpara historisë së kulturës evropiane pasi historia dhe trashëgimia shqiptare është pjesë dinjitoze e kësaj kulture evropiane sot. Madje do përmendja se vlerat tona historike e kanë pasuar edhe më tej këtë trashëgimi edhe në gjirin e pasurisë së kulturës botërore me përfshirjen në UNESCO të Butrintit, Gjirokastrës, Beratit dhe iso-polifonisë”, tha Presidenti Meta. Ndërsa shtoi se thesaret tona të çmuara antike: kështjellat, monumentet, sjellja e princave tanë të shquar me në krye Gjergj Kastriot Skënderbeun, libri i parë i gjuhës shqipe, më vonë Rilindja jonë kombëtare dhe publicistika e saj, janë tregues i bashkësisë së vlerave tona perëndimore.

Presidenti Meta tha se së bashku me Ministren Kumbaro dhe Kryetarin e Bashkisë po hapim dyert të monumenteve të sajteve arkeologjike dhe pikave të spikatura të historisë së tyre për të nxjerrë akoma më në pah asetet e tyre dhe etno-kulturore, traditat, vlerat artistike dhe arkitekturën mahnitëse të këtij qyteti. “Sot është një ditë shumë e rëndësishme dhe njëkohësisht për të shprehur mbështetjen dhe vlerësimin tonë më të madh për ata që nuk i shohim. Shohim monumentet, pikturat, shohim çdo gjë, por rrallë shohim restauruesin, për restauruesin e Shqipërisë, për punonjësit duarartë të atelieve të Ministrisë dhe të Institutit të Monumenteve të Kulturës, të cilët kanë rizgjuar dhe kanë ngrohur shpirtin e thesareve të fjetura të monumenteve të kulturës. “Duke u ngjitur këtu për në kala me kënaqësi pashë mjaft vizitorë të huaj që rendnin drejt kalasë, por dhe drejt Muzeut ‘Onufri’. Jam i bindur që në këtë ditë të rëndësishme, duke rritur ndjenjën e vetëdijes dhe të përgjegjësisë për të ruajtur dhe forcuar më tej këtë trashëgimi kulturore dhe padyshim duke shtuar edhe dashurinë, si një objektiv të ri nga dita e sotme për trashëgiminë kulturore, shumë më tepër turistë dhe vizitorë do të vijnë këtu, do të shkojnë në Gjirokastër, në Butrint e kudo tjetër anembanë vendit tonë. Jam njëkohësisht i bindur se duke e forcuar këtë trashëgimi kulturore, do të integrohemi edhe më me dinjitet në Bashkimin Evropian, atje ku e kemi vendin.”
Sigal