Ilir Meta bën skanerin e politikës së shqiptarëve në Ballkan

446
Sigal

Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë Ilir
Meta flet nga Kosova  për Expres: Ndalimi
i Haradinajt, flet-arrestet serbe, Franca, marrëveshja e Ohrit, shqiptarët e
Maqedonisë, roli i Thaçit, Ramës, Ahmetit, raportet Shqipëri-Serbi, vizita e
Ramës në Beograd, Presidienti  i ardhshëm
i Shqipërisë,  koalicionet e pas 18
Qershorit me PS-në apo PD-në, Presidenti i ri i SHBA-ve Donald  Trump, pozicionimi i Ramës dhe Thaçit pro
Klinton dhe vija kufitare me Malin e Zi.

Cilat janë informacionet e shtetit shqiptar për
ndalimin e Ramush Haradinajt në Francë, pasi keni pasur edhe një takim me
udhëheqësit e AAK-së?

Është
e qartë se ky është një ndalim absurd i mbështetur në kërkesat e vjetra të
Serbisë ndaj z. Haradinaj, por edhe me sa duket edhe figurave tjera të UÇK-së.
Ne shpresojmë dhe besojmë se autoritetet franceze do të japin zgjidhje të
shpejtë kësaj situate dhe z. Haradinaj do të kthehet në Kosovë.

Kishte kritika në drejtim të dy shteteve se nuk u
reagua si duhet dhe nuk po bëhet presion i mjaftueshëm mbi shtetin francez për
të liruar ish-Kryeministrin…

Mund
të them se reagimet ishin të menjëhershme. Nga ana e Shqipërisë kanë reaguar të
gjitha autoritetet shtetërore. Veç kësaj, janë marrë iniciativa konkrete si në
rrugë diplomatike, si nga ana e Ministrit të Drejtësisë, i cili menjëherë i ka
drejtuar një letër homologut të tij francez. Të dy ambasadorët: të Shqipërisë
dhe të Kosovës në Francë kanë bërë përpjekje të koordinuara për të kërkuar një
zgjidhje të shpejtë dhe të drejtë të kësaj çështjeje dhe për të qenë sa më afër
z. Haradinaj në këto momente.

Çfarë duhet të bëjë Kosova në raport me Serbinë që
të mos ketë raste të tilla të fletë-arresteve ndaj qytetarëve të Kosovës? Opozita
në Kosovë ka propozuar edhe ndaljen e bisedimeve me palën serbe…

Nuk
do të doja të jepja një këshillë, sepse autoritetet e Kosovës kanë gjithë
përgjegjshmërinë dhe përvojën për të vepruar në mënyrë më të mirë, në mbrojtje
të interesave të Kosovës, të qytetarëve të saj dhe të drejtave të tyre. Por,
natyrisht, duhen bërë përpjekje të mëdha sidomos në raport me BE-në, por edhe
me SHBA-në. E theksoj BE-në për shkak edhe të dialogut, që edhe aq shumë
mbështetet për normalizimin e marrëdhënieve midis Serbisë dhe Kosovës. T’i
tregohet qartë Serbisë se veprime të tilla, insistime të tilla nuk i shërbejnë
as dialogut, as rritjes së mirëkuptimit dhe të ardhmes së rajonit.

Cilat janë raportet tuaja personale me z. Haradinaj?
Si e njihni ju liderin e AAK-së?

Z.
Haradinaj është i njohur për gjithë shqiptarët kudo që jetojnë. Është simbol i
sakrificave sublime, që shqiptarët e Kosovës kanë bërë për liri dhe pavarësi e
dinjitet. Është një politikan mjaft i përgjegjshëm, i cili është përballur me
shumë dinjitet, jo vetëm para drejtësisë ndërkombëtare, por edhe para
padrejtësisë, duke fituar ndaj proceseve të montuara ndaj tij, në të kaluarën
dhe duke mbrojtur dinjitetin e popullit te tij për liri. Më pas, cilat janë
sakrificat e z. Haradinaj dhe të familjes së tij për lirinë e Kosovës, cili
është çmimi që ata kanë paguar për këtë gjë, mendoj se është e tepërt të
komentohet nga unë, pasi është e njohur botërisht nga gjithë shqiptarët.

Partitë shqiptare në Maqedoni publikuan një
platformë të përbashkët për zgjidhjen e problemeve. Sa besoni se do të zbatohet
kjo platformë në Maqedoni?

Problemi
kryesor në Maqedoni, viteve të fundit, ka qenë lufta për pushtet midis dy
partive kryesore maqedonase, që ka sjellë edhe ngërçin institucional në vend.
Aktualisht, kemi një përpjekje mjaft pozitive shqiptare për t’u bërë garant i
stabilitetit të Maqedonisë përmes miratimit të një rruge që e demokratizon
plotësisht Maqedoninë dhe e ndihmon të futet në shinat e integrimit në BE, duke
qenë pjesë e kësaj platforme, kësaj traseje, garantimi i të drejtave të
margjinalizuara të shqiptarëve, të bazuara edhe në Marrëveshjen e Ohrit dhe në
Kushtetutën e Maqedonisë.

Sa besoni se do të jetësohet kjo marrëveshje kur
dihet se ajo e Ohrit vazhdon të mos zbatohet pothuajse në asnjë pikë?

Besoj
se Maqedonia ka hyrë tashmë në një rrugë të pakthyeshme të demokratizimit të
saj. Faktori shqiptar, edhe pse paradoksalisht, ka mandate më pak në Parlament
pas këtyre zgjedhjeve, është një faktor edhe më përcaktues politikisht se më
parë, dhe është e rëndësishme se tani shqiptarët duhet të faktorizojnë edhe më
shumë veten. Dhe duke faktorizuar vetveten të jenë garant i zgjidhjeve për një
Maqedoni anëtare në BE, NATO e faktor stabiliteti në rajon. Nuk do të jetë një
proces i lehtë, por ky proces ka filluar.

Si e shihni përfshirjen e Edi Ramës e Hashim Thaçit
në bashkimin e shqiptarëve të Maqedonisë?

Këto
janë përpjekje pozitive edhe nga Tirana, edhe nga Prishtina. Por, njëkohësisht,
mos të harrojmë, se ishte vetë z. Ali Ahmeti si parti e parë fituese shqiptare
e zgjedhjeve që inicioi një platformë bashkimi i forcave tjera shqiptare në
Maqedoni. Kjo nevojë bashkëpunimi vjen nga vet faktori shqiptar dhe ne të
gjithë do të jemi mbështetës të këtij bashkëpunimi.

Të flasim pak për raportet me Shqipëri-Serbi. Në
fakt, si e shihni ju zgjidhjen e problemit mes Kosovës dhe Serbisë. Duhet
Shqipëria të ndërmjetësojë në këtë drejtim?

Besoj
se keni një dialog tashmë prej kohësh midis autoriteteve të Serbisë dhe të
Kosovës me mbështetjen e vazhdueshme të BE-së, dhe, natyrisht, që Kosova ka
përfaqësuesit e vetë. Dhe, Shqipëria ka qenë dhe do të jetë gjithnjë në
mbështetje të këtij procesi, duke mos zëvendësuar asnjëherë autoritetet e
Kosovës, por, duke dhënë gjithë mbështetjen që do t’i kërkohet në funksion të
një ecurie pozitive dhe të suksesshme të këtij dialogu.

Ndryshe nga Kryeministri i Shqipërisë ju po hezitoni
të flisni në emër të Kosovës. Edi Rama, në vizitën e fundit në Beograd, foli në
emër të Kosovës dhe pati shumë debat nëse bëri mirë apo keq. Ju si e shihni një
veprim të tillë të Ramës?

Nuk
dua të bëhem pjesë e debateve dhe e kritikave të ndryshme. Unë besoj që
Shqipëria dhe institucionet e Shqipërisë kanë qenë dhe do të jenë gjithnjë në
mbështetje të institucioneve të Kosovës. Ashtu sikurse institucionet e Kosovës
do të jenë në mbështetje të institucioneve të Shqipërisë për çdo çështje që
neve do të na duhet dhënë.

Të flasim pak për Shqipërinë. Do të jeni ju kandidat
për pozitën e Presidentit?
E kam dhënë një përgjigje të qartë për këtë çështje.
Shqipëria ka më 18 qershor zgjedhje dhe e kam bërë të qartë që edhe më 19
qershor do të jem Kryetar i LSI-së, që do të thotë se rezultati i saj do të
jetë mjaftë pozitiv dhe unë do të kem arsye të vazhdoj udhëheqjen e kësaj force
politike.

Pas zgjedhjeve të ardhshme do të vazhdoni
koalicionin me PS apo do të riktheheni të PD-ja e Bashës?

Lëvizja
Socialiste për Integrim pa asnjë diskutim që do të përmbush gjithë detyrimet e
saj, sipas marrëveshjes së koalicionit me PS-në, sepse kemi mjaft sfida, të
cilat nuk na lejojnë të humbasim asnjë minutë me çështje më pak të rëndësishme,
siç është përfundimi i reformës zgjedhore, thellimi i zbatimit të
dekriminalizimit dhe zbatimi i plotë i tij, vazhdimi i reformës në drejtësi dhe
garantimi i zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, një sfidë mjaft e rëndësishme.
Në këtë drejtim, këto çështja kanë vëmendjen më të madhe tonën.

Cili është pozicioni juaj lidhur me zgjedhjen e
Trump për President të SHBA-së?

Jam
i bindur që marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe SHBA-së do të vijojnë të forcohen
më tej edhe pas këtyre zgjedhjeve. Dhe, besoj se cilado forcë politike firon në
Amerikë, raportet me Shqipërinë me SHBA janë strategjike, dhe si një politikan
me eksperiencë që jam, besoj se marrëdhëniet tona janë shumë të rëndësishme si
me administratën e re, por po kështu edhe me përfaqësuesit e dy palëve në
Senat, si ne Kongres dhe në institucionet tjera.

A do të ndikojë kjo në raportet mes shqiptarëve me
Amerikën kur dihet se edhe Thaçi edhe Rama kanë mbështetur hapur Hillaryn për
Presidente?

Jam
i bindur që se z. Trump është një President jo i rastësishëm dhe që shikon
përpara. Në këtë drejtim çmoj shumë deklaratat e tij për Kosovën dhe kur nuk ka
qenë i angazhuar politikisht me një saktësi dhe elokuencë të mrekullueshme. Aq
më tepër kur eksperienca e tij është e jashtëzakonshme pas një fushate të
paimagjinuar nga askush.

Pra, deklarata e udhëheqësve shtetërorë të Kosovë
dhe të Shqipërisë nuk do të kenë ndikim në raportet me Amerikën?
Natyrisht, sepse fushata ka mbaruar dhe tani
marrëdhëniet janë institucionale dhe strategjike.

Kosova po vazhdon të ballafaqohet me problemin e
shënimit të vijës kufitare me Malin e Zi. Pasojë e kësaj s’ka as viza për
kosovarët. Si duhet tejkaluar ky problem me të cilin qeveria merret prej
fillimit të vitit 2016?

Vlerësoj
se shumë përpjekje duhet bërë për të gjetur një mirëkuptim dhe një konsensus
për të tejkaluar këtë situatë. Nuk jam ekspert i duhur për të bërë vlerësim
konkret. Raportet e Kosovës me Malin e Zi janë shumë të mira. Dhe, Mali i Zi do
t’i jemi mirënjohës për njohjen mjaft të shpejt të pavarësisë së Kosovës dhe
duket se më shumë se një problem midis Kosovës dhe Malit të Zi është një
problem i mirëkuptimit politik këtu dhe më pas edhe i një dakordësimi edhe me
Malin  Zi.