Ilir Meta bën skanerin e politikës së shqiptarëve në Ballkan

469
Sigal

Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë Ilir
Meta flet nga Kosova  për Expres: Ndalimi
i Haradinajt, flet-arrestet serbe, Franca, marrëveshja e Ohrit, shqiptarët e
Maqedonisë, roli i Thaçit, Ramës, Ahmetit, raportet Shqipëri-Serbi, vizita e
Ramës në Beograd, Presidienti  i ardhshëm
i Shqipërisë,  koalicionet e pas 18
Qershorit me PS-në apo PD-në, Presidenti i ri i SHBA-ve Donald  Trump, pozicionimi i Ramës dhe Thaçit pro
Klinton dhe vija kufitare me Malin e Zi.

Intervista/ Kryetari i
Kuvendit, z. Ilir Meta flet nga Kosova për Gazetën “EXPRESS”

 

Cilat
janë informacionet e shtetit shqiptar për ndalimin e Ramush Haradinajt në
Francë, pasi keni pasur edhe një takim me udhëheqësit e AAK-së?

Është
e qartë, se ky është një ndalim absurd i mbështetur në kërkesat e vjetra të
Serbisë ndaj z. Haradinaj, por me sa duket edhe ndaj figurave tjera të UÇK-së.
Ne shpresojmë dhe besojmë se autoritetet franceze do të japin zgjidhje të
shpejtë kësaj situate dhe z. Haradinaj do të kthehet në Kosovë.

Kishte kritika në
drejtim të dy shteteve, se nuk u reagua si duhet dhe nuk po bëhet presion i
mjaftueshëm mbi shtetin francez për të liruar ish-Kryeministrin…

Mund
të them, se reagimet ishin të menjëhershme. Nga ana e Shqipërisë kanë reaguar
të gjitha autoritetet shtetërore. Veç kësaj, janë marrë iniciativa konkrete si
në rrugë diplomatikeashtu edhe nga ana e Ministrit të Drejtësisë, i cili
menjëherë i ka drejtuar një letër homologut të tij francez. Të dy ambasadorët;
të Shqipërisë dhe të Kosovës në Francë kanë bërë përpjekje të koordinuara për
të kërkuar një zgjidhje të shpejtë e të drejtë të kësaj çështjeje dhe për të
qenë sa më afër z. Haradinaj në këto momente

Çfarë duhet të bëjë
Kosova në raport me Serbinë, që të mos ketë raste të tilla të fletë-arresteve
ndaj qytetarëve të Kosovës? Opozita në Kosovë ka propozuar edhe ndaljen e
bisedimeve me palën serbe…

Nuk
do të doja të jepja një këshillë, sepse autoritetet e Kosovës kanë gjithë
përgjegjshmërinë dhe përvojën për të vepruar në mënyrë më të mirë, në mbrojtje
të interesave të Kosovës, të qytetarëve të saj dhe të drejtave të tyre. Por,
natyrisht, duhen bërë përpjekje të mëdha, sidomos në raport me BE-në, por edhe
me SHBA-në. E theksoj BE-në, për shkak edhe të dialogut, që edhe aq shumë
mbështetet për normalizimin e marrëdhënieve midis Serbisë dhe Kosovës. T’i
tregohet qartë Serbisë, se veprime të tilla, insistime të tilla nuk i
shërbejnë, as dialogut, as rritjes së mirëkuptimit dhe të ardhmes së rajonit.

Cilat janë raportet
tuaja personale me z. Haradinaj? Si e njihni ju liderin e AAK-së?

Z.
Haradinaj është i njohur për gjithë shqiptarët kudo që jetojnë. Është simbol i
sakrificave sublime, që shqiptarët e Kosovës kanë bërë për liri e pavarësi dhe
dinjitet. Është një politikan mjaft i përgjegjshëm, i cili është përballur me
shumë dinjitet, jo vetëm para drejtësisë ndërkombëtare, por edhe para
padrejtësisë, duke fituar ndaj proceseve të montuara ndaj tij, në të kaluarën
dhe duke mbrojtur dinjitetin e popullit te tij për liri. Më pas, cilat janë
sakrificat e z. Haradinaj dhe të familjes së tij për lirinë e Kosovës, cili
është çmimi që ata kanë paguar për këtë gjë, mendoj se është e tepërt të
komentohet nga unë, pasi është e njohur botërisht nga gjithë shqiptarët.

Partitë shqiptare në
Maqedoni publikuan një platformë të përbashkët për zgjidhjen e problemeve. Sa
besoni se do të zbatohet kjo platformë në Maqedoni?

Problemi
kryesor në Maqedoni, viteve të fundit, ka qenë lufta për pushtet midis dy
partive kryesore maqedonase, që ka sjellë edhe ngërçin institucional në vend.
Aktualisht, kemi një përpjekje mjaft pozitive shqiptare për t’u bërë garant i
stabilitetit të Maqedonisë përmes miratimit të një rruge që e demokratizon
plotësisht Maqedoninë dhe e ndihmon të futet në shinat e integrimit në BE, duke
qenë pjesë e kësaj platforme, kësaj traseje, garantimi i të drejtave të
margjinalizuara të shqiptarëve, të bazuara edhe në Marrëveshjen e Ohrit dhe në
Kushtetutën e Maqedonisë.

Sa besoni se do të
jetësohet kjo marrëveshje kur dihet, se ajo e Ohrit vazhdon të mos zbatohet,
pothuajse në asnjë pikë?

Besoj
se Maqedonia ka hyrë tashmë në një rrugë të pakthyeshme të demokratizimit të
saj. Faktori shqiptar, edhe pse paradoksalisht, ka mandate më pak në Parlament
pas këtyre zgjedhjeve, është një faktor edhe më përcaktues politikisht, se më
parë dhe është e rëndësishme, që tani shqiptarët duhet të faktorizojnë edhe më
shumë veten. Dhe duke faktorizuar vetveten, të jenë garant i zgjidhjeve për një
Maqedoni, anëtare në BE, NATO e faktor stabiliteti në rajon. Nuk do të jetë një
proces i lehtë, por ky proces ka filluar.

Si e shihni përfshirjen
e Edi Ramës e Hashim Thaçit në bashkimin e shqiptarëve të Maqedonisë?

Këto
janë përpjekje pozitive edhe nga Tirana, edhe nga Prishtina. Por, njëkohësisht,
mos të harrojmë, se ishte vetë z. Ali Ahmeti, si parti e parë fituese shqiptare
e zgjedhjeve, që inicioi një platformë bashkimi i forcave tjera shqiptare në
Maqedoni. Kjo nevojë bashkëpunimi vjen nga vetë faktori shqiptar dhe ne të
gjithë do të jemi mbështetës të këtij bashkëpunimi.

Të flasim pak për
raportet Shqipëri-Serbi. Në fakt, si e shihni ju zgjidhjen e problemit mes
Kosovës dhe Serbisë. Duhet Shqipëria të ndërmjetësojë në këtë drejtim?

Besoj
se keni një dialog tashmë prej kohësh midis autoriteteve të Serbisë dhe të
Kosovës me mbështetjen e vazhdueshme të BE-së, dhe, natyrisht, që Kosova ka
përfaqësuesit e vet. Dhe, Shqipëria ka qenë dhe do të jetë gjithnjë në
mbështetje të këtij procesi, duke mos zëvendësuar asnjëherë autoritetet e
Kosovës, por, duke dhënë gjithë mbështetjen që do t’i kërkohet në funksion të
një ecurie pozitive dhe të suksesshme të këtij dialogu.

Ndryshe nga
Kryeministri i Shqipërisë ju po hezitoni të flisni në emër të Kosovës. Edi
Rama, në vizitën e fundit në Beograd, foli në emër të Kosovës dhe pati shumë
debat, nëse bëri mirë apo keq. Ju si e shihni një veprim të tillë të Ramës?

Nuk
dua të bëhem pjesë e debateve dhe e kritikave të ndryshme. Unë besoj që
Shqipëria dhe institucionet e Shqipërisë kanë qenë dhe do të jenë gjithnjë në
mbështetje të institucioneve të Kosovës. Ashtu sikurse institucionet e Kosovës
do të jenë në mbështetje të institucioneve të Shqipërisë për çdo çështje që
neve do të na duhet.

Të flasim pak për
Shqipërinë. Do të jeni ju kandidat për pozitën e Presidentit? 

E kam dhënë një përgjigje të qartë për këtë çështje.
Shqipëria ka më 18 qershor zgjedhje dhe e kam bërë të qartë, që edhe më 19
qershor do të jem Kryetar i LSI-së, që do të thotë se rezultati i saj do të
jetë mjaft pozitiv dhe unë do të kem arsye të vazhdoj udhëheqjen e kësaj force
politike.

Pas zgjedhjeve të
ardhshme do të vazhdoni koalicionin me PS-në apo do të riktheheni të PD-ja e
Bashës?

Lëvizja
Socialiste për Integrim pa asnjë diskutim që do të përmbush gjithë detyrimet e
saj, sipas marrëveshjes së koalicionit me PS-në, sepse kemi mjaft sfida, të
cilat nuk na lejojnë të humbasim asnjë minutë me çështje më pak të rëndësishme,
siç është përfundimi i reformës zgjedhore, thellimi i zbatimit të
dekriminalizimit dhe zbatimi i plotë i tij, vazhdimi i reformës në drejtësi dhe
garantimi i zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, një sfidë mjaft e rëndësishme.
Në këtë drejtim, këto çështje kanë vëmendjen më të madhe tonën.

Cili është pozicioni
juaj lidhur me zgjedhjen e Trump për President të SHBA-së?

Jam
i bindur që marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe SHBA-së do të vijojnë të forcohen
më tej edhe pas këtyre zgjedhjeve. Dhe, besoj, se cilado forcë politike firon
në Amerikë, raportet e Shqipërisë me SHBA janë strategjike dhe, si një
politikan me eksperiencë që jam, besoj që marrëdhëniet tona janë shumë të
rëndësishme si me administratën e re, por po kështu edhe me përfaqësuesit e dy
palëve në Senat, si në Kongres dhe në institucionet tjera.


A do të ndikojë kjo
në raportet mes shqiptarëve me Amerikën kur dihet se edhe Thaçi edhe Rama kanë
mbështetur hapur Hillaryn për Presidente?

Jam
i bindur që se z. Trump është një President jo i rastësishëm dhe që shikon
përpara. Në këtë drejtim çmoj shumë deklaratat e tij për Kosovën edhe kur nuk
ka qenë i angazhuar politikisht me një saktësi dhe elokuencë të mrekullueshme.
Aq më tepër kur eksperienca e tij është e jashtëzakonshme pas një fushate të
paimagjinuar nga askush
.

Pra, deklarata e
udhëheqësve shtetërorë të Kosovës dhe të Shqipërisë nuk do të kenë ndikim në
raportet me Amerikën?

Natyrisht,
sepse fushata ka mbaruar dhe tani marrëdhëniet janë institucionale dhe
strategjike.

Kosova po vazhdon të
ballafaqohet me problemin e shënimit të vijës kufitare me Malin e Zi. Pasojë e
kësaj; s’ka as viza për kosovarët. Si duhet tejkaluar ky problem me të cilin
qeveria merret prej fillimit të vitit 2016?

Vlerësoj,
se shumë përpjekje duhet bërë për të gjetur një mirëkuptim dhe një konsensus
për të tejkaluar këtë situatë. Nuk jam eksperti i duhur për të bërë një
vlerësim konkret. Raportet e Kosovës me Malin e Zi janë shumë të mira. Dhe,
Malit të Zi do t’i jemi mirënjohës për njohjen mjaft të shpejtë të pavarësisë
së Kosovës dhe duket, se më shumë se një problem midis Kosovës dhe Malit të Zi,
është një problem i mirëkuptimit politik këtu, tani dhe më pas edhe i një
dakordësimi edhe me Malin  Zi.