Ilir Meta-Bel:Intensifikim të shkëmbimeve ekonomike e tregtare mes dy vendeve

544
Sigal

Z. Meta, sa e sigurt është maxhoranca për marrjen e statusit të vendit kandidat në muajin qershor dhe a ka një strategji konkrete për t’i bindur 5 vendet skeptike?

 Maxhoranca është e sigurt në rritje ekonomike të Shqipërisë, në përmirësimin e klimës së investimeve, të biznesit, në rritjen e punësimit dhe pa asnjë diskutim edhe në përparimin e perspektivës europiane të Shqipërisë, për të cilën do të duhet të kontribuojnë të gjithë.

 Franca është përkrah Shqipërisë për t’iu dhënë kredibilitetin dhe forcën e nevojshme për në BE

 Kryetari i Kuvendit, z. Ilir Meta priti në një takim Presidentin e Senatit të Francës, z. Jean-Pierre Bel. Duke i uruar përzemërsisht mirëseardhjen, Kryetari i Kuvendit, i shprehu mirënjohjen z. Bel për kontributin e jashtëzakonshëm që Franca  ka dhënë dhe jep në Kosovë, në interes të paqes dhe të stabilitetit në rajonin tonë. Presidenti i Senatit të Francës z.Jean-Pierre Bel theksoi se, Franca ka mbështetur gjithmonë Shqipërinë në rrugën e saj drejt BE-së, në procesin e integrimit Evropian. Kryetari i Kuvendit dhe z. Jean-Pierre Bel, biseduan rreth thellimit të marrëdhënieve midis dy parlamenteve, si dhe të bashkëpunimit, jo vetëm në kuadër të integrimit evropian, por edhe në kuadrin e Frankofonisë dhe atë të Mesdheut. Sipas z.Bel frankofonia është një mesazh paqe, një mesazh miqësie dhe synon të përcjellë vlera të demokracisë, për të cilën edhe Shqipëria dhe Franca ndajnë së bashku. Në përfundim të takimit, z. Ilir Meta së bashku me Presidentin e Senatit të Francës dhanë një prononcim për median, ku mbajtën fjalën e tyre përkatëse. Në fund të konferencës së përbashkët, z.Meta dhe z.Bel ju përgjigjën pyetjeve të gazetarëve lidhur me integrimin e Shqipërisë në BE, përgjigjen që pritet në qershor të këtij viti, si dhe reformën territoriale, e cila mbahet ende e bllokuar për shkak të refuzimit të opozitës për bashkëpunim.

 Meta: Të hapur për investitorët e huaj dhe kompanitë franceze!

“Me z. Bel kemi biseduar për çuarjen përpara të marrëdhënieve të shkëlqyera mes Shqipërisë dhe Francës, të cilat shtrihen në aspekte të shumta politike, ekonomike, kulturore dhe arsimore, bilaterale e multilaterale, dhe kemi ndarë bindjen e përbashkët se, energjitë tona, do të duhen përqendrohen akoma më shumë në intensifikimin e shkëmbimeve ekonomike e tregtare mes dy vendeve dhe njëkohësisht edhe në forcimin e bashkëpunimit në kuadër të axhendës europiane të vendit tonë dhe të rajonit. Në këtë drejtim, dua të shpreh mirënjohjen tonë të thellë në përkrahjen e vazhdueshme të Francës në avancimin e perspektivës evropiane, jo vetëm të Shqipërisë, por për të gjitha vendet e rajonit tonë. Në Kuvendin e Shqipërisë, tashmë kemi Grupin e ri të Miqësisë Shqipëri-Francë, i cili përbëhet nga deputete e deputetë të të gjitha grupeve parlamentare dhe që drejtohet nga një frankofone e shquar si znj. Mimoza Hafizi. Shqipëria dhe Franca bashkëpunojnë jo vetëm në kuadër të integrimit evropian, por edhe në kuadrin e Frankofonisë dhe atë të Mesdheut. Shqipëria, veçanërisht pas zgjedhjeve të fundit parlamentare, është një vend tepër i hapur për investitorët e huaj dhe kam bindjen e thellë se, kompanitë franceze në këtë drejtim janë një aset i vyer për të kontribuuar për zhvillimin tonë të mëtejshëm dhe gjithë rajonin, duke pasur parasysh ekspertizën, mbështetjen financiare dhe eksesin në tregjet evropiane e ndërkombëtare që ato sjellin me vete.

 Jean-Pierre Bel: Shqipëria dhe Franca ndajnë vlera së bashku

“Kam ardhur sot në Shqipëri për të dëshmuar miqësinë midis Francës dhe Shqipërisë.

Është një histori, e cila ka rrënjë të thella në miqësinë midis dy vendeve, por duhet të konkretizohet më tej. Ky është një dimension tjetër i marrëdhënieve tona, shumë i rëndësishëm, sepse mbledh rreth tij shumë vende që lagen nga deti i Mesdheut. Gjithashtu, është një dimension i rëndësishëm që edhe Franca synon ta zhvillojë më tej. Në takimin që patëm së bashku, folëm për disa çështje, ndër të cilat dua të theksoj Frankofonin. Frankofonia edhe Franca janë shumë të pranishme në Shqipëri. Frankofonia është një mesazh paqe, një mesazh miqësie dhe synon të përcjellë vlera të demokracisë, për të cilën edhe Shqipëria dhe Franca ndajnë së bashku. Franca ka mbështetur gjithmonë në rrugën tuaj drejt BE-së, në procesin e integrimit europain. Ju e keni pasur të qartë mbështetjen e Francës edhe gjatë Presidencës së Francës të BE-së. Franca është përkrah jush për t’iu dëgjuar, për t’iu ndihmuar dhe për t’iu dhënë kredibilitetin dhe forcën e nevojshme që ju të përparoni në këtë proces të rëndësishëm të integrimit europian. Asgjë më tepër sesa një vizitë në vendin tuaj nuk është më me vlerë që të kuptohet në këtë qytet të mrekullueshëm, që të kuptohen aspiratat që ka vendi juaj, aspirata, të cilat ne do t’i mbështesim. Vizita në Shqipëri do të jetë shumë e dobishme për të dyja palët, për zhvillimin e mëtejshëm të marrëdhënieve tona”.

Pyetje dhe përgjigje:

Z.Bel, Ju pak muaj më parë i premtuat z. Meta mbështetjen për statusin e vendit kandidat për Shqipërinë, por tashmë të gjithë e dimë që Franca ishte një nga 5 vendet që thanë Jo. Të paktën në Tiranë na u tha nga qeveria se, një nga motivet ishin qarqet ekstremiste që kanë influencuar politikat e brendshme të vendeve të ndryshme, përfshirë këtu Francën. Nëse për ju qëndron gjithmonë, a keni arritur t’i zbusni ndopak këto qarqe, apo në qershor Shqipëria do të marrë një tjetër përgjigje refuzuese nga Parisi?

-Franca nuk ka thënë jo perspektivës së integrimit evropian të Shqipërisë.

Mes shteteve të ndryshme europiane, u pa e nevojshme që Shqipëria të vazhdonte axhendën e saj të parashikuar të integrimit evropian dhe siç e diskutova më përpara me z. Kryetar, është e nevojshme që Shqipëria të krijojë një kredibilitet pranë vendeve të Bashkimit Europian në rrugën e saj të integrimit. Është e vërtetë që në gjirin e vendeve anëtare të Bashkimit Europian ekzistojnë disa pikëpyetje, disa dyshime, në lidhje me vështirësitë që kanë ndeshur disa nga vendet e Bashkimit Europian. Janë çështje ose tema, të cilat ne nuk mund t’i shmangim, por ne synojmë që të orientojmë partnerët tanë politik dhe vende të ndryshme që të orientohen drejt politikave sociale më të përparuara dhe të insistojnë në fuqizimin vendeve të tyre.

 Z. Meta. Ju i deklaruat angazhimin e qeverisë shqiptare z.Bel për vijimin e reformës territoriale që për momentin ndodhet e bllokuar për shkak të mungesës së konsensusit të opozitës. Do të bëhet kjo reformë pa opozitën dhe nëse po, sa kohë do t’i duhet maxhorancës që të marrë një vendim për të vijuar dhe për ta përfunduar brenda këtij sesioni, siç ju keni premtuar?

– Fryma e integrimit dhe jo ajo e bllokimit, duhet të na udhëheqë të gjithëve pa përjashtim dhe jemi maksimalisht të vendosur për konsensus të plotë dhe maksimal me opozitën, ku i është ofruar një paritet i plotë në realizimin e kësaj reforme, e cila asistohet dhe nga partnerët tanë shumë të rëndësishëm europianë dhe amerikanë.