Ilir Meta: BE është destinacioni ynë i përbashkët, pavarësisht progresit të secilit vend

439
Sigal

Nën kujdesin e Kuvendit të Shqipërisë nisi punimet dje Konferenca e Komisioneve të Sigurisë të Parlamenteve të Kartës së Adriatikut A5, me temën “Forcimi i bashkëpunimit ndërparlamentar, garanci e suksesit të Kartës së Adriatikut-SHBA”. Në fjalën e hapjes, Kryetari i Komisionit të Sigurisë Kombëtare, z. Spartak Braho, e cilësoi nismën mbarëballkanike të Kartës së Adriatikut, një histori suksesi, e cila bëri të mundur anëtarësimin e suksesshëm të Shqipërisë dhe Kroacisë në NATO. Ndërsa, Kryetari i Kuvendit, z. Ilir Meta në fjalën e tij ka vlerësuar kontributin dhe përkushtimin e secilit vend anëtar të Kartës përmes angazhimit respektiv në funksion të rritjes së sigurisë në rajonin tonë, si dhe për dedikimin ndaj avancimit të axhendës së përbashkët të integrimit Euro-Atlantik. Gjithashtu, z. Meta ka shprehur mirënjohjen e Kuvendit të Shqipërisë për mbështetjen e vazhdueshme të fuqishme të SHBA për Kartën e Adriatikut dhe për promovimin e integrimit Euro-Atlantik të të gjithë vendeve të Ballkanit Perëndimor. “Pa një Ballkan Perëndimor të integruar plotësisht në strukturat Euro-Atlantike, parametrat e sigurisë në Europën Juglindore nuk do të arrijnë kurrë standardet që ne dëshirojmë dhe që qytetarët tanë meritojnë. Nga ana tjetër, as vetë Bashkimi Evropian nuk do të jetë kurrë i plotësuar dhe i sigurt”,- tha z. Meta. “Shqipëria i mbështet plotësisht aspiratat e të gjitha vendeve të rajonit tonë për anëtarësim në NATO dhe në Bashkimin Evropian, sepse jemi të bindur se avancimi i këtyre proceseve të ndërlidhura, do të sjellë më tepër siguri, paqe afatgjatë dhe më tepër prosperitet, duke na çuar të gjithëve më afër standardeve të politikëbërjes dhe të jetesës së Bashkimit Evropian”,- theksoi Kryetari i Kuvendit. Sipas z. Meta, roli i NATO-s në mbarëvajtjen e paqes në Ballkan është i padiskutueshëm, por bashkëpunimi rajonal, duhet të prodhojë efekte konkrete për rritjen e prosperitetit ekonomik të të gjithë qytetarëve tanë.