Ilir Meta: Bashkëpunojmë me SHBA, jo vetëm kur na mbështesin, por dhe kur na kritikojnë

459
Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, në konferencën e shtypit me temë, dekriminalizimi i politikës, iu përgjigj edhe pyetjeve të gazetës “Telegraf”, nëse do të bëhen ndryshime në sistemin elektoral, duke pohuar se dekriminalizimi kërkon konsensus, dhe nuk është një proces i thjeshtë, që mund të bëhet me disa ndryshime ligji. Por, do të ndërhyhet edhe në Kushtetutë, do të bëhen ndryshime edhe në Kodin Zgjedhor, si edhe në Kodin Penal. 
-Zoti Meta, a mund të bëhet dekriminalizimi i politikës pa zhbërë listat e mbyllura sipas Kodit Elektoral? Do të thotë, a keni ndërmend të ndryshoni sistemin? Ministrja për marrëdhëniet me Parlamentin deklaroi para disa ditësh se mazhoranca është e vendosur ta kalojë ligjin për dekriminalizimin, edhe pa votat e opozitës. Ju jeni me të njëjtin mendim, që pa konsensusin e opozitës mund të bëhet?

– Procesi i dekriminalizimit kërkon konsensus, sepse nuk është një proces i thjeshtë që bëhet me disa ndryshime ligji, apo me disa ndërhyrje në Kushtetutë. Siç e përmendët edhe ju me të drejtë, ky proces kërkon edhe ndryshime në Kodin Zgjedhor, në Kodin Penal, kërkon dhe ndryshime në ligje të tjera të rëndësishme. Çdo përpjekje për ta paraqitur si një iniciativë të thjeshtë, dhe t’i japësh ligjit, “doni apo nuk doni”, është një lojë që bëhet për publikun, për kredo afatshkurtër politike dhe jo një përpjekje serioze për t’i shkuar me themel këtij procesi. Kështu që kemi dy iniciativa, e theksoj, ka një përputhshmëri të gjerë me këto dy iniciative, për të njëjtin proces, aty ku diferenca do të jetë e pamundur të zgjidhet, shpresojmë që të zgjidhet, do t’i referohemi përvojës më të mirë dhe më solide dhe europiane, por edhe traditës për raste të tilla. Mendoj që edhe kjo do të jetë pastaj referenca kryesore për zgjidhjen përfundimtare të këtij problemi. Por është e rëndësishme të tregojmë vullnet dhe të mos krijojmë pretekste, të cilat pengojnë përmbylljen e një procesi të tillë, që nuk duhet të ishte fare temë e politikës shqiptare. 
– Megjithatë të dyja partitë si PS, ashtu edhe PD, çuditërisht mbase kanë një konsensus të fshehtë që nuk duan të prekin, Kodin Zgjedhor nëpërmjet ligjeve. Kërkojnë ta bëjnë, por pa ndryshuar sistemin elektoral, pa zhbërë listat të cilat janë përgjegjëse për futjen e elementëve të inkriminuar si deputetë. A mund të realizohet ky dekriminalizim? A duhet zhbërë ky sistem elektoral që populli të ketë mundësi të votojë drejtpërdrejt deputetin dhe jo listën e kryetarëve? 

– Janë dy çështje të ndryshme, mendoj unë. Ajo sesi mund të pengohen individë me rekorede kriminale për të zgjedhur, apo për të emëruar në detyra të rëndësishme publike dhe kjo është çështje dhe lidhur me mënyrën e e realizimit të listave kjo ka të bëjë me çështje të tjera. Dhe nuk jam këtu për këtë gjë. Por çdo ndryshim që do të bëhet, se për të mbyllur këtë proces kudo që do të duhet, si në Kodin Zgjedhor, si në Kodin Penal, si në Kushtetutë, si në ligje të tjera, të cilat kanë të bëjnë me pushtetin gjyqësor, e kështu me rradhë, duhet bërë patjetër. E rëndësishme, për mua, është fakti se si të kemi standarte ligjore që mund të parandalojnë individë me rekorde kriminale për t’u zgjedhur, apo për t’u emëruar në detyra të rëndësishme publike. Kudo që do të duhet, si në Kodin Zgjedhor, si në Kodin Penal, si në Kushtetutë, si në ligje të tjera, të cilat kanë të bëjnë me pushtetin gjyqësor duhen bërë patjetër rregullimet e duhura. 

Ilir Meta: Do kemi konsensus dhe ndihmën e partnerëve ndërkombëtarë 

Lidhur me debatin më të fundit mbi iniciativat për të përmbyllur procesin ligjor të dekriminalizimit, dua të shpreh bindjen time dhe besimin se jemi shumë pranë finalizimit të këtij procesi, pavarësisht retorikave konfliktuale, apo përjashtuese me motive politike, sepse të gjitha palët kanë shprehur angazhimin dhe vullnetin për të përmbushur këtë proces që vjen si një detyrim i dakortësuar në marrëveshjen pozitë-opozitë të dhjetorit të vitit të kaluar. Unë jam i bindur se edhe pse tashmë kemi dy iniciativa, një nga grupi parlamentar i Partisë Demokratike, dhe një nga ana e qeverisë, me arsyetimet përkatëse të cilat janë bërë publike, në thelbin e tyre të dy propozimet kanë një përputhshmëri të qartë. Natyrisht që ka edhe disa dallime, apo disa diferenca, të cilat kërkojnë një frymë më bashkëpunuese dhe gjithmonë me qëllim gjetjen e konsensusit, për të realizuar një proces gjithëpërfshirës në këtë drejtim. Por jam i bindur se edhe në rast se do të jetë e vështirë për arsye të interesave të ngushta politike apo partiake, të lojërave të panevojshme taktike të ditës, rëndësia e këtij procesi, domosdoshmëria e realizimit të tij, do të na rrisë përgjegjshmërinë që për ato pak çështje që mund të mos ketë konsensus apo dakortësi, të kërkojmë ndihmën dhe vlerësimin edhe të partnerëve tanë ndërkombëtar, të cilat janë të interesuar për avancim e këtij procesi. Këtu kam parasysh faktin se edhe marrëveshja pozitë-opozitë e dhjetorit të vitit të kaluar u realizua përmes angazhimit konkret dhe tejet konstruktiv të dy eurodeputetëve të shquar, të dy grupeve kryesore të Parlamentit Europian, z.Kukan dhe z. Fleckenstein. Unë besoj se edhe për ato pak çështje për të cilat ka dallime, gjykime, vlerësime të ndryshme, ne do të kemi mundësi t’u kërkojmë partnerëve tanë një vlerësim, duke iu referuar edhe standardeve më solide euroatlantike në këtë drejtim. Pra eksitojnë të gjithë mundësitë dhe angazhimi për ta përmbyll me sukses këtë proces. Për sa i takon çështjes së procedurave, e sqarova edhe dje në parlament dhe e ritheksoj edhe një herë tjetër, se iniciative e Partisë Demokratike, duhet të kishte kaluar përmes komisioni bipartizan që drejtohet nga vetë PD. Megjithatë, PD insistoi për të ecur në mënyrë më të drejtpërdrejtë, duke shfrytëzuar hapësirat që krijon Rregullorja e Parlamentit, dhe aktualisht iniciativa e tyre është pjese e programit të punës së parlamentit. Unë nuk dua të ndërhyj në debatin se kush është nisma më e mirë, por është e qartë si drita e diellit, se të dyja këto nisma kanë një përputhshmëri mjaft të gjerë. Kanë disa diferenca, të cilat nuk mund të zbehin thelbin e vullnetit të dyja iniciativave dhe që nuk mendoj se mund të bëhen pengesë që ky proces të zgjatet pafund, apo që këto diferenca të shërbejnë si një pretekst për të mbajtur gjallë një temë, e cila nuk duhet të ekzistonte në politikën shqiptare dhe që i duhet dhënë fund menjëherë në një mënyrë gjithëpërfshirëse dhe konsensuale. 
Misioni i SHBA-ve në OSBE ka paraqitur një raport ku ngre shqetësimin se politika shqiptare influencohet nga krimi. A keni një koment për këtë konstatim?
Në radhë të parë unë do të përshëndesja edhe thirrjen e përfaqësuesit të SHBA-ve pranë OSBE-së për miratimin e Kodit të Etikës në Parlament. Është një dokument i realizuar me ekspertizën më të mirë edhe të OSBE-së dhe grupet parlamentare janë njohur dhe kanë dhënë kontributin e tyre prandaj duhet të miratohet sa më parë. Mendoj se është pjesë e këtij procesi që quhet dekriminalizim edhe një etikë e re në Kuvendin e Shqipërisë dhe në gjithë komunikimin publik, sepse për fat të keq gjuha e përdorur shpesh është në kundërshtim me parimet e këtij procesi. Ky është një mesazh shumë i rëndësishëm. Së dyti, është historikisht i njohur angazhimi i SHBA-ve për të mbështetur Shqipërinë në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Edhe angazhimi i SHBA-ve për të mbështetur fuqimisht vendin tonë për të realizuar reformën madhore në fushën e drejtësisë synon pikërisht këtë çështje. Pa SHBA-të, mbështetjen dhe garancinë e tyre Shqipëria nuk do të ishte anëtare e NATO-s. Është mese e kuptueshme dhe e nevojshme për të pasur kërkesa më të larta në këtë drejtim, sepse lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar forcojnë dhe rrisin parametrat e sigurisë, jo vetëm të Shqipërisë por të gjithë hapësirës euro-atlantike dhe padyshim që ne do të bashkëpunojmë shumë ngushtë me SHBA-të në këtë drejtim. Ne do të rrisim këtë bashkëpunim edhe kur na mbështesin, por veçanërisht kur na kritikojnë, sepse midis aleatësh, midis partnerësh punohet në këtë mënyrë, e cila duhet të jetë shumë bashkëpunuese. 
Z. Meta ka një debat sa i përket misionit jozyrtar të OSBE-së. Ju çfarë mendimi keni, a duhet OSBE të jetë prezentë më në Shqipëri?
Shqipëria është dhe do të vazhdojë të jetë një anëtare e përkushtuar e OSBE-së. Na takon të demonstrojmë të gjithë seriozitetin dhe angazhim për të respektuar ato principe mbi të cilat është e ndërtuar dhe funksionon organizata. Ne do të bashkëpunojmë me OSBE-në për të gjitha çështjet me interes reciprok dhe mirëpresim kontributin e saj në rritjen e parametrave të demokracisë dhe sigurisë në Shqipëri.
Sigal