Ilir Meta : Askush nuk e bllokon Reformën në Drejtësi por edhe askush nuk e ngatërron dot atë

437
Nisur nga deklaratat e bëra dje nga ambasadori i SHBA në Shqipëri, z. Donald Lu, për Prokurorin e Përgjithshëm, z. Adriatik Llalla, lidhur me listën e kandidatëve të përcjellë për t’u përfshirë në shortin për anëtarë të Këshillit të Përkohshëm të Emërimeve në Drejtësi, me kërkesën time, Sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit të Shqipërisë me shkresën nr. 462, datë 03.02.2017 ka kërkuar sqarime shtesë, për vlerësimin e kryer nga Prokuroria e Përgjithshme për plotësimin e kritereve dhe kushteve ligjore për këta kandidatë.Në përgjigje të kësaj shkrese zyrtare që kërkonte sqarime shtesë, Prokurori i Përgjithshëm ka kthyer përgjigje zyrtare me shkresën nr. 383/1, datë 03.02.2017. Sipas deklarimeve të djeshme të ambasadorit, z. Lu, Prokuroria e Përgjithshme ka dhunuar frymën e Kushtetutës duke përcjellë 3 kandidatë për 3 pozicionet në Këshillin e Përkohshëm të Emërimeve në Drejtësi. Gjithashtu, z. Lu është shprehur se Prokuroria e Përgjithshme i zgjodhi vetë 3 anëtarët në pozicionet e parashikuara për Prokurorinë, duke dërguar një listë vetëm me 3 emra, dhe të përzgjedhur pa transparencë. Sqarojmë se Kushtetuta, në pikën 3 të nenit 149/d, përcakton se Këshilli i Emërimeve në Drejtësi përbëhet nga 9 anëtarë, nga të cilët 1 anëtar zgjidhet nga prokurorët e Prokurorisë së Përgjithshme, dhe 2 anëtarë zgjidhen nga prokurorët e prokurorive pranë Gjykatave të Apelit. Në pikën 5 të këtij neni përcaktohet se “Kriteret e tjera për shkallën e kualifikimit të kandidatëve që marrin pjesë në short, parashikohen me ligj.” Ligji 115/2016 “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”, në pikën 1 të nenit 221, ka përcaktuar pikërisht kriteret e tjera shteruese për shkallën e kualifikimit të kandidatëve, në momentin që do të hidhet shorti për të zgjedhur anëtarët e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi. Ndër to theksojmë disa prej tyre si: ushtrimin e funksionit për të paktën 10 vjet; përfundimin nga magjistrati të ciklit të plotë katër ose pesëvjeçar të studimeve në drejtësi; përfundimin e Shkollës së Magjistraturës; vlerësimit të paktën “shumë mirë” në 2 vlerësimet e fundit etik dhe profesional etj. Në pikën 2 të po këtij neni përcaktohet se kandidatët që nuk plotësojnë një nga këto kushte përjashtohen nga shorti. Sipas shkresave nr. 157/2 datë 19.01.2017 dhe nr. 383/1, datë 03.02.2017 të Prokurorisë së Përgjithshme, rezulton se kandidatët e përcjellë plotësojnë kriteret dhe kushtet ligjore në mënyrë të plotë, ashtu siç ka vendosur ligjvënësi, pra Kuvendi i Shqipërisë, në ligjin 115/2016 “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”, të hartuar dhe me asistencën e partnerëve ndërkombëtarë, pra OPDAT dhe EURALIUS. Pra, sipas shkresave të mësipërme, për 1 vend në KED, plotëson kriteret dhe kushtet, përfshirë dhe Shkollën e Magjistraturës, vetëm një prokuror i Prokurorisë së Përgjithshme dhe për 2 vende, plotësojnë kriteret dhe kushtet, përfshirë dhe Shkollën e Magjistraturës, vetëm dy prokurorë të prokurorive pranë Gjykatave të Apelit. Lidhur me shqetësimin se Prokuroria e Përgjithshme me qëllim ka shmangur konkurrencën dhe transparencën në procesin e vlerësimit dhe më tej kandidimit të prokurorëve në sistem, me shkresën nr. 462, datë 03.02.2017 të Sekretarit të Përgjithshëm të Kuvendit, u kërkua informacion shtesë nëse janë kryer gjatë vitit 2016, lëvizje të qëllimshme për të shmangur konkurrencën dhe transparencën sipas ligjit. Sipas shkresës nr. 383/1, datë 03.02.2017 të Prokurorisë së Përgjithshme, në Prokurorinë e Përgjithshme nuk ka patur asnjëherë prokuror tjetër që të ketë përfunduar shkollën e Magjistraturës, pra që të plotësonte këtë kusht ligjor të vënë nga Kuvendi i Shqipërisë me asistencën e OPDAT dhe EURALIUS, si dhe në prokuroritë e Apeleve nuk ka patur asnjë prokuror tjetër që të plotësonte kriterin e sipërcituar të vendosur përsëri nga Kuvendi i Shqipërisë me asistencën e partnerëve ndërkombëtar të OPDAT dhe EURALIUS. Në këtë shkresë specifikohet se nuk ka patur asnjë rast të uljes në detyrë të prokurorëve që kanë mbaruar Shkollën e Magjistraturës dhe që kanë ushtruar funksionet pranë Prokurorisë së Përgjithshme dhe prokurorive pranë gjykatave të Apelit. Bazuar në informacionin e administruar në mënyrë shkresore, i cili menjëherë së bashku me deklaratën time, pra këto shkresa do të vendosen në faqen e Kuvendin, Prokuroria e Përgjithshme, rezulton sipas tyre, ka zbatuar korrekt dhe në mënyrë transparente Kushtetutën dhe ligjin e miratuar nga Parlamenti me asistencën e partnerëve ndërkombëtar OPDAT dhe EURALIUS. Në përfundim, sipas informacionit të përcjellë me shkresën nr. 383/1, datë 03.02.2017 të Prokurorisë së Përgjithshme, asnjë prokuror nuk është ankuar as në Prokurori, nuk është ankuar as në Kuvendin e Shqipërisë, si dhe as publikisht, lidhur me listën e kandidatëve të përcjellë nga ky institucion për Këshillin e Përkohshëm të Emërimeve në Drejtësi.
Pyetje nga gazetarët 
Pas deklaratës së Kryeparlamentarit Meta,gazetarët bënë disa pyetje të cilave Ilir Meta u dha këto përgjigje.
Z. Meta përtej kësaj procedure të cilët ju e sqaruat, e para institucionet e tjera, aktualisht në KED, a ka ndonjë anëtar që nuk e ka mbaruar shkollën e Magjistraturës, por është anëtar i këtij këshillit, flas për institucionet e tjera, Gjykata e Lartë dhe Gjykatat e Rretheve? Para se të hidhej shori për KED a keni patur korrespondencë me Ambasadorin amerikan duke pasur parasysh edhe shqetësimin e tij lidhur me zbatimin e reformës dhe ngritjen e institucioneve?
Sikurse ju jeni në dijeni, dhe cilido që nuk ka qenë i vëmendshëm, por mund të jetë i interesuar për shkak të një debati të lindur dje kryesisht, Kuvendi i Shqipërisë, por edhe mediat, disponojnë të regjistruar, të filmuar në mënyrë më transparente seancën e hedhjes së shortit, e cila u realizua në praninë tuaj, në praninë e misioneve ndërkombëtare që na asistojnë, të OPDAT dhe të EURALIUS, dhe të faktorëve të tjerë ndërkombëtar dhe përfaqësuesve të grupeve parlamentare si edhe të Avokatit të Popullit, i cili ka bërë tashmë raportin e tij. Nuk është detyra, madje nuk ishte Kuvendi institucioni i parë që do të merrte këtë iniciativë, por Kuvendi e mori këtë iniciativë, me qëllim që të fillojë sa më shpejt ngritja e institucioneve të reja të reformës në drejtësi, në vazhdim, të asaj arritje madhore dhe historike të 21-22 korrikut të miratimit të ndryshmeve Kushtetuese me konsensus në Kuvendin e Shqipërisë. Nuk është detyra e Kuvendit dhe në rastin konkret të hedhjes së shortit për të gjykuar mbi respektimin e kritereve nga institucionet e ndryshme kushtetuese për propozimet që janë bërë për në KED. Pra, as nga Prokuroria, as nga Gjykatat dhe nga KLD-ja. Por për hir të vazhdimit të kësaj reforme dhe krijimit të këtyre institucioneve, me transparencë maksimale, me përgjegjshmëri maksimale, është detyra jonë të kujdesemi për transparencë në mënyrë që opinioni publik, vendas dhe ndërkombëtar dhe të gjithë të interesuarit për të kandiduar në këto institucione, pra prokuror apo gjyqtar, apo përfaqësues të tjerë të shoqërisë civile, të ndjekin këtë proces në mënyrën me transparente dhe më të ndershme për të garantuar ngritjen e shëndetshme dhe të qëndrueshme të këtyre institucioneve të reja. Lidhur me çështjen e Prokurorisë, nuk është detyrë e Kuvendit përsëri të gjykojë, sepse Kuvendi nuk është gjykatë, por është detyra e Kuvendit të garantojë transparencë maksimale kur ka edhe paqartësi, kur ka edhe mungesë informacioni, sepse kjo është shumë e rëndësishme për të ardhmen e këtij procesi. Ndaj i kam kërkuar sot Sekretares së Përgjithshme, e cila është kujdesur për të gjithë këtë proces, që të kërkojmë në mënyrë zyrtare të dhëna shtesë nga Prokuroria për të garantuar transparencë maksimale. Që të jem pak më i qartë me ju, lidhur me këtë proces ka qenë e qartë se Prokuroria ka zbatuar ligjin që ka miratuar Kuvendi, ligjin i cili është miratuar me përkrahjen e OPDAT dhe EURALIUS. Sepse Prokuroria nuk është një institucion ligjbërës, ligjbërës është Kuvendi. Prokuroria është një institucion ligjzbatues dhe mund të bëjë një vlerësim që duket qartë nga shkresat, por secili mund të thellojë më tej transparencën e tij. Çdo gjë do të bëhet publike që Prokuroria ka zbatuar në mënyrë tepër korrekte ligjin e miratuar nga Kuvendi me miratimin gjithashtu dhe me përkrahjen, asistencën e OPDAT-it dhe EURALIUS, të cilët kanë qenë prezent në hedhjen e shortit. Natyrisht që pas disa pretendimeve për mungesë transparence nga ana e Prokurorisë edhe pse nuk ka pasur asnjë ankesë as në Prokurori, as në Kuvend, kur janë bërë lista menjëherë para hedhjes së shortit dhe as deri tani që po flasim bashkë nuk kemi dijeni që një prokuror të ketë ngritur pretendimin që është përjashtuar nga përfshirja në listë sipas ligjit për shkak të favorizimit të dikujt tjetër, Kuvendi dhe unë si Kryetar i Kuvendit, gjykuam të kërkojmë të dhëna shtesë, që do të thotë: mos vallë Prokuroria e Përgjithshme për të shmangur transparencën ka bërë lëvizje të qëllimshme për të larguar nga Prokuroria e përgjithshme kandidatë të tjerë që plotësonin kushte me qëllim favorizimin e një kandidati të vetëm apo mos vallë Prokuroria e Përgjithshme ka bërë lëvizje nga Prokuroritë e Apelit të kandidatëve të tjerë që mund t’i plotësonin kushtet me qëllim favorizimin apo mbetjen në këtë garë dhe në këtë short vetëm të dy kandidatëve që plotësonin kriteret sipas ligjit që ka bërë Kuvendi dhe jo Prokuroria? Kjo është arsye që është kërkuar ky informacion shtesë, për hir të transparencës në raport me opinion publik, në raport me të gjithë prokurorët që kanë qenë të interesuar dhe mbeten të interesuar, në raport edhe me partnerët tanë ndërkombëtarë. Dhe ky komunikim do të jetë menjëherë on-line në faqen e Kuvendit pas kësaj konference për shtyp dhe gjithashtu do t’i dërgohet të gjithë partnerëve tanë evropianë dhe amerikanë që na kanë mbështetur dhe që na mbështesin sinqerisht për të realizuar një transformim historik përmes krijimit të institucioneve në mënyrë transparente dhe sipas standardeve. 
Z. Meta, a keni pasur korrespondencë me Ambasadën e SHBA-ve lidhur me këtë çështje?
Për këtë çështje, mund t’ju them që marrëdhëniet institucionale kanë qenë dhe janë shumë të mira, edhe me ambasadën e SHBA-ve, dhe me misionin e OPDAT-it. Për këtë çështje misioni i OPDAT-it ka qenë prezent, siç ka qenë dhe misioni i EURALIUS-it dhe nuk kanë ngritur ndonjë pretendim zyrtar, as më përpara dhe as gjatë këtij procesi. Mund t’ju them se, lidhur me iniciativën e Prokurorit të Përgjithshëm për të nisur procedurat për garën për pozicionin e Zëvendësprokurorit të Përgjithshëm, që është një element i ri i shtuar sipas Reformës, ka pasur një kërkesë të partnerëve tanë, edhe amerikanë edhe evropianë, për ta rishikuar këtë iniciativë, pasi ata kishin një këndvështrim tjetër për këtë proces. Kjo i është kërkuar Prokurorit të Përgjithshëm, i është kërkuar edhe Kuvendit. Dhe Kuvendi, përmes Sekretares së Përgjithshme, që ka ndjekur këto procedura, ka komunikuar me Prokurorinë dhe Prokuroria është treguar tepër korrekte, duke ndërprerë këto procedura. Pra, në qoftë se do të kishim pasur një shqetësim zyrtar nga misioni i OPDAT-it, nga misioni i EURALIUS-it apo nga Ambasadat e SHBA dhe ambasadave të vendeve partnere të Bashkimit Evropian, padyshim që do ta kishim marrë në konsideratë, në përputhje gjithmonë me Kushtetutën edhe me ligjin.
Z. Meta ju sqaruat korrespondencën tuaj me Prokurorinë për procedurat e plotësimit të vendeve në Këshillin e Emërimeve por, pak më herët gjatë ditës së sotme patët një takim me Kryeprokurorin në zyrën tuaj dhe duke ditur që kjo nuk është akuza e vetme që ambasadori amerikan i bëri Kryeprokurorit pasi dhe tentativa për sekuestrimin e serverit të ILDKPI-së gjithashtu u vu në shënjestër nga ambasadori amerikan. Keni kërkuar sqarime nga Kryeprokurori për të bërë transparente edhe këto çështje? Ambasadori Lu foli dhe për një skenar ku politikanë të korruptuar do mundohen të vjedhin zgjedhjet. Jeni në dijeni të kësaj situate?
Nuk jam këtu për t’u marrë me komente, me konsiderata, me akuza, me lavdërime. Absolutisht, unë jam këtu në cilësinë time vetëm si Kryetar i Kuvendit për të thelluar transparencën për cilindo që nuk ka informacionin e duhur. Nuk jam këtu as për të interpretuar frymën e Kushtetutës, sepse frymën e Kushtetutës nuk ka të drejtë ta interpretojë as Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, as Prokurori i Përgjithshëm, as Presidenti i Republikës dhe askush tjetër. Frymën e Kushtetutës në Shqipëri e interpreton vetëm Gjykata Kushtetuese. 
Jam këtu për t’u bërë thirrje të gjithëve për përgjegjshmëri, për transparencë, për të mos u përfshirë në axhenda jotransparente dhe në konflikte, të cilat nuk e ndihmojnë as Reformën në Drejtësi dhe as partneritetin tonë me gjithë vendet partnere dhe këtë do ta bëjë me nerva të çelikta pa u ndalur, sepse jemi angazhuar për ta çuar deri në fund Reformën në Drejtësi, e cila ka vetëm një pronar, që është populli shqiptar.
Megjithatë, a rrezikohet reforma në drejtësi nga konflikti publik mes Ambasadorit Lu dhe Prokurorit të Përgjithshëm? Dhe a mendoni se sistemi i drejtësisë është vënë nën presion nga ambasadorët? I referohem këtu deklaratës së Prokurorit të përgjithshëm për çështjen e vizave…
Nuk jam këtu për të komentuar deklaratat dhe kundërdeklaratat. Jam këtu dhe do të jem gjithmonë për të ndihmuar transparencën e procesit dhe ky do të jetë një proces që do të vazhdojë. Dhe ky është një proces që do të monitorohet nga populli shqiptar, nga institucionet ndërkombëtare, nga të gjithë partnerët tanë që janë të interesuar për stabilitetin e Shqipërisë, se ju e kuptoni që stabiliteti i Shqipërisë bëhet gjithnjë e më i rëndësishëm, jo vetëm për shkak të zhvillimeve në vendet fqinje, ku Shqipëria duhet të forcojë rolin e saj stabilizues. Por, gjithashtu ju e dini që edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë shumë të interesuara për ta forcuar stabilitetin e Shqipërisë dhe të këtij rajoni, se kanë boll telashe të tjera në shumë rajone të tjera. Dhe ne do të vazhdojmë të bashkëpunojmë ngushtë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në Tiranë dhe në Uashington, me gjithë ato institucione që janë të interesuara që kjo të jetë një reformë e suksesshme dhe që Shqipëria të jetë një vend i suksesshëm, anëtar i NATO-s, shembull i sundimit të ligjit.
Sot u mblodh Këshilli i Sigurisë Kombëtare me kërkesën tuaj z. Meta. A i përmbushi pritshmëritë kjo mbledhje dhe a morët informacionet e nevojshme për mosarrestimin e Klement Balili?
Dua të falënderoj Presidentin e Republikës, i cili mori në konsideratë kërkesën time si anëtar i Këshillit të Sigurisë Kombëtare dhe ka qenë një mbledhje shumë konstruktive, shumë bashkëpunuese, shumë e përgjegjshme, shumë serioze, nga mbledhjet më bashkëpunuese dhe më të përgjegjshme që unë kam asistuar në Këshillin e Sigurisë Kombëtare. Nuk më takon mua të flas për konkluzionet apo për përmbajtjen, sepse nuk e kam drejtuar unë mbledhjen.
I përmbushi pritshmëritë që kishit?
Pritshmëria që kemi është arrestimi i Klement Balilit, por kjo natyrisht që kjo nuk është një çështje që mund të zgjidhet këtu. Kjo është një çështje që jam i bindur, me një koordinim më të mirë, do ta realizojnë agjencitë tona ligjzbatuese, në bashkëpunim edhe me ato të vendeve partnere.
Z. Meta, gjithsesi, kur një kryetar i një institucioni shumë të rëndësishëm si z. Llala thotë që prej kohësh kemi qenë të shantazhuar në punën tonë, a ka një qëndrim kryetari i Kuvendit për këtë çështje, se institucioni i akuzës po punon nën shantazh? A jeni informuar më parë për këto problem? Nga ana tjetër, si e gjykoni deklaratën e ambasadorit amerikan Donlad Lu se prej 18 muajsh Prokuroria ka tentuar të bllokojë reformën në drejtësi?
Askush nuk e bllokon Reformën në Drejtësi dhe askush nuk e ngatërron atë. Prandaj jemi këtu për të zhvilluar transparencë maksimale. Në fillim të viteve ‘90, dhe do ta mbyll këtu, meqenëse e nisa me Dritëro Agollin, në disa vite të vështira të Shqipërisë kur unë isha shumë i ri dhe rrija në rresht të parë më Dritëro Agollin në Kuvend, që edhe të mësoja sa më shumë, ai shkroi me dorën e tij, dhe unë isha pranë tij, disa vargje shumë interesante që janë aktuale edhe sot: “Në vendin tim dhe në vendin tënd, një kokë e çmendur të gjithë i çmend.”
Kush ishte dhe kush është ky person z. Meta?
Nuk thashë se kush ishte dhe se kush është. Por, dua të them, se kemi nevojë në këtë vend për stabilitetit, kemi nevojë për bashkëpunim midis institucioneve për të krijuar një kulturë të re të bashkëpunimit për zbatimin e ligjit. Dhe njëkohësisht i ftoj të gjithë partnerët tanë ndërkombëtarë që të jenë një model për ne se si të respektohen institucionet, se si punohet në mënyrë transparente dhe kjo do të na ndihmojë të gjithëve për të realizuar atë reformë madhore që presim të gjithë, Reformën e Drejtësisë. Ne do të kemi përsëri raste për të zhvilluar transparencë. Shkresat do të bëhen menjëherë publike në faqen e Kuvendit dhe njëkohësisht do të informojmë gjithë partnerët tanë që na ndihmojnë në mënyrë që të sqarohen të gjithë sa më shumë të jetë e mundur dhe që reforma përmes bashkëpunimit të të gjithë institucioneve dhe të bashkëpunimit transparent edhe me partnerët të ecë përpara pa u ndalur. Faleminderit!
Sigal