Ilir Meta-Al Nahyan: Shqipëria, portë hyrëse për investimet emiratase

432
Sigal

Forcimi i marrëdhënieve do të intensifikojë kontaktet dhe do thellojë bashkëpunimin ekonomik

Kryetari i Kuvendit z.Ilir Meta gjatë një vizite dje Ministrin e Punëve të Jashtme të Emirateve të Bashkuara Arabe, Abdullah bin Zayed Al Nahyan, vlerësoj marrëdhëniet e shkëlqyera politike mes dy vendeve dhe diskutoi mbi mundësitë e thellimit të bashkëpunimit. z.Meta bëri një vlerësim të veçantë për firmosjen e tre marrëveshjeve të rëndësishme bashkëpunimi mes Shqipërisë dhe Emirateve të Bashkuara Arabe dhe shprehu bindjen se, vizita e Ministrit në Tiranë, do të kontribuojë në intensifikimin konkret dhe më të shpejtë të marrëdhënieve dypalëshe. Dy zyrtarët, ndanë bindjen se, forcimi i marrëdhënieve ndërparlamentare mes dy vendeve do t’i shërbejë intensifikimit të kontakteve mes dy vendeve dhe thellimit të bashkëpunimit ekonomik. Në këtë kuadër, z. Meta konfirmoi krijimin e Grupit Parlamentar të Miqësisë Shqipëri-Emirate të Bashkuara Arabe në Kuvendin e Shqipërisë, i cili do të drejtohet nga deputeti Oerd Bylykbashi dhe ka në përbërje 21 deputetë nga të gjitha partitë politike. Ministri Abdullah bin Zayed Al Nahyan u shpreh se, Emiratet e Bashkuara Arabe e vlerësojnë miqësinë me Shqipërinë dhe rolin e saj në Ballkan, duke nënvizuar njëkohësisht vullnetin e palës emiratase, për inkurajimin e investimeve konkrete dhe projekteve zhvillimore për Shqipërinë dhe vendet e saj fqinje. Duke shprehur mirënjohjen për kontributin pozitiv të EBA në Evropën Juglindore, veçanërisht ndaj Kosovës, z. Meta theksoi se, Shqipëria si faktor stabiliteti dhe zhvillimi në, Ballkan mund të shërbejë si portë hyrëse për investimet emiratase, veçanërisht në fushat e energjisë, transportit, bujqësisë dhe turizmit.