Ilir Meta: 1 milion vota për LSI, Edi Rama të mos shpresojë tek PD-ja e Lulit, policia larg kërcënimeve dhe kutive të votimit

655
“Lumi i gjatë i qytetarëve të Beratit në mitingun përmbyllës të LSI në këtë qark, dëshmojnë se fitorja është e sigurt. Mashtrimet e një kryeministri të paaftë morën fund” 
Nga Berati teksa mbajti fjalën përmbyllëse të fushatës në këtë qark, mes një lumi të madh përkrahësish, kreu i Kuvendit Ilir Meta dha mesazhe të forta për kryeministrin aktual, policinë dhe qytetarët. I bindur se në Berat, LSI do të jetë forcë e parë duke mposhtur sipas tij Partinë tradicionale PS-në, Ilir Meta i dha një mesazh të fort Edi Ramës. I kujtoi të mos mbante shpresë tek Lulzim Basha. Në pak fjalë meta e deklaroi të humbur kryeministrin Edi Rama. Pjesën më të madhe të fjalës ia dedikoi të rinjve. LSI, tha ai do të punojë për të hapur 170 mijë vende të reja pune për të rinjtë dhe qytetarët e tjerë të vendit. “Kot i mban shpresat te bluja kryetari i mavisë, qoftë te Lulushi, qoftë tek uniformat blu të Policisë. Nuk i bën derman as marrëveshja e errësirës me Lulushin dhe as përdorimi i paligjshëm i Policisë, të cilës ai i bëri thirrje përpara disa ditësh në Kuçovë, i tmerruar nga një fakt, që Berati është dhe do të jetë i kuq, është dhe do të jetë me LSI-në”, deklaroi Ilir Meta. Duke iu drejtuar Edi Ramës si lideri i mavisë, Ilir Meta tha të mos mbante asnjë shpresë tek populli i Beratit, sepse sipas tij ai do të jetë i kuq. “Cirku mbaroi, sepse Berati ka halle, Berati ka probleme, Berati ka të rinj që janë pa punë, që duan shpresë, që duan perspektivë, që nuk duan të mbushin më lotaritë amerikane dhe kanadeze. Që nuk duan të ikin dhe të mbledhin ullinjtë e botës. Prandaj, do të votojnë për planin tonë për të hapur 170 mijë vende të reja pune, 100 mijë vetëm për të rinjtë dhe të rejat”, tha Meta.

Taksat jo për rrush e palma
Ilir Meta e akuzoi Edi Ramën se përdori taksat e shqiptarëve për rrush e për palma. Sipas tij, LSI do punojë për t’i çuar taksat në sektorët më prioritarë që gjenerojnë hapje të vendeve të reja të punës dhe rritje të prodhimit kombëtar. “Gjatë këtyre katër viteve ne pamë jo se si bëhet shteti, por pamë se si bëhet qameti, se si përdoret Policia, presioni, shantazhi, dhuna, burgosja ndaj të vobektëve, të cilët nuk kanë paguar dritat. Por, nga ana tjetër, kemi parë se si bëhen akte ligjore dhe nënligjore që oligarkët të fshijnë malet e borxheve që kanë ndaj OSHEE-së dhe ndaj Tatimeve. Ne pamë se si në katër vjet hendeku social dhe padrejtësia sociale është shtuar në këtë vend”, deklaroi Meta. Duke parë këtë gjendje, tha Meta e kemi më mirë të shkarkojmë kryetarin e Rilindjes sesa të largohen të rinjtë dhe të rejat nga vendi. “Unë kam besim se në 25 qershor të gjithë socialistët do ta injorojnë Ramën”, tha ai. Gjatë fjalës së tij Meta iu referua edhe mediave Italiane të cilat kishin shkruajtur se LSI është gati për të drejtuar vendin. Duke marr shkak nga kjo, kreu i Kuvendit iu drejtua qytetarëve me fjalët se e shihte fitoren në sytë e tyre. “Fitoren e shoh kudo në optimizmin dhe në fytyrat tuaja, ashtu siç e shoh në panikun e atyre të cilët të trembur nga vullneti i lirë i popullit shqiptar, përpiqen t’i frikësojnë në mënyrat më të turpshme të cilat Berati i ka flakur në Osum që në kohën e Gazidedes”, deklaroi Meta. “Ne nuk i ndërrojmë deputet tanë siç i ndërrojnë të tjerët çdo katër vjet. Pse i ndërrojnë nga një qark në tjetrin? Sepse gënjejnë, sepse mashtrojnë, sepse nuk i mbajnë premtimet dhe duan që ju të gënjeheni përsëri duke ju sjellë të tjerë të cilët katër vjet më parë kanë gënjyer në qarqet e tjera të Shqipërisë. Sepse thelbi i Rilindjes është vetëm gënjeshtra, mashtrimi, pabesia dhe mosmbajtja e premtimeve. Ne jemi krenarë për deputetet dhe deputetët tanë, unë nuk kam nevojë t’ua prezantoj sepse ju i njihni. Ata janë të gjithë “BIO”, nuk janë “OMGJ”. Tani kam një lutje, nuk dua të dëgjoj më që do marrim tre apo katër deputetë. Ne do të marrim 5 deputetë dhe Tomit e Xherrit do t’u lëmë vetëm ndonjë deputet sa për shenjë. Se ne jemi socialistë, por ne jemi edhe demokratë, ne e duam pluralizmin. I bëj thirrje Policisë së Shtetit, i bëj thirrje drejtorit të policisë në Berat dhe të gjithë atyre që kanë ardhur me ide dhe me porosi se do të shkrijnë LSI-në. Thirrini mendjes dhe mos merrni porosi nga një njeri të cilin jo vetëm policia por edhe mjekësia nuk i bën dot derman. Nuk do të ketë asnjë amnisti asnjë keqardhje asnjë mëshirë për çdo drejtues policie dhe për çdo bandit që do të guxojë t’i bëjë presion qytetarëve të Beratit dhe të Shqipërisë për votën e lirë”, përfundoi fjalën e tij Ilir Meta.
Sigal