Ilir Kulla: Statusi i kishës ortodokse nuk është ai i PS dhe PD!

586
Ish-kreu i Komitetit te Kulteve, Ilir Kulla, në disa pyetje për citynews.al, komenton qëndrimet dhe debatet e fundit në lidhje me ndërhyrjen në Kishën e Shën Athanasit në Dhërmi. Ai thekson se çështja në fillim ishte një ndërhyrje e reklamuar si ndërtim pa leje, më pas u kthye si pjesë e një konflikti ndër shekullor. Kulla e shikon kreun e qeverisë, Edi Rama, në mënyrë ironike, tek pozicioni i një individi që ndoshta po tenton të bëhet një Fan. S. Noli i dytë. Për Kullën, kryeministri Rama do ishte një kombinim i mirë i artistit, politikanit dhe klerikut. Kulla është i qartë në qëndrimin e tij duke theksuar se statusi i Kishës, nuk është ai PS, PD apo LSI dhe marrëdhëniet me komunitetet fetare janë mjaft komplekse. Më tej, ai shprehet se kur lidershipi politiko ateist i një vendi ballkanik përdor besimin fetar për arsye politike sjell vetëm trazira dhe jo stabilitet, në mos fatkeqësi, përgjigjet Ilir Kulla.
Zoti Kulla, si ish-Kryetar i Komitetit të Kulteve, si e gjykoni hapin e qeverisë për të ndërhyrë në Kishën e Shën Athanasit në Dhërmi, fillimisht si ndërtim pa leje e më pas duke pretenduar për histori të zonës?
Në të vërtetë humori i kësaj çështje është tipik ballkanik, pasi zyrtarisht lindi si një ndërhyrje e INUV lokal e pastaj na u kthye në një konflikt ndërshekullor, mes kishës së lindjes dhe asaj të perëndimit, në një konflikt mes theodhosianëve dhe uniatëve që na çon shumë shekuj më parë në një kohë të largët ku nuk egzistonte as Shqipëria e as Greqia, as Perandoria osmane dhe i pararend edhe revolucionit luterian në Europë kështu që të gjësh ku është e vërteta në gjithë këtë hapësirë është shumë e vështirë e aq më tepër në temperaturat e nxehta të gushtit
Kryeministri sot ka shkruar se do Rilindë edhe Kishën, komenti juaj?
Qenka lajm, nuk e kam lexuar po nëse është kështu do të thotë që pas politikës ka ndërmend ti hyjë karrierës kishtare. Ne kemi patur një rast në histori ku një udhëheqës fetar, dmth Theofan Noli u bë Kryeminister, ndoshta një shekull më vonë do bëhet kryeministri udhëheqës fetar. Ndoshta do të ishte kombinim i mirë artist, politikan dhe klerik.
Qëndrimi i qeverisë dhe zotit Rama po sjell një përplasje të fortë me Kishën dhe komunitetin orthodhoks cilat mendoni se mund të jenë pasojat?
Është e rëndësishme të thuhet se marrëdhëniet me bashkësitë fetare nuk janë aq të lehta. Ato rregullohen me 2 nene të Kushtetutës, neni 10 dhe 24 si dhe disa ligje të posaçme. Është gjithashtu e rëndësishme të thuhet se këto marëdhënie postpluralizmit ateist janë ndërtuar në kushte mirëbesimi dhe asistence ndërkombëtare nga Komisioni i Venecias e deri të gjitha kancelaritë e rëndësishme të botës. Marëdhëniet me bashkësitë fetare dhe shtetit nuk janë si marëdhëniet mes LSI dhe PS dhe kanonet e kishave nuk janë si Kushtetuta e ndryshuar brenda natës në vitin 2008 mes Ramës dhe Berishës. Besimtarët ortodoksë janë shqiptarë statuti i kishës nuk është si statuti i PS ku kongresi mblidhet kur ti teket kryetarit të PD apo të PS. Këto janë marëdhënie komplekse dhe duhet shumë kujdes.
A duhet të ndërhyjë shteti, dhe të krijoje të tilla problematika te panevojshme fetare kur Shqiperia ka qindra plagë dhe probleme akute?
Patjetër shteti duhet të ndërhyjë e të jetë prezent në problematika të tilla po kjo ndërhyrje bëhet me dialog, me mirëkuptim dhe jo me represion kërcënime apo gjuhë jo etike.
Një koment i juaji personal, pa pyetje në lidhje me këtë situatë cili do ishte?
Komenti im personal është që shpresoj që të jetë një ngjarje vere si ato të Gossip që vijnë çdo vere nga bregu. Eksperienca e ish-Jugosllavisë ka treguar që kur lidershipi politiko ateist i një vendi ballkanik përdor besimin fetar për arsye politike të një rrafshi tjetër atehere ndjell dhe sjell vetëm trazira dhe jo stabilitet në mos fatkeqësi.