Ilir Kulla: Reformat (e qeverisë), nuk bëhen me aksione

636
Sigal

*analist

Analisti Ilir Kulla, në intervistën për gazetën “Telegraf” skanon aktualitetin politik, duke filluar nga pohimi i tij se maxhoranca e majtë nuk ka shumë hapësirë që të zbatojë politika sociale të majta, për shkak të situatave ekonomike që jetojmë. Qeverisja e sotme, sipas analistit Kulla, bazohet te emri i kryeministrit dhe te aksioni i tij politik që është shumë i personalizuar. Ndërsa aksionet ligjore të shtetit që të kultivojë te shqiptarët edukatën e respektimit të ligjit, thotë Kulla, i ngjajnë revolucionit kulturor kinez. Sa mund të kemi një drejtësi të japë drejtësi, zoti Kulla është skeptik, pasi thotë se: “Vetë drejtësia është e prodhuar nga politika”, ndërsa edhe kjo maxhorancë është kopje e (keqe) e maxhorancës së shkuar në marrëdhëniet e raportet e saj me opozitën. Zoti Kulla shpreh mendimin se te PD-ja nuk ka ndodhur asnjë reformim pas PostBerishës, dhe kjo  është “Një nga arsyet pse vendi shkon keq, është edhe se opozita është e dobët”. Parashikimi i analistit Ilir Kulla, është që pas zgjedhjeve  vendore, (ndoshta) do të kemi krizë kushtetuese dhe  do të shtrohet më shumë domosdoshmëria për ndryshime kushtetuese.

 –Zoti Kulla, sa e majtë tregohet kjo maxhorancë në qeverisjen e saj në politikat sociale që zbaton?

– Aq sa ja lejon koha e krizës, jetojmë në ekonominë e tregut, situata ekonomike është e keqe dhe nuk ka shumë hapësirë për t’u treguar shumë e majtë.

–  Veçantia e kabinetit të Ramës, fillimisht u cilësuan emrat e rinj që ai afroi. A e kanë justifikuar besimin që morën emrat e rinj të ekipit qeverisës të Ramës apo janë  ende në hije të kryeministrit?

Është një qeverisje që ka emra interesante në të, por Kabineti dhe qeverisja bazohet tek emri i kryeministrit dhe tek aksioni i tij politik dhe është shumë i personalizuar.

– A mund të kultivohet kultura e respektimit të ligjit nga qeveria, me masat administrative që ndërmerr ndaj nëpunësve të administratës publike, duke i zbuar ata nga puna, meqë janë debitorë në  OSHEE, e jo për mospagim taksash, apo për fshehje të pasurive?

Kultura dhe edukimi nuk kultivohen me aksione politike, mjafton të kujtojmë historinë e aksionit të lojërave të fatit. Kështu siç po bëhet, ngjan më shumë revolucionin kulturor kinez.

– A shikoni ju tejkalim kompetencash ligjore të INUK, i cili prish ndërtime (me apo pa leje), kur gjykatat ende nuk kanë dhënë vendimin e formës së prerë?

– INUK-u apo çdo institucion tjetër nuk mund të mbivendoset mbi gjykatat edhe nëse funksionon ajo, funksion vetëm për një kohë të shkurtër, në kohë të gjatë kthehet kontraproduktiv dhe fenomen korruptues.

– Pra, a e justifikon qeverinë, kur ajo, me vendimet e saj, shkel kuadrin ligjor për të imponuar politika që mund të kenë qëllimin e mirë, por mënyra sesi kërkohen të zbatohen, atakon ligjin?

– Çdo aksion politik që kalon kuadrin ligjor, dëmton besueshmërinë e qeverisjes së një vendi, cilado qoftë ajo.

– Sipas jush, kjo maxhorancë, edhe pse ka 84 vota, përse zvarrit reformat e mëdha dhe të rëndësishme, për të cilat edhe është zotuar në elektorat?

– Reformat nuk janë çështje numrash, janë çështje fryme dhe filozofie dhe mbi të gjitha kërkojnë të përshtaten me realitetin e vendit dhe duhet të prodhojnë paqe sociale dhe mirëqenie.

Nëse drejtësia nuk do të çojë para gjyqit zyrtarët e lartë që kanë korruptuar, a mund të behët e besueshme dhe të ketë rezultat reforma në drejtësi e gjyqësor, vetëm me ndryshime në legjislacion?

– Vetë drejtësia është e prodhuar nga politika. Është një cirkus vicioz, ndaj reformat duhen të jenë dy palëshe, që politika të imponohet ndaj institucioneve, që ato të jenë vërtetë ligjzbatuese, ndryshe janë vetëm xhiro bosh rreth vetes.

– Ju shikoni një sjellje të ndryshme te kjo maxhorancë në marrëdhëniet dhe raportet e saj me opozitën?

– Jo, është e njëjta frymë që ekzistonte edhe kur maxhoranca ishte opozitë dhe anasjelltas. Është çështje filozofie qeverisëse dhe kulturë demokratike, e cila mungon tek ne.

– Cili është opinion juaj për PD-në PostBerishiane? A u krye reformimi i saj me përfundimin e zgjedhjeve partiake që PD-ja, kësisoj, të bëhet protagonist për t’u rikthyer në pushtet?

– Dy njerëz me ngjyrë, që radhën e parë kanë bërë një fëmijë me ngjyrë, edhe radhën e dytë sërish fëmijë më ngjyre do bëjnë, thotë një miku im, ish kryeministër. Kështu që nuk pres ndonjë ndryshim të madh nga PD-ja. Një nga arsyet pse vendi shkon keq, është edhe se opozita është e dobët.

– A mund të ndërtohet ndonjëherë në Shqipëri “Shteti i së Drejtës”, kur çdo maxhorancë, në emër të reformave të thella që pretendon, kërkon të gremisë çdo gjë që është ndërtuar nga maxhoranca e kaluar, për të ndërtuar ngrehinën e saj që nga themelet?

– Herët a vonë do ndodhë, por do kalojnë shumë vite dhe ne do jemi pensionistë atëherë.

Mendoni se dekriminalizimi i Parlamentit (por edhe i politikës) do të bëhet me komisione parlamentare?

– Dekriminalizimi nuk është çështje administrative, është politike. Përsa kohë nuk ka vullnet politik, nuk do të ndodhë. Nëse do të kishte vullnet, do të ndryshonte ligji zgjedhor dhe nga aty do të fillonte dekriminalizimi.

– Momenti politik që kalojmë a na detyron që të pyesim nëse kemi krizë kushtetuese, që të shtrojë domosdoshmërinë për ndryshime kushtetuese?

– Parashikoj që kjo krizë do të ndodhë pas zgjedhjeve vendore, deri atëherë, jo.

– Mund të më jepni një skicim tuajin për Edi Ramën?

– Shumë i talentuar, shumë vetanak dhe shumë ambicioz, por shumë konfliktual dhe arrogant.

–    Për Ilir Metën?

– Politikani më i pjekur i momentit, i rrahur me vaj dhe uthull.

–  Për Lulzim Bashën?

 – E kanë bërë komandant ushtrie me gradën kapiten. I duhet ende shumë për t’u bërë gjeneral.

–   Për presidentin Nishani?

– Njeri i urtë, institucional dhe i ekuilibruar, në lartësinë e institucionit që i takon.

–  Për Sali Berishën?

 – Është pjesa më e rëndësishme e historisë 25 vjeçare postkomuniste të Shqipërisë. Shumë energjik dhe punëtor, por gjithashtu shumë konfliktual.

– Faleminderit!

Jakup B. GJOÇA