Ilir Kulla: Propozimi grek për përjashtimin e Çamëve nga politika, jo realist dhe qesharak

407
Ilir Kulla, ish Këshillar i Presidentit dhe analist i marrëdhënieve diplomatike në intervistën për gazetën “Telegraf”, pohon se çdo propozim i çdo pale për të lëvizur ujrat e ndenjura të diplomacisë është i mirëpritur, dhe kur ka vullnet të mirë, gjithmonë ka edhe moment të mirë. Zoti Kulla thotë se qeveria jonë duhet të jetë e hapur në këto bisedime, në çdo kohë dhe pa kushte, mjafton që të respektohet Kushtetuta e Shqipërisë, të ketë edhe transparencë. Ndërsa kushti i palës greke, që të përjashtohet partia Çame nga politika, është jo vetëm jo realist, por edhe qesharak. 
-Zoti Kulla, cila është përshtypja juaj për 7 propozimet e qeverisë greke që i ka parashtruar qeverisë shqiptare, për t’u dhënë një hop të ri marrëdhënieve dypalëshë?
– Në Diplomaci çdo propozim i mëtutjeshëm për të kërkuar që palët të lëvizin ujrat e ndënjura te diplomacisë është i mirëpritur. Natyrisht zakonisht bisedimet dhe propozimet bëhen mbi baza realiste dhe këtu duhet parë sesa realiste janë propozimet në fjalë.

A është moment i duhur politik, sidomos për Greqinë që të diskutohet kjo paketë propozimesh ndërmjet dy vendeve tona? 
-Kur ka vullnet të mirë ka gjithnjë edhe moment të mirë. Natyrisht Greqia është një vend shumë i rëndësishëm për Shqipërinë, prej 25 vitesh qindra mijra shqiptarë punojnë, shkollohen, jetojnë në Greqi. Greqia është partner tregëtar shumë i rëndësishëm për Shqipërinë është gjithashtu partner sigurie si vend anëtar i NATO dhe vend fqinj shumë i rëndësishëm gjithashtu vend i BE dhe me një kulturë shumë të lashtë dhe të rëndësishme. Urojmë që momenti i vështirë ekonomik të kalojë një Greqi e shëndetshme ekonomikisht i shërben dhe Shqipërisë.
-A mendoni se kriza greke, me pasojat që mund të ketë, mund të ndikojë edhe në ecurinë e marrëdhënieve midis Greqisë dhe Shqipërisë?
– Kriza greke është pasqyrë e krizës globale, madje në një lloj kuptimi edhe pasojë e saj. Kurajo politike, me të cilën Tsipras përballet në këto ditë dramatike të shton respektin për grekët dhe klasën e tyre politike. Natyrisht, dalja nga Eurozona do të kishte efekte pa kthim në ekonominë rajonale dhe ato greke, por ama do të ishte një fillim i ri. Në momente të caktuara duhet zgjedhur mes një tmerri pa fund apo fundi të tmerrshëm. Le të shpresojmë për më të mirën për të dyja palët. Në një formë, ose tjetrën, edhe fatet e Shqipërisë janë të lidhura me ato të Greqisë.
– Së pari, qeveria greke, i kërkon, ose kushtëzon qeverisë shqiptare, që të mos bashkëpunojë e të përfshijë në qeveri partinë Came. Ju si e konsideroni këtë kusht? 
– Mendoj që propozimi i përjashtimit të komunitetit Çam nga politika në Shqipëri është jo vetëm jorealist, por edhe qesharak. Çamët janë shqiptarë, kanë një parti të tipit modern dhe të rikonfirmuar nga elektorati dhe jo vetëm nga elektorati i komunitetit Çam. Ligji i Luftës është i tejkaluar nga vetë historia dhe çështja e kufinjve detarë duhet të zgjidhet me marrëveshje dhe në respekt të legjislacioneve kombëtare në Shqipëri dhe Greqi në përshtatje me konventat ndërkombëtare, apo marrëveshjet e këtij lloji.
– Cila është më e rëndësishme për diplomacinë shqiptare dhe marrëdhëniet dypalëshe në këtë dilemë që shtrojnë grekët ndaj qeverisë shqiptare?
– Qeveria shqiptare duhet të jetë e hapur për bisedime në çdo kohë dhe pa kushte, mjafton të respektohet Kushtetuta shqiptare, të ketë trasparencë dhe bisedimet të kenë frymë europiane.
– Qeveria greke, ditët e fundit po ndryshon edhe kursin e diplomacisë ndaj Maqedonisë, duke mbështetur Gruevskin. Ju si e shpjegoni këtë qëndrim të Greqisë?
– Mendoj se qeveria greke dhe qeveria e Maqedonisë herët a vonë do të duhet të gjejnë rrugëdalje për çështjen e emrit. Nuk mund të vazhdojnë në konflikt pa fund. Kjo do t’i hapte rrugë anëtarësimit të Maqedonisë në NATO. Le të shpresojmë që kjo të ndodhë dhe sa më shpejt.
7 propozimet e palës greke për qeverinë shqiptare: 
1. Korrigjimi i skicimit të hartës për marrëveshjen e Detit, i nënshkruar në vitin 2009 nga qeveria “Berisha”
2. Diskutimi për heqjen e ligjit të Luftës me Shqipërinë e miratuar nga Greqia në 1987-n
3. Respektimi i të drejtave të minoritetit grek në Shqipëri
4. Ndërtimi i 3 varrezave për të rënët në Shqipëri
5. Njohja e Kosovës nga Greqia
6. Kërkesa që partia çame PDIU të largohet nga qeveria, pasi konsiderohet si një forcë nacionaliste që pengon raportet dypalëshe
7. Mbështetje për integrimin europian të Shqipërisë.
Sigal