Ilir Kulla: Ballkani i uritur, qeveritarët e korruptuar dhe lëmoshat e Bashkimit Europian

518
Samiti i Vjenës, i mirëpritur nga vendet ballkanike që shpresojnë të integrohen në BE, u reduktua në një komunikatë bashkëpunimi të rinisë dhe studentëve, ndërkohë që Merkel u bëri të qartë ballkanasve, se askush nga azilantët e tyre nuk do të përfitojnë në asnjë vend europian. Ilir Kulla, ish këshilltari i Presidentit për çështjet e Sigurisë dhe njohës i marrëdhënieve ndërkombëtare, në intervistën për gazetën “Telegraf” pohon se të tilla samite Merkel i përdor për t’u konfirmuar si lidershipi i BE. Ndërsa për integrimin e vendeve ballkanike në BE, Ilir Kulla, me dozë ironie shton se si mund të integrohen në BE qytetarët e Kosovës e të Maqedonisë, kur janë më të varfërit?! Ndaj, sipas zotit Kulla, problemi i Ballkanit nuk zgjidhet me lëmoshat e Merkelit. Ndaj, thotë zoti Kulla për gazetën “Telegraf” nuk mund të flitet për standartet demokratike në vendet e Ballkanit, të cilat rrezikohen nga uria. Në antitezë me deklaratat e Ramës, zoti Kulla thotë se “Ballkani nuk ka rrezik nga gjakderdhja. Atë e shtirin klikat e korruptuara dhe të kriminalizuara, për të ruajtur pushtetet e tyre të zhytura në korrupsion dhe krim”. Në fund, zoti Kulla, pyetjes nëse ka të drejtë Rama, kur iu drejtua BE, se “shqiptarët nuk mund të presin pambarimisht të jenë kandidatë”, përgjigjet ironikisht, mbase Rama kërkon të …ndryshojë aleatët strategjikë. 

-Zoti Kulla, përse duhet të mbahet mend Samiti i Vjenës nga vendet ballkanike?

– Sepse e do dhe e kërkon zonja Merkel për të konfirmuar lidershipin e saj europian dhe sepse me tërheqjen e SHBA nga Ballkani ja kërkojnë ta bëjë. Paradoks, shekullin e shkuar u deshën 2 Luftra Botërore për të mos e lejuar Gjermaninë të bëjë atë që po bën sot në Ballkan.

– Përballë problemit aktual të azilantëve, sa prioritet ka për BE integrimi i vendeve ballkanike?

– Çfarë do të thotë Integrim? Integrim me njëri tjetrin, apo integrim në BE? Kush do integrohet? Qytetarët e Kosovës dhe Maqedonisë që janë më të varfërit e ish Jugosllavisë dhe që përpara Sllovenisë që është më e varfra e BE janë si Ruanda krahasuar me Afrikën e Jugut. Kush do integrohet? Bathorasit me drenicakët? Kush ata që s’bëjnë dot as 2 mijë dollarë në vit të ardhura. Ky është humor i zi me ata që Migjeni i përshkruante në Poemën “Mjerimi”, e mbajeni mend se dhe pas 100 vitesh, kafshatë që s’kaperdihet asht or vlla mjerimi.

– Mos vallë kriza ekonomike, e ka lodhur vërtet BE që të zgjerohet?

– Problemi i BE është i BE. Problemi i Ballkanit është i Ballkanit dhe nuk zgjidhet me lëmoshë. Duhen të paktën 500 miliardë dollarë dhe s’flitet as për një përqindje të vogël të saj. Si është kjo punë? Greqisë i jepen ndihma – hua 80 miliardë për 3 vite e të gjitha vendet e tjera bashkë as një kothere. Më lejoni t’ju them se kjo është tallje.
– Mendoni se çështjet e standarteve demokratike në vendet ballkanike, janë vendimtare në vendimmarrjen e BE për zgjerim?
– Standartet demokratike, edhe kjo është tallje. Ballkani edhe pak kalon në uri, ju thoni standarte demokratike, ku në të gjitha këto vende shitet dhe blihet vota, ku GDP e Kosovës, Shqipërisë e Maqedonisë nuk kalon as fitimet e një multinacionaleje. Me respekt, po ju them, mos u tallni!

– A ka ndonjë rrezik që Ballkani, i lodhur nga durimi i moszgjerimit, të indentifikohet me gjakderdhje?

– Jo Ballkani nuk ka rrezik nga gjakderdhja. Atë e shtirin klikat e korruptuara dhe të kriminalizuara, për të ruajtur pushtetet e tyre të zhytura në korrupsion dhe krim.

– A mendoni se ka të drejtë kryeministri Rama, kur në Vjenë u dërgoi sërish mesazh BE se “Shqipëria nuk mund të jetë pambarimisht vend kandidat”?

– Ç‘tju them?! Mesa duket, ka vendosur të ndryshojë sërish Aleat Strategjik.

– Çfarë më shumë do të fitojë Shqipëria, nëse (sipas Ramës) BE e anëtarëson Shqipërinë, edhe pse nuk plotësohen kushtet, standartet demokratike?

– I nderuar, Shqipëria nuk bëhet BE, duke varfëruar shqiptarët. Shqipërise i lipsen 20 vjet rritje të vazhdueshme ekonomike dhe liri, pastaj flasim për BE. Ç’kuptim ka që Shqipëria prish marrëdhëniet me Rusinë për BE dhe si përfundim paratë nga BE i merr Serbia?! Shqipëria duhet të ruajë një Aleance Strategjike, atë me SHBA dhe të rritë ekonominë e vet me rusët, kinezët, indianët, arabët. Ç’kuptim ka që BRICS dominon ekonominë botërore e ne nuk shkojmë në samitet e tyre e shkojmë të luajmë futboll në Vienë.

– A duhet që BE të ndërmarrë për vendet e Ballkanit Perëndimor, një Plan analog si Plani Marshall për Europën, pa kushtëzime ekonomike dhe politike që lidhen me standartet demokratike të arritura në vendet përkatëse?

– Më lejoni t’ju them se BE në Ballkan ka lëvizur vetëm kur ka dëgjuar zërin e kallashnikovit. Të tjerat kanë qenë dhe janë demagogji. Nëse Ballkani zhytet në varfëri, kallashnikovi do të rikthehet sërish, pavarësisht se në emër të nacionalizmit, apo integralizmit fetar.

– Faleminderit!
Sigal