Ilir Gjoni: “Alarm, institucionet ushtarake e të sigurisë janë jashtë kontrollit parlamentar”

621
Sigal
I

INTERVISTA/Ilir Gjoni, N/kryetari i Komisionit të Sigurisë: “Edhe pse jemi në NATO, ende nuk e kemi ndërtuar shtetin e së Drejtës”

Para tre ditësh, ambasadori i SHBA-ve në Shqipëri, zoti Arvizu mori pjesë në Komisionin e Sigurisë Kombëtare, për herë të parë. Natyrisht, para disa ditësh, deputetët e këtij komisioni parlamentar morën pjesë në trajnimin e një seminari të organizuar nga ambasada amerikane. Në deklaratën e tij, ambasadori amerikan, pas daljes nga Komisioni i Sigurisë, dha leksione të teorisë demokratike gjithë deputetëve shqiptarë. Për kë bien këto këmbora? Nënkryetari i Komisionit të Sigurisë Kombëtare, deputeti i PS-së, Ilir Gjoni, në intervistën për “Telegraf”, zbardh shqetësimet e opozitës, duke i mëshuar alarmit se institucionet ushtarake, duke filluar që nga vetë Ministria e Mbrojtjes si edhe ato te inteligjencës.  Në këto shqetësime të zotit Gjoni, mund të kuptosh edhe domethënien e vizitës të zotit Arvizu në Komisionin e Sigurisë Kombëtare. Dhe, si epilog, zoti Gjoni, pohon për “Telegraf” se, “Sëmundja e politikës, pazbatueshmëria e ligjit, është ajo  që pjell pandëshkueshmërinë”.

– Zoti Gjoni, deri tani Ministria e Mbrojtjes ka bllokuar mbikëqyrjen e Komisionit të Sigurisë. Pyetja shtrohet: “Si ka mundësi që një ministri e mbrojtjes, anëtare e NATO-s të bllokojë mbikëqyrjen e Komisionit të Sigurisë Kombëtare?  – Ky është fakt dhe një fakt publik, i cili më shumë se çdo fjalë e thënë nga kushdo prej nesh, flet vetë dhe denoncon këtë akt të hapur të shkeljes së një prej parimeve bazë të një sistemi demokratik funksional, që është kontrolli civil i Forcave të Armatosura. Transparenca dhe llogaridhënia janë shtylla të shtetit të së drejtës, të cilat për fat të keq janë shkelur me të dyja këmbët nga drejtimi politik i Ministrisë së Mbrojtjes. Por, problemi nuk qëndron vetëm në këtë dikaster – kjo është një simptomë e hasur në të  gjithë hallkat e ekzekutivit, është një mendësi, e cila sundon në mendjen dhe veprën e gjithë kabinetit qeveritar. Sa i përket faktit se si ka mundësi që një vend anëtar i NATO-s të mos respektojë parimet për të cilat është ngritur dhe NATO-ja, kjo sigurisht që është e papranueshme, por duhet të kemi një gjë të qartë. Fakti që ne jemi anëtare të NATO-s nuk nënkupton se kemi përmbushur misionin demokratik drejt krijimit të shtetit të së drejtës. Ky ishte një hap i rëndësishëm në një proces, i cili vazhdon e do të vazhdojë deri sa demokracia dhe institucionet e vendit të arrijnë maturinë e domosdoshme demokratike. Mentaliteti i bllokimit të kontrollit parlamentar është një mentalitet bajraktar, i cili i konsideron institucionet e shtetit si bajraqe të pushtetit. Përpos kësaj mendësie regresive, ekziston dhe fakti i pakundërshtueshëm, se institucionet e ekzekutivit dhe në mënyrë të veçantë Ministria e Mbrojtjes janë përfshirë nga një valë e paprecedent korrupsioni politik dhe material. Politik, pasi struktura të veçanta të shtetit janë vënë në shërbim të strukturave të partisë në pushtet, siç ishte dhe qëndron rasti i Shërbimit Informativ të Ushtrisë. Disponojmë materiale, të cilat, siç janë provuar me dokumente dhe fakte,  janë abuzuar  pronat dhe pasuritë e Forcave të Armatosura.

– Kjo sjellje e Ministrisë së Mbrojtjes, a nuk bie në kundërshtim të plotë me atë rëndësi që theksoi edhe ambasadori i SHBA-së në Komisionin e Sigurisë,  “të kontrollit demokratik të institucioneve”?  – Sigurisht se, kjo nuk ka nevojë për koment. Kontrolli civil mbi FA-në është një ndër parimet bazë të funksionimit të shtetit demokratik. Kjo gjë u ripërsërit dje nga ana e ambasadorit amerikan, zotit Arvizu, siç dhe u theksua gjatë seminarit të organizuar po nga ambasada amerikane me një grup deputetësh të Kuvendit të Shqipërisë në Qendrën Marshall.

– Që ka ardhur ky p/ligj për mbikëqyrjen parlamentare të institucioneve të sigurisë, ka ndonjë arsye? Sa vlerë do të ketë p/ligji për mbikëqyrjen parlamentare të institucioneve të sigurisë, edhe sikur te miratohet, kur praktikisht, bllokohet kontrolli parlamentar ne vetë ministrinë e mbrojtjes?  – Pyetja juaj është shumë e saktë, kur konstatoni faktin domethënës se, edhe pse ka ligje, kur nuk ka vullnet politik, asgjë nuk ndodh. Dhe pikërisht ky është një ndër problemet më madhore që hasim ne sot. – pazbatueshmëria e ligjit, e cila kuptohet që shoqërohet me pandëshkueshmërinë. Është fakt që sa i përket kontrollit të SHISH-it, në ligjin organik të tij ka një nen, i cili përcakton që Shërbimi kontrollohet nga nënkomisioni i mbikëqyrjes parlamentare i Kuvendit. Po ashtu në rregulloren e Kuvendit ka një nen, i cili detyron Kuvendin që të ngrejë nënkomisionin e mbikëqyrjes së Shërbimeve Inteligjente, gjë e cila në shkelje të hapur të Rregullores, Kushtetutës dhe gjithë legjislacionit në fuqi, nuk është ngritur deri më sot. Kjo gjë është bërë në mënyrë të qëllimtë dhe shpreh pikërisht atë mendësi, të cilës ju referova më lart.

 – Zoti Gjoni, përse ky p/ligj i mbikëqyrjes parlamentare të institucioneve të sigurisë vjen kaq i vonuar?

– Për sa i përket p/ligjit në fjalë,  i cili do të futet për diskutim në komisionet e Kuvendit, ai është një ligj i hartuar tërësisht nga një ekspert Britanik, i komisionuar nga OSBE-ja, i shqyrtuar nga specialistë dhe ekspertë vendas e të huaj dhe është në tërësi brenda standardeve. Qesharak është fakti që ky p/ligj është dorëzuar në Kuvend, pra te Jozefina Topalli, nga ana e OSBE-së që në datën 10 qershor të 2010-s dhe, siç e shihni, kanë kaluar dy vjet e ca dhe u kujtuan tani. Arsyeja? Farë e thjeshtë.  Duan t’i shmangen mbikëqyrjes së këtyre institucioneve. Jozefina e Saliu e dinë mirë që deri në miratimin e tij nga Kuvendi ky ligj nuk mund të aplikohet në praktikë, e për rrjedhojë, edhe gjatë periudhës para elektorale e elektorale, shërbimet inteligjente do të jenë jashtë kontrollit dhe mbikëqyrjes së Komisionit të Sigurisë, e për pasojë, do të vijojë përdorimi i këtyre institucioneve në funksion të interesave të partisë në pushtet.

 BE-ja dhe mendësia politike në Shqipëri

 -       Duke patur parasysh edhe fjalët e zotit Fyle, pas vizitës së tij në Tiranë, se “Shqipëria, si vend anëtar i NATO-s, nuk do të lejojmë që të shkelen standardet demokratike”, çfarë mesazhi politik përcillet në Tiranë?

– Është fakt që Berisha i është rikthyer historisë së vjetër të “cubllëkut” dhe të të fortit të fshatit. Retorika e tij nacionaliste, kontrolli total, që ai u ka bërë gjithë institucioneve të shtetit, sulmet e hapura ndaj përfaqësuesve të SHBA-ve, siç qe rasti i deklaratave të ministrave të tij kundër ambasadës së SHBA-ve, lidhur me 21 Janarin, të gjitha këto nuk ngelin pa kaluar në skanerin e BE-së dhe SHBA-ve. Në këtë prizëm, është dhe paralajmërimi që bëri zoti Fyle, si dhe qëndrimi dhe deklarimet e qarta të ambasadorit Arvizu para tre ditësh në Komisionin e Sigurisë.


 Ambasadori i SHBA-ve, Arvizu në Komisionin e Sigurisë Kombëtare


Roli i mbikëqyrjes parlamentare mbi çështjet ushtarake dhe të sigurisë së vendit ka qenë një nga temat në fokus të takimit  të ambasadorit Arvizu me deputetët gjatë një seance të Komisionit të Sigurisë Kombëtare. Në mbyllje të takimit ambasadori Arvizu deklaroi se, së bashku me anëtarët e Komisionit të Sigurisë patën një diskutim shumë konstruktiv. “Fokusi i takimit ka qenë roli i mbikëqyrjes parlamentare mbi çështjet ushtarake dhe të sigurisë së vendit. Folëm për parimet bazë meqë si SHBA dhe Shqipëria janë anëtarë të NATO-s, dhe në shumë parime që diskutuam ishin tre më të rëndësishëm; e para, çdo anëtar i NATO-s duhet të ndërmarrë angazhim që të ketë një sistem demokratik funksional në bazë të demokracisë së tregut; angazhimi për marrëdhënie të mira me fqinjët dhe i treti, mbikëqyrja civile mbi aktivitetet ushtarake dhe çështjet e sigurisë kombëtare”,- tha ambasadori.