Ilir Beqja vjen si ilegal në Elbasan

198
Burime shumë të besueshme dhe zyrtare i thanë “Telegraf” se “Ministri i Shëndetësisë ka mbledhur në një takim të papritur në orët e vona të darkës të ditës së martë, gjithë drejtuesit socialistë të qarkut, kryesisht ata të sektorit të shërbimit shëndetësor e spitalor dhe ka dhënë shumë porosi, urdhra dhe ultimatume”. Sipas të njëjtit burim mësohet se “takimi është zhvilluar në një nga sallat e reja të selisë rozë në Elbasan dhe ka zgjatur nga ora 21.00 deri rreth orës 23.00, ku të pranishëm kanë qenë drejtuesit e Elbasanit, Gramshit, Librazhdit dhe Peqinit, të ambulancave, spitaleve dhe Qendrave të Shëndetit Publik, duke mos njoftuar asnjë drejtues nga LSI”. Fillimisht drejtuesit ishin njoftuar se “Ministri Beqja do të vinte dhe kishte planifikuar një takim pune, duke hamendësuar për problematikat e punës në institucionet e shërbimit mjekësor në qarkun e Elbasanit, dhe njoftimi kishte vajtur zinxhir, duke njoftuar edhe drejtuesit e LSI. Por aty nga ora 20.30, drejtuesit e LSI që përgatiteshin të shkonin në takim me ministrin ishin njoftuar se “mbledhja nuk është për ju, na thanë duhet të jenë në takim vetëm drejtuesit e PS”. Por habia më e madhe ishte njoftimi nga paradhoma e Ministrit Beqja, sipas të cilës “takimi do të mbahej në ora 21.00, kurse vendin e takimit do ta njoftojmë kur shefi të jetë nisur”. Dukej sikur gjithçka ishte përgatitur si nëpër filmat me ilegalë, ku asnjëri nuk dinte asgjë, nuk kishte dijeni se për çfarë do të vinte ministri orët e vona të darkës dhe përse i kishte thirrur edhe drejtuesit nga Gramshi, Librazhdi, dhe Peqini, (që u dyndën duke pirë kafe tek turizmi “Skampa”) kur dihet se mbledhjet e punës zakonisht zhvillohen gjatë ditës, me një rend dite të përgatitur. Të njëjtat burime thanë se “ardhja e Ministrit të Shëndetësisë nuk kishte të bënte fare me problemet e shumta që kanë mbuluar spitalet dhe ambulancat, klinikat dhe qendrat shëndetësore dhe stafet, mungesat e panumërta që kanë ato institucione duke nisur nga furnizimi me ilaçe e duke mbaruar tek detergjentët. Mbledhja ilegale ishte planifikuar nga Beqja për t’i dhënë “dorën e fundit” porosive ndaj drejtuesve të qarkut Elbasan për t’u përgatitur maksimalisht për ditën e diel, ditë kur do të bëhet edhe seleksionimi dhe përzgjedhja e delegatëve për kongresin e PS. 
Ultimatumi i Ministrit Beqja
Porositë e Beqajt ishin të qarta, të prera dhe dukeshin si ultimatumet e kryetarit Rama. “Duhet të mendoheni mirë për caktimin e emrave nga organizatat e partisë të degës tuaj, të caktoni njerëzit tanë, pasi mund të ketë edhe persona të pabesueshëm, duhet bërë me lupë seleksionimi pasi në të kundërtën, problemet që mund të hapi ndonjëri në sallën e kongresit, është direkt pasojë e rëndë për ju, ikni brenda 24 orëve nga detyra, besoj se jeni të qartë”. Dhe fakti është se drejtuesit e përgjumur nga lodhja e ditës dhe ora e vonë e darkës ishin treguar të gatshëm dhe natyrisht i kishin thënë ministrit se “gjithçka e kemi gati”. Por ata në fund të takimit, guxuan dhe tentuan t’i përmendin ministrit të tyre edhe problemet e shumta që kanë në spitalet, qendrat shëndetësore, ambulancat, mungesat e ilaçeve, mungesa e mjekëve specialistë, por Beqja si gjithmonë pa u ndalur u ka thënë se “ato probleme diskutohen në dikaster, kemi tjetër problem deri në 19 mars”. Ardhja e papritur e ministrit të Shëndetësisë në Elbasan, orët e vona të darkës, meraku i tij për delegatët (apo kongresmenët) e Elbasanit dhe mungesa e vëmendjes për hallet e mëdha të spitaleve dhe qendrave shëndetësore, hallet e atyre 180 kryefamiljarëve që u larguan nga puna me firmën e tij dhe që prej ditës së djeshme janë mes katër rrugëve dhe të pashpresë, tregon se për Rilindasin Beqja, rëndës ka vetëm kryetari Rama, ka rikonfirmimi i tij si kryeministër dhe jo ajo çka guxojnë të diskutojnë vartësit e tij. Beqja me fjalët dhe gjestet e tij, ata i quan “vegla pune të bindur”, që u duhen pashallarëve të partisë vetëm kur vjen dita e votimeve. Ministri i Shëndetësisë, në takimin e orëve të vona të darkës, ka patur edhe një tjetër shqetësim, atë të gjetjes së një figure të “spikatur” nga gjiri i partisë për kryetar dege në Elbasan. Kjo pasi edhe ata që janë piketuar kanë refuzuar një post të tillë me pretendimin se “nuk e bëjmë dot atë detyrë”. Beqja ka pasur mendimin se “mungesa e një figure nga Elbasani, do t’i hapë shtegun importimit të një figure nga Tirana për të drejtuar degën tuaj”. Duhet thënë se dega e PS Elbasan, gjendet në fazën e riorganizimit total të saj, pasi në dy muajt e fundit janë spastruar nga radhët e kryesisë edhe ata që dyshoheshin se ishin “Blushistë”, por që gjithsesi shqetësimi për gjetjen e një emri që do të jetë deri para datës 19 mars kryetar dege, ka mbërritur prej disa ditësh edhe tek zyra e Ramës. 
Alma Jonuzi