Ilir Bejtja: “Politikë e re e energjisë dhe industrisë, në shërbim të shqiptarëve”

648
Sigal

Zëvendësministri i Energjitikës dhe Industrisë, Ilir Bejtja, në intervistën për “Telegraf”, pasi skanon gjendjen aktuale të koncesioneve dhe privatizimeve, si në fushën energjitike dhe të minierave, pohon strategjinë që do të zbatojë kjo ministri, me pohimin se një realitet i ri do të bëhet, që këto asete të çmuara të ekonomisë tonë t’u shërbejnë shqiptarëve dhe jo klaneve e tarafeve familjare. Zoti Bejtja premton që CEZ-i, do të ndërtojë marrëdhënie besueshmërie dhe reciproriteti me klientët, duke u përpjekur që kjo ministri të mbushë gropën e zezë që kanë hapur drejtuesit e deritanishëm, në CEZ.

– Zoti Bejtja, cila është gjendja e sotme në ministrinë tuaj?

Vazhdon reformimi i saj, për t’iu përgjigjur nevojave të ekonomisë vendase si edhe për të vendosur gurët e parë të themelit për zbatimin e programit të qeverisë: Për 100 ditët e para, për 300 ditët e para, si edhe atij mandatar, të premtuar dhe projektuar që para zgjedhjeve.

–  A janë anuluar të gjitha koncesionet e qeverisë Berisha, të marra pas 23 Qershorit?

Janë anuluar disa prej tyre, që janë totalisht në kundërshtim me ligjin, dhe janë akoma në analizë dhe shqyrtim koncesione të tjera, që i përkasin kësaj periudhe, ose edhe më herët. Do të kalojmë në analizë çdo koncesion të dhënë nga qeveria e mëparshme, si për respektimin e detyrimeve të ndërsjella, ashtu edhe për të garantuar funksionimin e tyre në interes të ekonomisë kombëtare.

– Pritet të anuloni edhe koncesione të tjera? Cilat privatizime do të zhbëni?

Do të analizojmë koncesione e privatizime të bëra më parë, jo me objektiv zhbërjen e tyre, por vënien e tyre në funksionim dhe në përputhje e në zbatim të legjislacionit shqiptar e të vetë këtyre marrëveshjeve të nënshkruara. Mendojmë dhe kemi informacion fillestar, që shumë prej tyre janë në mosrespektim të afateve të kontraktuara, ashtu siç edhe ka të tjera në shkelje të ligjit, apo që kanë qartësisht sens tarafi, apo favorizimi burokratik, duke shtrembëruar si konkurrencën në treg, por edhe garën e ndershme në dhënien e tyre. Pra, është një proces që do të vazhdojë dhe ka vetëm një qëllim, zhvillimin e industrisë vendase dhe rritjen e konkurrueshmërisë së saj, si në tregun e brendshëm, edhe në atë rajonal.

– Me këto koncesione e privatizime, të cilat qeveria Rama i anuloi, çfarë do të bëni? Do t’i rishikoni, që t’i jepni përsëri, por me transparencë?

Pasi të ketë mbaruar analizimi i tyre në çdo aspekt, do të merren vendimet e duhura, nën frymën e përgjigjes së mësipërme.

– Cili është projekti i qeverisë “Rama” për ALBPETROL-in?

Së pari, të riparojmë dëmet e bëra në Albpetrol, para dhe pas procesit fars të privatizimit të tij, të sistemojmë situatën e krijuar me punësimet e bëra në mënyrë absurde, politike dhe të kundraligjshme, pas dështimit të procesit të privatizimit dhe në mënyrë të veçantë ato të muajit Gusht, kur qeveria e Berishës ishte jashtë mandatit për të bërë gjëra të tilla. Së dyti, do të marrim në shqyrtim të gjithë dosjen Albpetrol dhe do ta sjellim atë në kushte të favorshme për një procedim të ri privatizimi, ose vazhdimi të çdo forme që mbron si interesat e punonjësve atje, por dhe interesat e ekonomisë kombëtare.

– Çfarë do të ndryshojë në statukuonë e deritanishme në shfrytëzimin e minierave?

Minierat tek ne janë shfrytëzuar, ose në mënyrë kanunore, ose për t’u vjedhur e bastisur nga kompani fantazmë vendase ose të huaja. Do të vendosim rregull dhe do të sistemojmë të gjithë këtë situatë kaotike dhe të papranueshme, duke respektuar si kushtet e punës në to, por edhe ligjshmërinë që as nuk zbatohet, as nuk është e plotë. Në bazë do të jenë vetëm interesat publike dhe garantimi i konkurrencës së lirë si në konkurrim për shfrytëzimin e tyre, ashtu edhe në tregun minerar. Ndërkaq, do të respektohen të gjitha kërkesat e minatorëve dhe sindikatave të tyre lidhur me kushtet e punës dhe shpërblimin e tyre për punën e bërë.

– Keni politikë për të (ri)ngritur një industri përpunuese të mineraleve edhe në Shqipëri? Sipas jush, cilat janë pengesat vështirësitë dhe cila është perspektiva?

Jemi duke rikrijuar strukturat e nevojshme për studimin dhe vlerësimin e situatës dhe njëkohësisht brenda 100 ditëve të para të qeverisjes do të kemi një hartë të ideve e projekteve, së bashku me studimet për zbatueshmërinë e tyre dhe formën e administrimit.

– A ka interesim nga investitorë të huaj për të investuar, pikërisht, në industrinë përpunuese të mineraleve në Shqipëri?

Po, ka interesim dhe vazhdimisht jemi në kontakt me operatorë të ndryshëm të kësaj fushe.

Keni projekte, të shfrytëzimit të energjisë diellore, që mund të zbatohen gjerësisht?

 – Bazuar edhe në studimet e deritanishme në këtë fushë, si edhe në atë çka ne po planifikojmë të nisim menjëherë në nivel studimi, besoj se shumë shpejt do të kemi projekte konkrete dhe zbatim të tyre në këtë drejtim.

A përgatitni edhe dosje të përgjegjësive penale, apo t’i përcillni drejtësisë akuza konkrete për drejtues konkretë, ndaj atyre që janë fajtorë?

Për çdo shkelje të ligjit, përveç masave administrative që do të marrim, do t’i drejtohemi organeve kompetente për hetimin dhe dënimin e fajtorëve dhe të krimit të bërë me to.

Do të ndërtojmë marrëdhënie besueshmërie dhe reciprociteti,  CEZ-Klientë

 – Çfarë do të bëni me CEZ-in? Do të vazhdojë të jetë në administrim shtetëror, apo do të shikoni mundësinë e (ri)privatizimit?

Është një gropë e zezë, e hapur pa mëshirë dhe me shumë zell nga zotërinjtë që e qeverisën këtë vend mandatin e shkuar, dhe mund t’iu them vetëm që do të jetë sfida jonë imediate, për t’u zgjidhur me sa më pak dëm, për ekonominë shqiptare, por edhe në mënyrë sa më afatgjatë dhe premtuese për një të ardhme të sigurt të gjithë sistemit tonë të prodhimit, shpërndarjes dhe shitjes së energjisë elektrike në vend.

– Keni ndonjë politikë, që do të reflektoni dhe të ndërtoni një transparencë në marrëdhëniet CEZ- Klientë?

Në qendër të të gjithë përpjekjes sonë dhe rregullimeve e sistemimeve që do të bëjmë janë qytetarët, si konsumatorë dhe interesi i qytetarëve si interes publik, pra zhvillimi ekonomik, social e mjedisor i vendit.

Për ankesat e së kaluarës, që kanë klientët e qytetarët ndaj CEZ-it, cili do të jetë reflektimi i politikës tuaj?

Do të analizohen dhe do të zgjidhen brenda ligjit. Gjithashtu, ata kanë edhe rrugën e gjykatës për zgjidhjen e konflikteve të tyre.

– Ju si do të arrini që të gjithë konsumatorët e energjisë elektrike të paguajnë konsumin e kilovat/orëve?

Gjithnjë duke respektuar ligjin dhe duke luftuar korrupsionin në këtë proces. Do të rrisim punësimin si qeveri, për të luftuar varfërinë e tejskajshme në vend, për t’iu dhënë qytetarëve mundësi ekonomike për të përballuar jetesën dhe njëkohësisht të paguajnë faturat e shpenzimeve të tyre.

– Nëse ia arrini kësaj, a do të rishikohet ulja e çmimit të kilovat/orës?

Çmimi i kilovatit ka qenë objekt rishikimi të vazhdueshëm në funksion të luhatjeve në tregun e energjisë dhe do të vazhdojë të jetë, duke patur gjithnjë në konsideratë që energjia elektrike është një e mirë publike. Pra, në fokus do të jetë gjithnjë rritja e mirëqenies së qytetarëve.

– PS-ja ka premtuar se do të ulë në 6 % TVSH-në e kilovat/orës. Ky premtim elektoral, kur mendoni se do të zbatohet?

Premtimi për uljen e TVSH së energjisë elektrike në nivelin 6% është premtim i bazuar në programin tonë qeverisës dhe shkon në të njëjtën linjë me kujdesin e qeverisë për rritjen e mirëqenies së qytetarëve. Besoj se 100 ditët e para do të na shërbejnë të jemi të sakte në komunikimin e kësaj çështje. Për mendimin tim besoj se do ta arrijmë brenda vitit 2014.