ILIR BEJTJA: “Ekonomisë sonë i mungojnë politikat, jo burimet financiare”

441
Sigal

Kemi një borxh që i kalon të 65% e GDP dhe një kosto të administrimit të borxhit më të madhe se 4%

PD-ja dhe PS-ja janë futur në një garë elektorale se cila nga ato do t’i premtojë popullit për më shumë ulje taksash, për rritje rrogash, hapje të vendeve të punës, fonde të mëdha në politikën sociale, ndërkohë, që Shqipëria jeton në një krizë të dyfishtë ekonomike, të faktorëve të brendshëm, por edhe të ndikimeve të krizës globale. Kandidati për deputet i PS-së në Qarkun e Elbasanit dhe një nga specialistët e politikës ekonomike, Ilir Bejtja në intervistën për “Telegraf” argumenton atë “përse premtimet ekonomike të PS-së janë të realizueshme”.

– Zoti Bejtja, tendenca e fushatës elektorale, se  PS dhe PD- premtojnë më shumë ulje taksash, heqje taksash. Janë premtime  thjesht elektorale?

– Së pari, ndryshe nga PD-ja ne nuk i kemi premtime, por program qeverisës. PD-ja, nën presionin e programit tonë ambicioz është munduar disa herë të shembë buxhetin e këtij viti, për të ndikuar përkohësisht mbi elektoratin. Kështu, ata së fundi, kanë bërë marifetin lidhur me “faljen” e debitorëve të energjisë elektrike. Është një gënjeshtër e madhe. Asnjë detyrim nuk është fshirë dhe njerëzit do t’i paguajnë detyrimet sapo të mbarojnë zgjedhjet. Ne kemi një program qeverisës të hartuar me shumë kujdes e bazuar në ligj e në realitetin shqiptar, në nevojat e tij për të qenë i nxitur për të investuar në sektorët më produktivë të ekonomisë dhe në nevojat e gjithë ekonomisë shqiptare. Ne i dërgojmë investimet atje ku ato kthehen me rendimente më të larta e në kohë më të shkurtër.

– PS-ja ku do të hapë 300.000 vende të reja pune? Në administratën publike?

– Po, një qeveri mund të hapë vende të reja pune si në sektorin publik, nëpërmjet rritjes së sasisë dhe cilësisë së ofrimit të të mirave publike për qytetarët, dhe së dyti, nëpërmjet stimulimit të punësimit në sektorin privat, duke krijuar hapësira të reja fiskale edhe politike për zhvillimin e tij. Tatimi progresiv mbi të ardhurat personale, taksimi i ndershëm, nxitja e investimeve publike drejt bujqësisë e blegtorisë, si edhe drejt industrive përpunuese dhe montuese, nëpërmjet lehtësimit të barrës fiskale, që në origjinë do të bëjnë të mundur çlirimin e më shumë burimeve të bllokuara sot për sot në duart e biznesit dhe hapjen e shumë më tepër vendeve të punës. Objektivi ynë është ambicioz, por mjaft i arritshëm. Qeveria, në këto tetë vjet  nuk hapi vende të reja, por mbylli më shumë se 50.000 të tilla. –

– Sa vërtetësi ekonomike mund të kenë premtimet për një shërbim shëndetësor falas, një politikë sociale me një buxhet më të madh për shtresat në nevojë, kur premton që 95 % e popullsisë nuk do të paguajë taksa?

– Ne nuk themi që 95% e popullsisë nuk do të paguajë taksa, por nuk do paguajë ose do të ketë ulje të taksave mbi të ardhurat personale, do të përfitojë arsim dhe shëndetësi falas, dhe do të rrisim masën e përfitimeve për grupet sociale në nevojë (të diskriminuara), duke rritur të ardhurat e buxhetit, nëpërmjet taksimit të ndershëm dhe eliminimit të evazionit fiskal. Biznesi i vogël nuk do paguajë edhe tatim fitimi edhe tatim mbi të ardhurat, por vetëm gjysmën e së parës, duke u lehtësuar mjaft dhe duke rritur qëndrueshmërinë e tij në kushtet e konkurrencës së lirë. Politika e re që ne propozojmë është e suksesshme në shumë vende të BE-së dhe të botës, që kanë patur ngjashmëri me kushtet në të cilat ne ndodhemi sot.

– Kostoja e taksave, që do të paguajnë më shumë , do të jetë  5 %,  e popullsisë, mendoni që nuk do të rëndojë mbi 95 % të shtresës së mesme e të varfër?

– Flitet shumë dhe gabim për këtë temë. Bëjmë fjalë vetëm për tatimin mbi të ardhurat, që është filozofi e të vërtetës, pasi është mëse e drejtë, që kush fiton më shumë personalisht nga puna e tij, të paguajë më shumë, pasi në të ardhurat e tij kontribuojnë më shumë se vetë personi edhe shoqëria në rritjen e kontributit të tyre në të ardhurën kombëtare. Do të stimulojmë uljen e çmimeve në treg dhe një rritje të qëndrueshme të rrogave, e për të stimuluar më shumë mobilitet për tregun, i cili aktualisht është krejt i bllokuar.

– Në gjithë Eurozonën,  politika ekonomike, në këtë situatë krize, nuk bën fjalë për rritje rroge, heqje e ulje takse. Përse duhet të besojmë që në Shqipëri, këto premtime mund të realizohen?

– E para, ne nuk jemi në eurozonë dhe nuk kemi të njëjtat pritje të zhvillimit ekonomik. E dyta, rritja e rrogave dhe e konsumit do të ndihmojë në një lëvizshmëri më të madhe të tregut. E treta, ulja e taksave në prodhim dhe në biznesin e vogël, nuk nënkupton heqje të taksave në konsum, dhe e katërta, që është dhe më e rëndësishmja, eliminimi i taksës së korrupsionit do ta çlirojë ekonominë dhe tregun tonë e do t’ia heqë nga fyti duart që sot qeveria ia ka shtrënguar dhe po ia merr frymën. Prandaj, e gjithë politika jonë ekonomike dhe programi zhvillimor kombëtar janë të realizueshme dhe pasqyrojnë realitetin shqiptar dhe rrugën se si ai do të dalë nga kjo gjendje.

– Cilat do të jenë burimet financiare që do të bëjnë të realizueshëm premtimet ekonomike të PS-së, kur, ndërkohë,  bëni fjalë për ekonomi të shkatërruar totalisht”?

– Burimet tona do të jenë të ardhurat nga ekonomia shqiptare, financimet europiane dhe ndërkombëtare, bankat dhe biznesi.

– Rroga e 13-të që premton Kryeministri tani, është e mundshme?

– Kryeministri është njeriu më i pabesueshëm sot në Shqipëri. Nuk ka lidhje dhe as kuptim mënyra se si ai e premton, kur kemi parasysh që shqiptarët kanë plot tetë vjet që marrin 11 paga në vit. Ne i lehtësojmë ata nga barra fiskale mbi të ardhurat dhe direkt iu japim rrogën e 13-të.

– Midis programeve elektorale të PS-së dhe LSI-së ka shumë divergjenca përsa i përket politikës fiskale. Nëse fiton e Majta, cila do të jetë qasja ekonomike e qeverisjes së Majtë?

– Programi ynë qeverisës do të përfshijë dhe kompletohet edhe me kërkesat, apo pikat më të rëndësishme të aleatëve tanë, për t’iu përgjigjur një pjese akoma më të gjerë të qytetarëve shqiptarë.

– PS-ja ka kritikuar politikën e privatizimeve e të koncensioneve të kësaj maxhorance, ku LSI-ja ka qenë ajo që ka udhëhequr këtë politikë. Cili do të jetë qëndrimi ndaj këtyre, në qeverisjen e Majtë?

– E kam dëgjuar disa herë një përcaktim të tillë. LSI-ja, si pjesë e qeverisjes së këtyre katër viteve të vështira për shqiptarët, nuk ka zhvilluar programin e saj, por është shprehur dhe vetë që kontributi i saj lidhet vetëm me integrimin e vendit në BE. Politikat qeverisëse të saj kanë qenë në linjë dhe në zbatim të programit qeverisës të PD-së dhe Berishës, ose të gafave dhe çmendurisë së tij. Ata kanë përgjegjësi që nuk arritën, duke qenë pjesë e qeverisë, të ndalin çmendurinë dhe injorancën e tij. Do të qeverisim ne, me të gjithë aleatët tanë, për të zbatuar programin tonë, për një rilindje shqiptare.

– PS-ja i qëndron akoma politikës se do të anulojë të gjitha privatizimet e konçensionet që janë bërë në kundërshtim me interesat Kombëtare?

– Për ta korrigjuar do të anulojmë dhe ç’bëjmë të gjitha privatizimet dhe koncesionet korruptive e abuzive në raport me ligjin, Kushtetutën dhe të mirën publike të shqiptarëve.

– Faleminderit!