ILDKP kallëzim Bodes, për fshehje pasurie e pastrim parash Bode: Do të kallëzoj Ganajn

481
TIRANE – Ish-Ministri i Financave Ridvan Bode është kallëzuar penalisht i vënë nën akuzë për deklarim të rremë pasurie si dhe për pastrim parash. Lajmi është bërë i ditur nga Inspektoriati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive.
Sipas ILDKPKI është depozituar ditën e sotme në Prokurori padia ndaj Bodes për veprat penale të “Refuzimit për deklarim, mosdeklarimit, fshehjes ose deklarimit të rremë të pasurive të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi që ka detyrimin ligjor për deklarim” dhe “Pastrimit të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.
Siç theksohet nga ILDKP edhe pse është njoftuar disa herë nga ky institucion, ish-Ministri ka refuzuar që të paraqitet për të dhënë shpjegime, lidhur me burimin e krijimit të pasurive të tij, familjarëve dhe të personave të lidhur me të, si dhe të paraqiste dokumentacionin përkatës.
Pas depozitimit të kallëzimit penal, ILDKP i kërkon Kuvendit marrjen e masave të menjëhershme që raste të tilla, deputetësh që guxojnë të shpërfillin kërkesat e institucioneve ligj-zbatuese në Shqipëri, të mos përsëriten më në të ardhmen. 
Ora 13:25 Bode: ILDKP s’më ka njoftuar për deklarim, do bëj kallëzim ndaj Ganajt për denigrim të figurës sime
Ish-Ministri i Financave Ridvan Bode, njëherësh edhe deputet i Partisë Demokratike ka reaguar ndaj kallëzimit të bërë nga ILDKP. Në një prononcim për mediat, ish-ministri Bode ka hedhur poshtë akuzat e ngritura nga ILDKP duke theksuar se ai i është përmbajtur ligjit për deklarim të pasurisë.
Por Bode ka shtuar se sipas tij në asnjë moment nuk ka ardhur një njoftim të ILDKP për t’u paraqitur para këtij institucioni për të dhënë shpjegime për mënyrën e burimit të pasurisë së tij apo familjarëve. Bode ka nënvizuar se do të bëjë një kundër kallëzim ndaj kreut të ILDKP Shkëlqim Ganaj për denigrim të figurës. 
“Unë i jamë përmbajtur ligjit, kam bërë deklarimet sipas ligjit për pasurinë. Nuk ka pasur asnjë rast që të më ketë ardhur njoftim, jam paraqitur në përputhje me ligje të vendit. Do bëj kundër kallëzim ndaj Shkëlqim Ganaj për denigrimin e figurës sime.” është shprehur Bode 
Sigal