Ikona e Shën Ilirit, dhuratë për Presidentin

617
Me rastin e festës së shenjtë të “Ujit të Bekuar”, presidenti i Republikës, Ilir Meta, vizitoi qytetin juglindor të Korçës, ku u prit nga mitropoliti Imzot Johani, prefekti Dhori Spirollari, autoritetet vendore, si dhe drejtues të bashkësive fetare. Presidenti Meta u ndal fillimisht në Katedralen “Ngjallja e Krishtit”, duke marrë pjesë në ceremoninë e hedhjes së kryqit të shenjtë dhe festimin e ditës së “Ujit të Bekuar” në Korçë. Presidenti i Republikës, i shoqëruar edhe nga Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve, Baba Edmond Brahimaj, vizitoi gjithashtu edhe Mitropolinë e Korçës, ku u uroi Imzot Johan Pelushit e drejtuesve fetarë dhe besimtarëve ortodoksë festën e shenjtë dhe u takua e u përshëndet me banorë të shumtë korçarë. Mitropoliti i Korçës i dhuron Presidentit Ilir Meta ikonën e Shën Ilirit. “Pata një kënaqësi të veçantë që këtë festë të bukur të ditës së ‘Ujit të Bekuar’ ta përjetoja në qytetin e mrekullueshëm të Korçës, duke ju uruar edhe njëherë të gjithëve jo vetëm gëzuar këtë festë, por njëkohësisht edhe një vit sa më të mbarë për të gjithë korçarët, për të gjithë shqiptarët!”, tha Kreu i Shtetit. Më pas Presidenti Meta vizitoi edhe Pazarin e Korçës, ku zhvilloi një takim të veçantë me pjesëtarët e grupit të famshëm artistik “Lira”, me të cilët bashkëbisedoi ngrohtësisht, duke ndarë vlerësimet për vlerat e jashtëzakonshme qytetare, artistike dhe kulturore të Korçës dhe korçarëve.
Sigal