Idrizi tubim elektoral në Vlorë: Votoni PDIU-në për dinjitetin kombëtar

61
Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet zhvilloi takimin zgjedhor në qytetin e Vlorës, përpara qindra mbështetësve të kësaj partie. Hartuesit e programit elektoral të PDIU-së prezantuan ofertën programore të partisë për bashkitë e reja. Kryetari i PDIU-së, z. Shpëtim Idrizi u bëri thirrje të gjithë shqiptarëve patriotë të bashkohen rreth një partie që punon për dinjitetin e shqiptarëve.
“Ne, sot, fal edhe punës dhe kontributit tuaj, nuk jemi një parti e vogël, jemi parti pesë vjeçare parlamentare, jemi parti e cila rritet çdo ditë, një parti e hapur për të gjithe ata patriotë që e fillojnë punën për Shqiperinë nga dinjiteti i tyre. T’i bashkoheni kësaj rradhe dyfishimit të votave për PDIU në Dibër, Tropojë, Malësi të Madhe, Lezhp, Peqin, në Durrës e në të gjithë Shqipërinë, deri në Konispol. Votoni numrin 34, votoni PDIU, votoni për Shqipërinë dhe shqiptarët kudo që i ka vënë Zoti”, tha Idrizi.
Ai theksoi se Vlora ka qenë gjithnjë kryeqyteti në mërgim i Çamërisë dhe shprehu bindjen se PDIU do të ketë një rezultat spektakolar në zgjedhjet e 21 qershorit. Z. Idrizi theksoi se do të jetë garant që problemet e shqiptarëve të Çamërisë në këtë qytet, si çështja e legalizimit të pronave 70 vjeçare të tyre dhe rikonstruktimi i lagjes 1 Maji, do të gjejnë zgjidhje në katërvjeçarin e ardhshëm.
“Unë jam i bindur që PDIU do të fitojë këtë herë shumë më shumë këshilltarë dhe do të ketë një rezultat spektakolar në qytetin e Vlorës. Jam i bindur se Vlora do të vazhdojë të jetë zemra jonë, pika e qendrës, pika më e rëndësishme e PDIU. Në takimet që kam bërë bashkë me ju, sigurisht disa gjëra më kanë befasuar, por dua t’ju bëjë një premtim publik për dy çështje: unë do të merrem personalisht me problemin e legalizimit të gjithë shtëpive të komunitetit të shqiptarëve të Çamërisë. Unë do të merrem personalisht me gjithë problemet që ka lagjia “1 Maj”, një legje që ka mbetur e diskriminuar në qytetin e Vlorës”, u shpreh Idrizi.