Idrizi takim në Sarandë: Çdo shqiptarë patriotë të votojë nr. 34, PDIU

458
Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet zhvilloi një takim elektoral në Sarandë, përpara qindra mbështetësve të mbledhur në sallën e kinoteatrit të qytetit. Kryetari i PDIU-së, njëherazi nënkryetar i Kuvendit, z. Shpëtim Idrizi u bëri thirrje sarandiotëve të votojnë për nr. 34, për PDIU-në, si një parti që mbron dhe promovon identitetin dhe krenarinë kombëtare shqiptare. 
“Nëqoftëse dikujt i dhemb syri kur një shqiptar i Çamërisë është nënkryetar i Parlamentit, është problem i tyre. Nëqoftëse dikush mendon se mund të urdhërojë se çfarë do të bëhet në Shqipëri, është prapë problem i tyre. Ne na duhet të jemi bashkë. Ne na duhet një Sarandë që të jetë e mbështetur me investime, sepse Sarandën e ka bekuar Zoti. Të votojnë për dinjitetin e tyre, të votojnë për gjakun e tyre, të votojnë për prosperitetin e tyre. Të votojnë për numrin 34, që do ti bëj të ndihen krenar, për pronat, për familjen, për besimin në Zot dhe për dinjitetin e shqiptarëve”, tha Idrizi. 
Ai theksoi se Saranda i ka të gjitha mundësitë për t’u zhvilluar në një atraksion turistik jo vetëm për Shqipërinë dhe rajonin, por edhe në mbarë Evropën. Z. Idrizi theksoi se PDIU do të mbështesë politikisht Sarandën, për të zgjidhur problemet më emergjente të qytetit. Prandaj, ai kërkoi votën e të gjithë sarandiotëve, e veçanërisht të komunitetit të shqiptarëve të Çamërisë. 
“Bashkia e Sarandës, që unë mendoj se duhet të ishte më e madhe duhet të marri vendin që meriton, t’i kthehet dinjiteti, të bëhet një vend turistik, arkeologjik, historik, ashtu siç i takon Sarandës. por që ta bëjmë këtë gjë, unë dua të ftoj të gjithë ata që ndjejnë kauzën e kësaj partie, por edhe të gjithë sarandiotët që të bëhen pjesë e PDIU, një parti që do të mbështesë të gjithë qytetarët e Sarandës. por unë dua t’ju bëjë ftesë veçanërisht të gjithë patriotëve të mi, shqiptarëve të Çamërisë: ja ku e kanë shtëpinë e tyre, një shtëpi e hapur për çdo shqiptar. Do të shihni rezultatet e PDIu në të gjithë Shqipërinë, nga Dibra, nga Kukësi, nga Vermoshi e deri në Konispol. sepse ne jemi një parti e madhe dhe do të dyfishojmë votat. Ne na duhet fuqi, në mënyrë që të adresojmë problemet që
ju keni”, theksoi Idrizi. 
Sigal