Idrizi në Kuvend: Greqia të kërkojë ndjesë për krimet ndaj çamëve

491
Sigal

Kreu i PDIU-së Shpëtim Idrizi, në fjalën e mbajtur në seancën plenare kërkoi një shpjegim në lidhje me arsyet e vizitës së ministrij të Jashtëm grek në Shqipëri. Idrizi theksoi se Greqia duhet të heqë dorë nga ligji i luftës dhe të kërkojë falje për gjenocidin ndaj çamëve.

“Kam vendosur të flasë sot për një arsye kryesore. Për pak ditë ministri i Jashtëm i Greqisë do vizitojë Shqipërinë. Nuk dua të helmoj atmosferën midis dy vendeve tona. Por intimidimi në kompleks nuk na ka ndihmuar që të kalojmë këto probleme. Unë jam i vetëdijshëm për qasjen dinjitoze, për marrëdhënien me fqinjin tonë. Unë e vlerësoj përmendjen e çështjes çame si çështje për t’u zgjidhur. Greqia në mënyrë të paprecedentë mbajti jo thjesht ligjin e luftës, por edhe gjendjen e luftës.

Pse është mbajtur në këmbë ligji i luftës? Pasi ka dashur të mbajë jugun e Shqipërisë, të bllokojë pronat e shqiptarëve. Edhe pas nënshkrimit të traktit të miqësisë rreth 20 vjet më parë, mbajti ligjin e luftës. Nuk lejohet lëvizja e lirë e shqiptarëve të Çamërisë. Greqia nuk spastroi vetëm shqiptarët e Çamërisë, por edhe sllavët dhe hebrenjtë.

Ne nuk kërkojmë asgjë anti-historike. Ne kemi pasur njësitë tona partizane në Greqi dhe batalionin Çamëria në Shqipëri. Greqia duhet të heqë dorë nga ligji i luftës, të kërkojë falje për gjenocidin ndaj çamëve. Çamët nuk hyjnë dot as sot në Greqi, sepse në pasaportën e tyre është shkruar Çamëri”, deklaroi Idrizi.