Idrizi në Konispol: Vota më 21 qershor, kundër përçarjes dhe pro bashkëjetesës

457
Kryetari i Partisë Drejtësi, Integrim dhe Unitet, Shpëtim Idrizi ka përshëndetur fjalimin e mbajtur dje nga kryeministri, Edi Rama në Konsispol. Idrizi bëri thirrje që vota më 21 qershor të jetë kundër përçarjes dhe pro bashkëjetesës, çka arrihet vetëm nëpërmjet votës për kandidatin e Aleancës për Shqipërinë Evropiane.
“Përshëndes kryeministrin Rama në një fjalim brilant në Konispol, i cili sot iu drejtua të gjithë qytetarëve që të jenë të gjithë bashkë e të kuptojnë se Konispoli nuk mund të jetë transferimi i konflikteve etniko-fetare siç ka qenë Himara. Por, Konispoli duhet të jetë vendi i bashkëjetesës myslimanë, ortodoksë e katolikë. Vendi i bashkëjetesës së minoritarëve, shqiptarëve të Çamërisë e të gjithë atyre që janë në shtëpitë e tyre në Konispol dhe denoncoj të gjithë ata që duan ta kthejnë Konispolin në vatër konfliktesh”, u shpreh Idrizi gjatë një takimi elektoral në Patoz.
“Dua ta perifrazoj: në Konispol, minoritarët janë në shtëpinë e tyre, kurse ne të gjithë bashkë jemi në oborrin tonë, në oborrin e të gjithë shqiptarëve dhe shqiptarët e Çamërisë kanë respektuar dhe do të respektojnë gjatë gjithë jetës së tyre këdo. Mos votoni për përçarjen, por votoni për kandidatin e ASHE-së”, apeloi ai. Kryetari i PDIU-së më tej u shpreh se, PDIU është një forcë bashkuese për të gjithë shqiptarët. Ai bëri thirrje të votohet për këtë parti, për të ngritur zërin kombëtar dhe për të zbatuar një program konkret dhe dinjitoz në bashkitë e reja të vendit.
Sigal