Idrizi në Kashar: Të ndalojmë ndasitë politike mes shqiptarëve

132
Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet vijoi tubimet elektorale në zonën e Kasharit, pjesë integrale e Bashkisë së re të Tiranës. Kryetari i PDIU-së, z. Shpëtim Idrizi bëri thirrje që të ndalojmë ndasitë mes qytetarëve shqiptarë dhe të punojmë së bashku për një vend më të mirë dhe të begatë. 
“Ne kemi parë se dy partitë e mëdha politike kanë 25 vjet që janë shumë të zonjat, edhe në parlament çdo të enjte t’i ndajnë shqiptarët në të majtë e në të djathtë. Ne nuk kemi nevojë për këtë sherrnajë. Më 22 qershor do të ulen flamujtë e partive politike, do të ngrihet flamuri i Shqipërisë, do të ngrihet flamuri i qytetarëve. Ne i duam të gjithë shqiptarët bashkë pa asnjë lloj dasie. Kjo është ajo çka na bën ndryshe nga të tjerët. Prandaj, ju kërkoj të votoni për Partinë Drejtësi, Integrim dhe Unitet, të votoni për nr. 34, që minimalisht do t’ju bëj krenarë që jeni shqiptarë”, tha Idrizi. 
Kreu i PDIU-së tha se PDIU është e vetmja parti që ka dalë me program në këto zgjedhje, duke vendosur theksin mbi krijimin e Agjencive Rajonale të Zhvillimit Ekonomik. 
“Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet është partia e parë politike, që ka një program edhe për pushtetin vendor. Ne e shohim Tiranën si një metropol të madh. Ne e shohim Tiranën të integruar nga pikëpamja bujqësore, blegtorale dhe urbane dhe kjo do t’i japi mundësi qytetarëve të Tiranës të ndihen qytetarë të dorës së parë dhe ne të kemi mundësi të hartojmë projekte nëpërmjet Agjencive Rajonale të Zhvillimit Ekonomik, por edhe shumë nga shërbimet do t’i sjellim afër qytetarëve”, tha Idrizi. PDIU kandidon në Tiranë me listë shumëemërore për Këshillin Bashkiak, kryesuar nga znj. Vjollca Braho dhe z. Arjan Çukaj.