Idrizi-Glover: Zgjedhjet duhet të jenë transparente dhe demokratike

463
Kryetari i Partisë Drejtësi, Integrim dhe Unitet, z. Shpëtim Idrizi priti në një takim drejtuesen e misionit vëzhgues të OSBE-së për zgjedhjet vendore, znj. Audry Glover. Gjatë takimit, z. Idrizi shfaqi kënaqësinë e tij për misionin vëzhgues të OSBE-së, si një institucion garant që zgjedhjet e 21 qershorit do të monitorohen me kujdes dhe imtësi, për të pasur një proces zgjedhor transparent dhe demokratik.
Ai i bëri të ditur delegacionit se PDIU është një forcë politike që kandidon në të gjitha bashkitë e vendit dhe u ndal në boshtet kryesore politike të PDIU-së: çështjen came, si një çështje të të drejtave të njeriut, si edhe frymën përbashkuese që duhet të gëzojë kombi shqiptar. Z. Idrizi paraqiti pikat programore të PDIU-së, me të cilat garon në zgjedhje vendore, veçanërisht ato që kanë të bëjnë me rritjen e ndërgjegjes kombëtare, zhvillimin ekonomik, punësimin dhe mbrojtjen sociale.
Palët biseduan gjatë mbi situatën zgjedhore në vend, klimën politike, pasqyrimin mediatik, kuadrin ligjor dhe procesin e fushatës, votimit dhe numërimit të votave. Z. Idrizi u shpreh se procesi duhet të monitorohet në kujdes, veçanërisht në procesin e votimit dhe numërimit. Ai deklaroi se numërimi elektronik do të ishte zgjidhja më e mirë për vendin tonë, duke shmangur një herë e mirë këtë problem.
Sigal