Idajet Beqiri:«Qeverisja e re e së Majtës, duhet ta rilindë de fakto Shqipërinë »

548
Sigal

Nëse do të sundojë vetëm militantizmi, zhgënjimi do të ishte shumë i madh dhe riciklimi i së keqes do të na çonte në dështim të plotë

Idajet Beqiri, kryetari i PUK-ut, një nga aleatët politikë të Edi Ramës, në intervistën për «Telegraf» zbardh objektivat e reja të maxhorancës së re, duke theksuar se vota plebishite që populli u dha, duhet të rritë përgjegjësitë, për të rilindur de facto Shqipërinë. Nuk ka më pritshmëri. Nuk ka më justifikim,- thotë zoti Idajet Beqiri. -Ndryshimi i vërtetë do të fillojë me risjelljen e Kushtetutës, siç ishte para 2008-s. Ndryshe, kostoja e së Majtës, nëse nuk realizon reformat e premtuara, do të jetë fatale.

– Zoti Beqiri, vota “kundër” tregoi çfarë nuk do populli në qeverisjen e vet. Ju, çfarë mësime keni lexuar nga kjo “kundër” e 23 Qershorit?

– Shqiptarët, ndryshe nga popujt dhe vendet e tjera të ish-bllokut komunist, e përjetuan me një dhimbje të madhe tranzicionin 22 -vjeçar. Ne jemi një popull dhe një komb që e duam shumë lirinë, demokracinë, drejtësinë dhe paqen. Kemi luftuar dhe sakrifikuar shumë për to. Madje, edhe kemi fituar shumë luftëra në këtë aspekt. Por kurrë nuk kemi ditur ta administrojmë fitoren, t’i vjelim frytet e saj. Kjo sipas vlerësimit tim vjen për shkak se jemi popull që shkujdesemi së tepërmi pas arritjes së fitores. Me sa duket u mblodhën së bashku dhimbjet dhe “dertet” e 22 vjetëve “tranzicion flam” dhe populli, i mençur si kurdoherë, me që thika i kishte vajtur “në palcë” dhe më tej nuk shtyhej më, i dha goditjen e merituar arrogancës, prepotencës, mediokritetit, banditizmit, hajdutërisë, krimit dhe vëllavrasjes, keqqeverisjes, varfërisë dhe mungesës së perspektivës që e kishte kthyer në sistem në këto 22 vjet Berisha dhe shpura e tij. Kështu, si fitore të popullit dhe jo të partive politike, e konsideroj unë fitoren historike të 23 Qershorit.

– Cilat politika qeverisëse duhet të zbatojë maxhoranca e re për t’i kthyer besimin popullit?!

Mençuria e popullit i ka dhënë në dorë opozitës që të qeverisi përmes një mandati të fortë, përmes një mandati pa pengesa, të gjithëfuqishëm. Duhen bërë ndryshime kushtetuese! -Bëj,-i tha populli opozitës! Duhen bërë reforma të thella, të cilat kërkojnë shumicën e cilësuar të votave të deputetëve, mos u mendo dy herë, por bëjë me shpejtësi,-i tha vota e popullit në 23 Qershor opozitës, sepse numrat e mandateve i ke të plota. Qeverisja e re e opozitës duhet ta rilindi de jure dhe de fakto vendin. Pritshmëria është shumë e madhe. Nuk falet një zhgënjim i radhës. Askush nuk do e toleronte atë. Ndaj përgjegjshmëria e së Majtës është dhe duhet të jetë në shkallën më superiore, sepse ka detyrimin ta nxjerrë popullin dhe vendin nga bataku ku ka rënë, ta fusë atë në “shinat” e mbrothësisë, të normalitetit, të suksesit, të përparimit, të drejtësisë dhe të shtetit të mirëfilltë ligjor, me demokraci dhe liri të përparuara.

–  Besoni se dënimi moral i votës, a do të pasohet nga një verdikt administrativ-ligjor, apo tani do të ketë “harresë” politike?

. Kësaj vote plebishitare i krijoi “shtrat të ngrohtë” organizimi i opozitës, bashkimi i saj, krijimi i një fronti opozitar me 32 parti politike bashkë në një koalicion. Vetë ky imazh, domethënë grupimi në një front i kaq shumë subjekteve politike, pati ndikimin e vet pozitiv në popull. Populli e mirëpriti këtë bashkim, pa seriozitet tek ai, dhe “e shpërbleu” me votën e tij masive pro progresistëve këtë unitet të qenësishëm. Koalicioni i 32 partive duhet të jetë afatgjatë për këtë vend. Mund të ndodhin tashmë shkrije, bashkime, unione apo të vazhdojmë aleancën që patëm. Betejat elektorale dhe reformat e thella nuk mund të bëhen më me mendësitë e vitit 2009. Për rrjedhojë, në se do të ketë “harresë politike”, kjo do ta dobësonte frymën e bashkëpunimit, bashkimit dhe gjithpërfshirjes, për rrjedhojë shumë shpejt do e jepte efektin negativ.

Spartak Ngjela ka deklaruar se do të jetë ministër i Drejtësisë. Nëse kjo ndodh, a nuk do të thotë që  ndaj aleatëve zbatohet  politika  e dy standardeve?

– Kjo nuk do të thotë që forcat politike pjesëtare të koalicionit fitues, të marrin në dorë thikat dhe pirrunjtë e t’i vërsulen tortës për të marrë gjithsecila pjesën e tij! Profesionalizmi i lartë, ndershmëria, përkushtimi, përgjegjshmëria supreme ndaj halleve të popullit dhe të vendit, morali i lartë, këto janë vlerat me të cilat duhet të mbushet administrata jonë publike, institucionet e shtetit dhe madje vet qeveria, e jo thjeshtë dhe vetëm “dua pjesën time të tortës, se isha në koalicion”! Kjo do të thotë: ku ishim, asgjëkundi, ku po shkojmë, më keq se asgjëkundi!

 – Ilir Meta këto ditë  ka thënë se do të kërkojë ndryshimin e Kodit Zgjedhor dhe rikthimin e Kushtetutës, siç ishte në 2008-n. Shpresoni se do të ndodhë?

 Maxhoranca e majtë duhet të rikthejë Kushtetutën që kishim, duke i shfuqizuar të gjitha ndryshimet e dëmshme që ju bënë asaj në vitin 2008. Opozita ka reflektuar thellë për  gabimin e  rëndë politik, që bëri në vitin 2008. Kushtetuta është themeli i shtetit. Pa themele të shëndosha nuk ka “godinë solide”! Vota e fshehtë në parlament, pasi u hoq prej dyshes famëkeqe Berisha-Topalli, u bë kauz e opozitës për një legjislaturë të tërë. Ajo duhet të rivendoset qysh në mbledhjet e para të Kuvendit.

– Duke qenë se kjo maxhorancë ka shumicën e cilësuar, a duhet të rishikojë të gjitha emërimet e drejtuesve të institucioneve të pavarura, që janë bërë me njëanshmëri partiake?

Kam besim të madh se maxhoranca e 23 Qershorit ka koncepte diametralisht të kundërta me palo-shtetin, palo-pushtetin dhe palo-administratën që krijoi dhe mbajti në fuqi për 22 vjet me radhë Berisha, si kur ishte në qeveri, ashtu dhe kur ishte në opozitë. Gjueti shtrigash nuk do të ketë. Aftësitë, profesionalizmi, ndershmëria, përkushtimi ndaj detyrës dhe ecuria e gjithkujt në administratën e shtetit me hapin e duhur të gjithë ekipit reformator që do të sjellë rilindjen kudo, këto mendojë se do të jenë kriteret për të mbajtur në detyrë ata që janë, apo ata që do të vendosen. Në se ndodh e kundërta, domethënë që të sundojë vetëm militantizmi, zhgënjimi do të ishte shumë i madh dhe riciklimi i së keqes do të na çonte në dështim të plotë.

Nëse kjo maxhorancë nuk kryen reformat e premtuara, kostoja do të jetë fatale

– Cila është kostoja e kësaj fitoreje të 23 Qershorit për vetë të Majtën?

Kostoja është e madhe.  Mjafton të shikohet me objektivitet dhe me gjakftohtësi vetëm ajo që ndodhi në 21 janar 2011, pa përmendur Gërdecin e dhjetëra e dhjetëra ngjarje të tjera të rënda që kemi përjetuar, për të arritur në konkluzionin se fitorja e 23 Qershorit ka brenda një kosto vërtetë të lartë. Por nëse nuk realizohen objektivat, kostoja që do t’i faturohet së Majtës do të jetë 10- fishi i kësaj fitoreje. Nëse kjo maxhorancë e krijuar me votën masive të shqiptarëve në 23 Qershor nuk do të bëjë reforma të thella në drejtësi, posaçërisht në organin e prokurorisë dhe në gjyqësor, në se nuk do të shkuli nga rrënjët padrejtësitë e shumta që u janë bërë shqiptarëve përmes një numri të konsiderueshëm vendimesh gjyqësore të padrejta të dhëna nga të gjitha shkallët e gjykimit, në se nuk do t’i korrigjojë këto qindra e qindra vendime gjyqësore që janë dhënë bazuar thjeshtë dhe vetëm në korrupsion, e që janë haptazi në kundërshtim me ligjin, popullit nuk do t’i kthehej shpresa dhe besimi te demokracia, te mirëqeverisja dhe te shteti ligjor. E madje, në se nuk do të realizohet reforma e thellë ligjore pronësore, me qëllim që prona të shkoj te i zoti dhe te ai që e ka përfituar atë në rrugën ligjore që njeh Kushtetuta dhe Kodi Civil i Republikës së Shqipërisë, duke i korrigjuar të gjitha rastet flagrante të përfitimeve grabitqare të trojeve dhe pasurive të mëdha të patundshme të këtij vendi, vetëm sepse kishin “provë të vetme” besnikërinë ndaj Berishës dhe klanit të tij, populli do ta nëmte shumë keq mandatin që i dha në 23 Qershor opozitës. E kështu me radhë për të tjerat gjera që janë deformuar keqas në këtë vend gjatë këtyre 22 vjetëve sundim të Berishës.

– Faleminderit!