Idajet Beqiri zgjidhet koordinatori i ri i aleatëve me Ramën

598
Sigal

Partitë aleate, të zhgënjyer nga Gjet Ndoj, nuk e njohin më atë si ndërmjetin e tyre me Kryeministrin

Zhgënjimi

Deri tani, Kryeministri Rama, i ka zhgënjyer aleatët e tij, derisa nuk i vlerësoi, sipas marrëveshjes që ka nënshkruar me secilin, veçmas me ata, për t’i vlerësuar- sipas kontributit të votave në 23 Qershor- me poste qeveritare. Madje, Rama, si për të sfiduar haptazi aleatët, i dha post qeveritar Gjet Ndoj, që e kishte koordinatorin e tij me aleatët, si drejtor i përgjithshëm i Arkivës së Shtetit, jo për kontributin që dha me votat që fitoi partia e tij, por për rolin e dyfishtë që luajti si koordinator.

Rama, fton aleatët, për të amortizuar grindjet

“Në festimet e 29 Nëntorit me porosinë direkte të Ramës ishin ftuar për të marrë pjesë të gjitha partitë politike pjesë përbërëse të “Aleancës Për Shqipërinë Evropiane”. Disa prej drejtuesve të këtyre partive politike, të ardhur edhe nga rrethet e vendit, ishin përgatitur që pas koktejit që Kryeministri Rama dha për nder të festës së çlirimit të atdheut, do të kishte një takim me të gjitha partitë pjesë përbërëse të koalicionit. Dhe ata do të “zbraznin” pakënaqësitë e tyre për mundin dhe kontributin që dhanë në fitoren e 23 Qershorit dhe për “shpërblimin” që e morën të panjohurit jokontributor! Pas, homazheve që u bënë në Varrezat e Dëshmorëve të Atdheut, kryeministri Rama u ul në një tavolinë, te lokali i Xibrakës, ku u dha edhe pritja që u organizua me rastin e festimit të Ditës së Çlirimit, së bashku me Metën, Gjinushin, Gjergj Kojën, Dulen, si për të dëshmuar publikisht, që gjithçka në Aleancën e Majtë është brenda normalitetit të një Familjeje Politike, dhe se ato që i bashkojnë, janë më të shumta, nga pakënaqësitë e vogla që mund të shfaqë dikush.  Megjithatë, sipas burimeve të mirinformuara, Kryeministri Rama, nuk u dha asnjë premtim aleatëve, duke mos u kujtuar fare për marrëveshjen parazgjedhore që ka nënshkruar me secilin nga aleatët.

Aleatët, zgjedhin koordinatorin e ri

Mësohet se një numër i konsiderueshëm i këtyre partive, të shqetësuar për mospërmbushjen e detyrimeve që rrjedhin nga Marrëveshja e bërë me Ramën para zgjedhjeve të 23 Qershorit 2013, janë takuar dhe kanë shtruar nevojën e domosdoshme të zgjedhjes së një koordinatori të ri të koalicionit. “Emërimi i Gjet Ndojës drejtor i Arkivit Qendror të Shtetit,- u tha në këtë takim, – e ka lënë koalicionin pa koordinator”. Kryetarët e disa prej këtyre partive, si Shefqet Musaraj i Partisë LPP, Ymer Kurti i PMDE, Astrit Kosturi iLDSH, Emin Subashi i PASH, Skënder Halili i PRD, Bujar Shurdhi i PÇSH, Preng Çuni i PK 8 Nëntori, Marko Dajti iPPSHR, Avdi Keçi iPTRSH, Zane Llazi i PBRSH, Halim Seitaj i PBRSH, Ramadan Ndreka i PSPSH, Nasi Bozhegu i PA etj, vendosën t’i kërkojnë Ramës mbledhjen e koalicionit dhe zgjedhjen e një koordinatori të ri, i cili të marrë seriozisht në dorë përfaqësimin e tyre te kryeministri për përmbushjen e të gjitha detyrimeve që rrjedhin nga Marrëveshja e 23 Qershorit.

Idajet Beqiri, propozohet koordinatori i ri i aleatëve

Personi që është bërë “kumbari” dhe na ka afruar fillimisht në këtë koalicion, e që gjithashtu u bë “garanti” mes nesh dhe PS-së se gjithçka brenda këtij grupimi politik për të fituar zgjedhjet e 23 Qershorit, do të funksionojë mbi bazën e një marrëveshje që do të kishte formën dhe fuqinë e një akti juridik, – u theksua në këtë takim spontan,- ka qenë kryetari i PUK av. Idajet Beqiri, tek, i cili të gjithë drejtuesit e këtyre partive politike konfirmuan besimin e plotë se mund ta kryej më së miri rolin e koordinatorit dhe të përfaqësuesit të tyre të kualifikuar me Kryeministrin Rama për përmbushjen e të gjitha detyrimeve që rrjedhin nga Marrëveshja Politike para zgjedhore. I pyetur rreth këtij takimi dhe propozimit të shumicës së partive të vogla të koalicionit “Aleanca Për Shqipërinë Evropiane” për të qenë pikërisht ky koordinatori i ri i koalicionit, Av. Idajet Beqiri tha se, “Është e vërtetë që shumica e partive politike, pjesë përbërëse të koalicionit ,e kanë humbur durimin lidhur me realizimin e Marrëveshjes me Ramën, por qëndrimi im është i prerë se është ende herët për t’u “rebeluar”! Marrëveshja është afatgjate,-tha ai,- dhe askush nuk duhet të humbas durimin dhe të kërkoj nga kjo qeveri, e cila ende nuk ka “ngrohur” karriget ku është ulur, të përmbush për dy muaj, ato që Marrëveshja ka parashikuar brenda një mandati 4 vjeçar qeverisës. Ndërsa lidhur me propozimin e kryetarëve të partive politike për të qenë pikërisht ai koordinatori i koalicionit, Beqiri u shpreh se, “koordinatorin ne e kemi, e kemi zgjedhur unanimisht në tryezën e koalicionit, dhe se ai është Zoti Gjet Ndoj. Ky koordinator nuk ka dhënë dorëheqjen nga kjo detyrë. Mbi të gjitha ky problem,-theksoi Beqiri,- nuk mund të diskutohet dhe as që mund të vendoset jashtë institucionit që kemi krijuar me vullnetin tonë të lirë, domethënë jashtë mbledhjes së rregullt të të gjitha partive të koalicionit. Për mua,-tha zoti Beqiri,-institucionet janë të shenjta, dhe respekti im ndaj tyre është maksimal”.