Idajet Beqiri: Votuesit mesazhin maxhorancës të vetkorrigjojë qeverisjen

535
Av Idajet Beqiri kryetari i PUK në intervistën për gazetën “Telegraf” pranon që votuesit prisnin më shumë nga kjo maxhorancë e Majtë dhe reaguan me votë ndaj saj. Por, gjithashtu, Av Beqiri pohon se elektorati e beson të Majtën ndaj i dha edhe një herë votbesimin. Suksesi i 21 qershorit ishin partitë e vogla, ku Partia e Unitetit Kombëtar mori 11.000 vota. Ndërsa për dekriminalizimin, Av Beqiri thotë se duhet ndryshuar edhe Kushtetuta, edhe Kodi Zgjedhor, por duhen dënuar politikanët që kanë sjellë fatkeqësi deri tani, e jo të dënohen “cironkat”. 
– Zoti Beqiri, në 21 qershor mospjesëmarrja e votuesve ishtë më e madhe se herët e tjera. Cilat janë shkaqet sipas jush? 
– Në zgjedhjet për pushtetin vendor ka gjithmonë një firo të elektoratit që voton. Në radhë të parë kjo lidhet me pritshmëritë e qytetarëve prej qeverisjes së ardhur në pushtet nga zgjedhjet parlamentare. Kanë kaluar afro dy vjet që në pushtet janë forcat e majta. Njerëzit prisnin shumë prej kësaj mazhorance, ndaj i dhanë një milion vota në 23 qershor 2013. Krahas arritjeve vërtetë mbresëlënëse të qeverisë Rama, kuptohet që ka plotë gjëra që nuk kanë ecur me ritmin e duhur, apo që kanë mbetur me të njëjtat probleme e ngecje, si më parë. Pushteti e ka edhe një veti tjetër të dukshme, të konsumon shpejt. Janë bërë një sërë reformash të thella dhe të dhimbshme. Veçoj “qilizmën” në energjinë elektrike, në ndërtimet pa leje, në luftën pa kompromis kundër kanabisit, apo lazaratizimit të Shqipërisë, reformën në sistemin e qarkullimit rrugor etj etj. Këto reforma kanë dhimbjet e tyre, krijojnë grupe të pakënaqurish, të cilët revoltën e tyre e shprehin edhe me bojkot të zgjedhjeve. 
– Derisa edhe ambasadori amerikan Donald Lu u shpreh më 20 qershor, se kandidimi i personave me rekorde kriminale nga partitë politike është poshtërim për popullin shqiptar, përse partitë politike nuk reflektuan më parë? 
– Dekriminalizimi kërkon në radhë të parë një kuadër ligjor. Nuk bëhet me fjalë dekriminalizimi. Duhen vendosur kritere të forta për kandidimin e shtetasve shqiptarë për në organet e pushtetit qendror, vendor apo për në postet drejtuese në administratën publike. Këto kritere duhen vendosur në Kushtetutë, në Kodin Zgjedhor si dhe në ligje të tjera organike. Ato janë barrikada kryesore e dekriminalizimit. Në këtë aspekt legjislacioni ynë ka mangësi serioze, të cilat duhet të plotësohen me vullnet të plotë politik prej të dy krahëve të politikës. Pastaj gjatë këtyre 25 vjetëve, me dashje, ata që kanë qeverisur vendin, kanë lënë një situatë amullie të plotë në evidentimin, kompjuterizimin dhe futjen në sistem të të gjithë atyre personave që kanë kryer krime brenda apo jashtë vendit dhe janë dënuar me vendime gjyqësore të formës së prerë. Gjithsesi aspekti moral nuk duhet anashkaluar nga politika pikësëpari. 
– Dekriminalizimi a është problem në të 2 kahët e politikës? 
– Të dy krahët e politikës kanë të inkriminuarit e vet. Madje, për hirë të së vërtetës, një pjesë e mirë e majës së politikës, e asaj që ka patur dhe ka në dorë fatet e vendit dhe të popullit, janë të inkriminuar aq rëndë, sa Shqipëria edhe për shumë kohë do të mbetet peng i krimit dhe i këtyre kriminelëve. 
– A mendoni që palët politike do të kenë vullnet politik për të bërë dekriminalizimin e politikës?
– Me këtë klasë politike që kemi në Kuvend, me këta politikanë që udhëheqin “de jure” dhe ” de fakto” opozitën e sotme, as që duhet të na shkoj nëpërmend se mund të bëhet dekriminalizimin i politikës dhe i administratës publike. Të mos harrojmë për asnjë çast faktin që i inkriminuari më i madh, që i ka sjellë Shqipërisë dhe shqiptarëve dëmet më të mëdha dhe më të rënda gjatë gjithë historisë së tyre kombëtare, është ish Presidenti i Republikës për 5 vjet me radhë si dhe ish-kryeministri i vendit për 8 vjet të tjera me radhë, Sali Berisha. Dekriminalizimi nëse nuk nis prej këtej, është dhe do të mbetet një farsë propagandistike. Ato “cironkat” e politikës që paskan kandiduar në zgjedhje dhe kanë fituar, por që qenkan të inkriminuar se janë marrë me drogë, apo prostitucion jashtë vendit, duhen pastruar domosdo, por nuk dekriminalizohet shoqëria shqiptare pa hetuar, burgosur dhe dënuar “peshkaqenët” që ka hedhur mbi Shqipërinë dhe shqiptarët për plotë 25 vjet Berisha dhe banda e tij kriminale në vend.
– Është fakt që PS ka humbje të elektoratit të saj në 15% ose 330.000 vota më pak se zgjedhjet e 2013. Mendoni se kjo e ka shkakun te zhgënjimi i elektoratit nga qeverisja e deritanishme?
– Nuk e di nga e keni nxjerrë këtë shifër, por ASHE, e udhëhequr nga PS, parë në raport me të gjitha zgjedhjet e mëparshme vendore, ka një rritje të ndjeshme të votave. E rëndësishme është fitorja ndaj kampit tjetër. Kemi arritur një fitore spektakolare. Nëse do të kemi në konsideratë që edhe ato pak bashki që u humbën, nuk erdhën për rritje të elektoratit të opozitës, por për qejfmbetje brenda së Majtës në vendosjen e kandidatëve për kryetar të bashkive, është momenti të ulërijmë se vendi ka mbetur pa opozitë. Fitorja e PS shikohet te kryetarët e bashkive që ka marrë. Fitorja e ASHE, domethënë e koalicionit të Majtë, shikohet në tërësinë e vet te votat e marra për në këshillat bashkiake. Duhet lexuar mirë 21 qershori 2015. Kjo do të thotë se qeverisja është në rrugën e duhur, në rrugën që kanë pritur dhe duan shqiptarët.
– Përse ndodhi e kundërta me LSI, e cila e rriti 7 % elektoratin ose me 80.000 vota më shumë, edhe pse ka qënë parti në pushtet?
– Për LSI dhe për të gjitha ne partitë e tjera të vogla rëndësi kishin votat për këshilltarët bashkiakë. Ato tregojnë fuqinë tonë. Nëse PS përqëndroi gjithë potencialin e saj për të fituar kryetarët e bashkive, LSI dhe partitë e tjera arritën të kërkojnë vota proporcionale, sikurse janë votat për këshilltarë bashkiakë edhe nga e djathta. 
– Cilët faktorë ndikuan që partitë e vogla, të kooalicionit të ASHE sikurse edhe PSV 91 u rritën në vota?
– Rritje pati edhe Partia jonë e Unitetit Kombëtar. Me gjithë se paraqitëm kandidatë për këshilltarë vetëm në 60 për qind të bashkive të vendit, morëm 11.000 vota. Morëm 14 këshilltarë bashkiakë, duke filluar në Tropojë e Kukës, në Mirditë, në Lezhë, në Klos të Burrelit, në Kamëz, në Lushnje plotë dy e në Gramsh, në Gjirokastër dhe në Sarandë. Ishim të ndërgjegjshëm se në 21 qershor votat tona përgjithësisht do numëroheshin. Ndryshe nga kasapana hajdutërore që ndërtoi për mbi 20 vjet me radhë Berisha, kur votat e subjekteve tona vidheshin thuajse të gjitha. Kjo na mobilizoi maksimalisht dhe rezultati ishte i dukshëm. 
– A mendoni se do të ketë hendek dhe problem mosrealizimi i premtimeve të mëdha elektorale të dhëna edhe në 2013 edhe në 2015?
– Qeveria Rama mori në 23 qershor 2013 një Shqipëri de fakto të falimentuar. Reformat e deritanishme të tij, këndvështrimet e qeverisë së tij, ndihma që po afrojnë faktorët ekonomike ndërkombëtare, po tregojnë që më në fund paska dritë në fund të tunelit edhe për ne shqiptarët. E shikoj me optimizëm të arsyeshëm të ardhmen e mirë të Shqipërisë. Mënjanimi nga drejtimi i punëve të shtetit i Berishës ka gjallëruar potenciale dhe energji të mëdha në të mirë të vendit. 
– A përbën rrezik fakti që tashmë e Majta mbizotëron thuajse pushhtet absolute edhe në qeverisjen qëndrore, edhe në qeverisjen?
– Koalicioni ASHE është dhe do të mbetet historik për fatet e vendit. Është koalicioni që i duhej prej kohësh Shqipërisë. Ky koalicion është aq i përgjegjshëm për fatin e Shqipërisë Europiane, sa do të ndikoj pozitivisht që vendi, edhe pse momentalisht pa një opozitë reale demokratike, të bëhet me një pasuri të tillë të çmuar për vendin dhe ardhmërinë e tij.
Sigal