Idajet Beqiri/“Aleanca Shqipëria Europiane është alternativa e Ndryshimit, jo rotacion”

452
Sigal

Populli e do PUK-un, e do liderin e saj, Idajet Beqirin, programin e saj, qëndrimet dhe guximin e saj, intelektualitetin dhe atdhetarinë e saj

Kryetari i PUK-ut, Idajet Beqiri, në intervistën për “Telegraf”, argumenton se, Berisha, duke replikuar me Arvizun, për KQZ-në, e konsideron si akt të papërgjegjshëm, e cila, do të marrë përgjigje nga shteti më demokratik në botë. Kjo fushatë elektorale, thotë zoti Beqiri, është njësoj si të tjerat, me veçantinë, së shqiptarët janë edhe më të varfër ekonomikisht dhe më të dhunuar nga e drejta e lirive të tyre, nga kjo maxhorancë. Te e Majta, thotë zoti Beqiri, nuk mund të ketë debat se, cili lider do të jetë kryeministër, sepse lideri i forcës më të madhe opozitare, do të jetë Lideri i Ndryshimeve dhe jo thjesht, kryeministri i rotacionit.


– Zoti Beqiri, ju si e konceptoni reagimin e Kryeministrit Berisha, ndaj apelit të ambasadorit Arvizu për KQZ-në, “Kemi përkrahjen e SHBA-ve, por unë zbatoj ligjin për KQZ-në”?

– Këtë reagim të Berishës e konsideroj si një akt të papërgjegjshëm. Berisha rrethohet nga disa njerëz pa karakter, servil dhe të nënshtruar, pa integritet moral dhe profesional. Ky fodullëk e ka bërë aq të paarsyeshëm, sa hedh “vickla” përpara një përfaqësuesi të lartë të departamentit të shtetit të SHBA-ve, siç është ambasadori Arvizu. Dhe «i tregon babait arat»! Me këtë reagim të mbrapsht dhe pa etikë, me këtë megalomani, Berisha nuk fyen hapur vetëm ambasadorin Arvizu, duke e bërë atë «të padijshëm» në raport me ligjin për KQZ-në, por fyen rëndë edhe të gjithë ne shqiptarët, sepse fyerje të tilla cenojnë interesa të larta kombëtare, dhe një popull serioz, i një kombi dhe shteti serioz, një turp të tillë nuk e falin lehtë. Pra, Berisha shkeli rëndë ligjin themeltar të shtetit si dhe Kodin Zgjedhor. Apeli i ambasadorit Arvizu është pikërisht për rikthimin e legjitimitetit të KQZ-së së mëparshme, domethënë korrigjimi i shkeljes flagrante, që Berisha i bëri Kushtetutës dhe Kodit Zgjedhor.

– Çfarë të veçantë, qoftë në aspektin negativ, qoftë edhe në atë pozitiv, mund të ravijëzoni fillimin e procesit zgjedhor, duke qenë se ju keni një përvojë të gjatë?
– Nuk ka asnjë ndryshim thelbësor. Janë të njëjtat skema dhe skenar. Ndryshimi i vetëm është në formën e paraqitjes. Me gjithë se jemi vendi më i varfër i Evropës, me gjithë se po përjetojmë një krizë ekonomiko-financiare të rëndë, me gjithë se listat e marrjes së mallrave ushqimore prej qytetarëve në dyqanet e Shqipërisë janë bërë me mijëra faqe fletoresh, imazhi, dukja e kësaj fushate elektorale ka nisur dhe po bëhet aq e shtrenjtë dhe luksoze, sa do ta kishin zili edhe vet SHBA, Anglia apo Gjermania! Zgjedhësit cilësorë, intelektualët, të zhgënjyerit, të cilëve u është vrarë rëndë shpresa dhe besimi për të ardhmen, në saj të keqqeverisjes dhe të veprimeve të shumta të dëmshme antishqiptare të Berishës, të cilët përbëjnë afro 43 për qind të elektoratit, nuk po tregojnë asnjë lloj interesimi për fushatën elektorale që po bënë kryeministri.
– Mendoni se debati tek e Majta, se cili lider do të jetë Kryeministër, lindi nga entuziazmi politik?
– Forca politike fituese e zgjedhjeve, edhe brenda një koalicioni, ka të drejtën t’i propozojë kreut të shtetit emrin e kryeministrit. Lokomotiva e koalicionit prej “36 vagonë” e “Aleancës për Shqipërinë Europiane” është PS-ja. Ajo e ka caktuar Kryeministrin e saj të ardhshëm. Ai është Edi Rama. “Debati” për kryeministrin brenda koalicionit është një taktikë elektorale. Ka shumë votues që e japin votën për një vend pune. Dhe këta votues, duke mos e njohur Kushtetutën, kur marrin vesh se, kryeministri mund të jetë edhe i një force tjetër politike, e japin votën e tyre për këtë subjekt nga halli.
Në të Majtën, sikur janë dukur të çara, derisa debatit, i është përgjigjur Gjinushi, i cili publikisht tha se, “më mirë Berishën Kryeministër, sesa Ilir Metën”. Rrezikohet uniteti i Koalicionit?
– Gjinushi është miku im më i mirë. Kjo deklaratë e tij, vlerësoj se është emocionale. Berisha përfaqëson gjithë ngarkesat më negative kundër Shqipërisë dhe shqiptarëve. Deklarata e Naços «Meta kryeministër», është thjeshtë dhe vetëm me motive elektorale. Këtë deklaratë nuk e beson as vet ky autor i saj.

– A mundet që Opozita të shkojë në zgjedhje me KQZ me 4 anëtarë dhe, njëkohësisht, të ketë të siguruar votën nga manipulimi, pa bërë oponencën e duhur për zgjidhjen e konfliktit?
– Në vështrimin ligjor, në vështrimin e standardeve ndërkombëtare, situata aktuale me KQZ-në është tepër absurde dhe e papranueshme. Megjithëse jemi në proces zgjedhor, një numër të konsiderueshëm vendimesh, të cilat duhet t’i merrte KQZ-ja, i ka marrë celula e PD-së, ose «Banda e të Katërve», do thoshin kinezët! Mirëpo hapësirat ligjore që jep Kodi Zgjedhor, lidhur me përfaqësuesit ligjor të forcave politike pjesëmarrëse në zgjedhje, jep mundësinë që «Banda e të Katërve» i ka duart, këmbët dhe kokën «të lidhur» nga një vendimmarrje kriminale. Por, në fund të fundit, fitorja e koalicionit të majtë do të jetë aq e thellë, sa «egjra» e manipulimit kriminal nuk do e deformojë dot vullnetin masiv të shqiptarëve për të larguar një herë e përgjithmonë nga qeverisja Berishën, këtë fatkeqësi të madhe kombëtare.
– Edi Rama ka përsëritur sa herë, që sado vota të vjedhë Berisha, fitorja do jetë e thellë. Por nga ana tjetër, sondazhet tregojnë për një diferencë të vogël të koalicioneve, ndërsa PD-PS janë në përqindje të barabartë. Ku qëndron realiteti?

– Sondazhet janë një lloj orientimi. Ato nxisin të gjitha palët për më shumë punë, për më shumë kujdes, për më shumë veprime cilësore dhe për më shumë syçeltësi. Por për hir të së vërtetës gabimi në to është shumë i madh. Sondazhet nuk pasqyrojnë aspak prirjen e elektoratit.

– Është Edi Rama lideri i së Majtës, i cili mund të realizojë Ndryshimin dhe jo thjesht rotacionin?
– Edi Rama është reformator i madh. Një tip si ai, një njeri me formimin dhe karakterin e tij, është domosdoshmëri historike për ta rilindur këtë vend dhe institucionet demokratike të tij, për të bërë reforma aq të thella, sa shkojnë shumë më larg dhe me lartë se sa një rrotacion i thjesht pushteti, “iku Sala, erdhi Lala”!

Programi elektoral i Partisë së Unitetit Kombëtar, me numër 8 në fletëvotim

– Cila është alternativa e PUK-ut për 23 Qershorin dhe çfarë rezultati zgjedhor prisni?
-PUK-u është “Vagoni” Nr.8 i Aleancës për Shqipërinë Europiane. E mira e Shqipërisë, e mira e Bashkimit Kombëtar, e mira e atdhetarisë, formimi i shtetit të vërtetë ligjor shqiptar pro Perëndimor, krijimi i një politike të pastër, me moral dhe me integritet, sundimi në Shqipëri i ligjit dhe shenjtëria e të drejtës së kulluar për popullin në fushën e drejtësisë, lufta për ndërtimin e institucioneve të pavarura, vendosja në krye të shtetit dhe të gjithë institucioneve të njerëzve të shquar, me intelekt, me integritet profesional e moral, mënjanimi nga pjesët përbërëse të shtetit dhe të institucioneve tona të njerëzve të dyshimtë, spiun të shitur, tradhtar, të korruptuar dhe mediokër, kërkon që në Kuvendin e Shqipërisë të jetë e pranishme edhe Partia e Unitetit Kombëtar, e cila i ka potencialet intelektuale, e ka atdhetarinë, e ka besueshmërinë, e ka guximin e pashoq. Populli e do PUK-un, e do liderin e saj, Idajet Beqirin, programin e saj, qëndrimet dhe guximin e saj, intelektualitetin dhe atdhetarinë e saj, ndaj do na votojnë dhe do na fuqizojnë me votën e tyre.

– Faleminderit!