I pafajshëm? “Zëri i Amerikës”: Agim Kajmakun nuk e shpëton dot vendimi i Gjykatës së Janinës

550
Sigal

Në Shqipëri, Partia Demokratike bëri të ditur sot pasdite, se Prokuroria kishte vërtetuar akuzat e saj ndaj kryebashkiakut socialist të Vorës Agim Kajmaku, sipas të cilave ai kishte qenë më parë i arrestuar në Greqi, nën emrin Jorgo Toto.

“Zyra Qendrore e Kombëtare e INTERPOL Tiranës, me shkresën Nr. 10709/6, datë 24/09/2019; ka sqaruar se nga informacioni i marrë nga zyra homologe INTERPOL Athinë rezulton se nga krahasimi i gjurmëve të gishtërinjve të shtetasit Agim Kajmaku, me gjurmët e gishtërinjve që ndodhen në databazen e të dhënave kriminale në Greqi ka përputhshmëri të plotë me ato të shtetasit Jorgo Toto”, deklaroi Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Gazmend Bardhi.

Duke ju referuar sërish dokumentit që Partia Demokratike ka marrë zyrtarisht nga Prokuroria, zoti Bardhi tha se është provuar gjithashtu dhe nga verifikimet e vetë autoriteteve shqiptare se Agim Kajmaku dhe Jorgo Toto janë i njejti person.

Kryebashkiaku socialist i Vorës, në mënyrë të përsëritur mohoi akuzat e Partisë Demokratike, dhe kur kjo e fundit tregoi pasaportën që ai kishte mbajtur me emrin Jorgo Toto, e që ishte e njejta me atë të personit që ishte prangosur nga autoritetet greke në Janar të vitit 2003, duke këmbëngulur se nuk është arrestuar ndonjëherë në Greqi e duke folur për një “sulm politik” të Partisë Demokratike ndaj tij. “Siguroj me bindje, në radhë të parë qytetarët e Vorës se i qëndroj pikë për pikë asaj që kam deklaruar edhe më herët lidhur për këtë sulm. Unë nuk jam marrë kurrë me trafiqe dhe krime”, shkruajti zoti Kajmaku në një nga postimet e tij në Facebook, në përgjigje të disa daljeve publike radhazi që Partia Demokratike bëri gjatë muajit gusht lidhur me rastin e tij.

Shtatorin e kaluar Gjykata e Janinës në Greqi e shpalli të pafajshëm Jorgo Toton (alias Agim Kajmaku) për akuzën e falsifikimit të parave, por kjo nuk e shpëton dot kryebashkiakun e Vorës, pasi ai nuk e ka deklaruar arrestimin e tij nga autoritetet greke.

Partia Socialiste, shmangu komentet për rastin e kryebashkiakut të Vorës. Ndërsa sot, zoti Bardhi deklaroi se “shkarkimi i tij menjëhershëm nga detyra nuk është më çështje vullneti në dorën e kryeministrit Edi Rama”, porse “ai ka detyrimin ligjor për ta bërë këtë”.

Ky është rasti i dytë i një kryebashkiaku socialist që vërtetohet se ka fshehur të kaluarën, pas atij të Shkodrës Valdrin Pjetri, ndërkohë që nën akuzë është dhe kryebahkiaku i Vaut të Dejës, Mark Babani./VOA