I hiqet imuniteti Doshit dhe Frrokut…nga PD vetëm Doda

447
TIRANË – Pas mbledhjes së grupit, opozita erdhi me misionin e qartë në sallën e Kuvendit: Të shtyjë votimin për kërkesën e Prokurorisë së Përgjithshme për arrestimin e deputetëve Tom Doshi dhe Mark Frroku.
Me argumentin se seanca për të aprovuar këtë kërkesë duhet zhvilluar 48 orë nga dorëzimi i raportit të Këshillit për Imunitetin, deptuetët e opozitës këmbëngulën që nga nisja e seancës që votimi i fshehtë për Doshin dhe Frrokun të shtyhej.
Mes debateve të ndezura që ish-kryeparlamentarja Topalli dhe ish-kryeministri Berisha nisën me nënkryetarin e Kuvendit Vangjel Dule, ndërhyri kryeministri Edi Rama i cili bëri një deklaratë të fortë kur tha se Partia Socialiste do të tërhiqej nga Kuvendi nëse zbatimi i rregullores vazhdon të shkelet nga opozita. 
Seanca drejtohet nga nenkryetari Vangjel Dule nese kryeparlamentari Ilir Meta eshte ulur ne karrigen e deputetit ne vendin e Dules.

Rama: PD sulmon Prokurorinë në Parlament hedhin vetëm baltë
TIRANË – Kryeministri Rama e ka vlerësuar si një sulm të pashoqë kundër prokurorisë qëndrimin e opozitës mbrëmë në Këshillin e Mandateve dhe qëndrimin e mbajtursot në Parlament ku u miratua heqja e imunitetit të deputetëve Doshi e Frroku.
Duke ironizuar qëndrimin e Partisë Demokratike, Rama u shpreh se “Jemi pro, por jemi edhe kundër. Jemi në mbështetje të Institucioneve të drejtësisë, por jemi edhe përballë tyre. Ajo çfarë ndodhi dje dhe sot ishte një sulm ndaj Prokurorisë.”
Më tej ai theksoi se qeveria është e pakënaqur nga puna e Prokurorisë, por asnjëherë nuk e ka penguar atë, ndërsa PD është shprehur më e kënaqur me punën e Prokurorisë.
“PD mbështetje ndaj Prokurorisë, mbështetje vetëm me fjalë. PD është shprehur deri dje më e kënaqur se ne me Prokurorinë. Ne e kemi shprehur pakënaqësinë tonë Kemi ruajtur etikën për mos ndërhyrjen në punën e saj. PD na ka akuzuar se po përpiqemi të ndërhyjmë dhe po bëjmë presion mbi Prokurorinë kur kemi shprehur mendimin tonë.”- tha Rama.
Rama nuk lë pa bërë edhe krahasimin me qeverinë e kaluar që shpesh sipas tij i vinte policinë kryeprokurorit dhe refuzonte arrestimin e kreut të Gardës së Republikës.
“Prej ditës që jemi ulur në Kuvend si forcës qeverisës, si Aleancë fituese nuk kemi vënë në diskutim vendimet e Prokurorisë dhe në vijimësi e kemi inkurajuar. Edhe në rastin konkret jemi vënë dispozicion të Prokurorisë duke shkuar dhe për të dëshmuar. Nuk është e largët koha kur Kryeministri i vinte kryeprokurorit policinë dhe refuzonte arrestimin e kreut të Gardës së Republikës. Ne vetëm pretendojmë se jemi zgjedhja duhur për këtë vend, sepse idetë tona, programi, parimet dhe vlerat e këtij krahu politik janë më ët favorshme për të drejtuar vendin.”- tha Rama.
Kulmi i “baltosjes” sipas Ramës ka arritur sot ku PD bëhet zëdhënësja e një gangsteri nga Fushë Kruja
“Duke arritur kulmin ditën e sotme, ku PD të bëhet zëdhënësja e një gangsteri nga Fushë Kruja dhe të lërë pas duke ikur fjalinë më absurde dhe më domethënëse për gjendjen dhe gjatjen e kësaj Partie ndaj procesit demokratik dhe procesit të zhvillimit të vendit.”- tha Rama.

Sigal

Rama: PD mungon kur diskutohen ligje të rëndësishme për qytetarët
Rama ka dënuar mungesën e opozitës në Parlament për të diskutuar për pikat e rendit të ditës, pasi u larguan për të mos marrë pjesë në votimin për raportin e Këshillit të Imunitetit në lidhje me kërkesën e Prokurorisë për arrestimin e deputetëve Doshi dhe Frroku.
“Kur flitet për një çështje si pensionet, që kanë një rëndësi kaq të madhe për të gjithë njerëzit, opozita mungon. Në këtë rast mungon fizikisht, por edhe kur është, nuk është pranishme në debate. Praninë e saj në Parlament e justifikon me një zell për baltosen e gjithçkaje.”- tha Rama.
Duke folur për reformën e Pensioneve, Rama theksoi se falë vendimeve të kësaj qeveri, ky sektor i është kthyer normalitetit pas një procesi të zvarritur prej vitesh.
“Flasim për një reformë të zvarritur për vite të tëra. Reformë që ishte kusht për qeverinë e kaluar nga BB për fonde. I thonë vetes të djathtë, por nuk kanë lidhje me të. Janë thjesht një çetë e çoroditur. Çdo të enjte na sjellin dufin e shtëpisë së oficerëve.” 


Ora 12:45 Doda e vetmja nga PD që votoi pro heqjes së imunitetit të Doshit e Frrokut
Mesila Doda është e vetmja deputete e Partisë Demokratike e cila ka qëndruar në sallën e Parlamentit gjatë votimit për heqjen e imunitetit të deputetëve Tom Doshi dhe Mark Frroku. Ajo ka dhënë votën e saj pro heqjes së imunitetit të dy deputetëve. Dodën e kemi parë shpesh kohët e fundit të mbrojë fort kauzat e veta duke dalë shpesh edhe kundër rrymës së deputetëve të tjerë demokratë.
“Partia Demokratike shprehu qëndrimin në parim. Por politikanët kanë detyrën t’i shkojnë deri në fund. Do të doja që të votohej për ato që e ka akuzuar PD. Janë persona që kërkoheshin për dekriminalizimin e Kuvendit. Grupi ka një qëndrim që ndërgjegjja ime nuk mund ta pranojë. Grupi mori një hap për tu larguar, unë do vijojë të shpreh qëndrimin tim për një Parlament më të mirë. Askush nuk mund të më mbajë peng. Në momentin që na jepet rasti nuk mund të tërhiqemi. Nuk kam pasur probleme, qëndroj për një politikë më të mirë”, u shpreh Doda në një prononcim për gazetarët pasi la sallën e Kuevndit. 
Votimi për Doshin
80 vota pro per t’iu hequr imuniteti
0 kunder

Votimi për Frrokun
79 vota pro
1 abstenim
0 kunder

Ora 12:38 Votmi për prezencën
80 deputetë të pranueshëm, kuorum i vazhdueshëm për të vijuar

Ora 12:37 Nis seanca 


Ora 12:25 Grupi i PS kërkon pushim. Dule: Seanca ndërpritet me 15 minuta

Ora 12:20 Paloka: PD nuk do të marrë pjesë në votimin për “Doshin dhe Frrokun”. Parlamenti një farsë!

Në emër të grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Edi Paloka bëri publik vendimin e marrë duke deklaruar se opozita nuk do të bëhet pjesë e votimit për kërkesën e Prokurorisë për arrestimin e deputetëve Mark Frroku dhe Tom Doshi. Paloka tha se opozita është pro heqjes së imunitetit të tyre, por jo në kushtet kur parlamenti, siç tha ai, është kthyer në farsë dhe kryetari i saj Ilir Meta akuzohet për vrasjen e Doshit dhe demokrat Mhill Fufi. Ky qëndrim sipas Palokës, lidhet me faktin që mazhoranca nuk pranoi të shqyrtonte si provë një video të re që Doshi pretendon se disponon, sipas të cilit Durim Bamit i është kërcënuar në qeli me jetën e tij dhe të fëmijë në qeli për të dhënë dëshmi të rremë.
“Skandaloze sepse kreu i Kuvendit akuzohet se ka urdhëruar vrasjen e dy deputetëve, e frikshme sepse shqiptarët mësuan që kupola e fshehu dhe manipuloi këtë ngjarje. Jo më larg se dje u bëmë dëshmitarë të një akti, ku u kërkua vetëm një provë nga deputetët e opozitës që qëndrimi ynë të ishte i qartë dhe i prerë. Një provë e rëndë që akuzonte shtetin se kishte ushtruar presion në qelitë e shtetit të detyronte dëshmitarët për deklarim të rremë. Duke i qëndruar parimit tonë të shprehur prej vitesh se deputetët e PD nuk kanë nevojë për imunitet. Në bazë të këtij parimi vota jonë është pro, por ne nuk mund të bëhemi pjesë e kësaj farse të frikshme dha skandaloze. Grupi i PD nuk do të marrë pjesë në votim në këtë farsë”, tha Paloka. 
11:48 Halimi: Videoja e kërcënimit të Doshit ekziston, Prokuroria e pranoi 

Eduard Halimi deklaroi se Prokuroria pranoi se ekziston një video kërcënuese që ka sjell më pas edhe ndryshimin e dëshmisë së Durim Bamit. Po sipas Halimit, kjo video nuk është bërë publike për Këshillin pasi deputetët e mazhorancës refuzuan të hartonin kërkesën.
“Është një nga seancat më të vështira. Sytë e qytetarëve janë drejtuar për të parë çfarë do të bëhet me kërkesat e Prokurorisë. Dje u pranua nga të gjithë se ekziston një video ku rezulton që ky dëshmitar kishte ndryshuar dëshminë e vet nën kërcënimin e jetës. Prokuroria ka pranuar që kjo video ekziston, por do ta dorëzonte me kërkesë të Këshillit. Por kjo u kërkesë u pengua nga deputetët e mazhorancës. Por ajo video nuk u kundërshtua nga askush.”- tha Halimi. 

Ora 11:45 Subashi: Vlerësuam që Këshilli e Parlamenti të mos jenë pengesë e Prokurorisë

“Seanca e djeshme ishte publike, procedura si u zhvillua e qartë për të gjithë. Pas dëgjimit të palëve, Këshilli bërë diskutimin e vet me dyer të mbyllura. Mor vendim konsensual me divergjenca të vogla. Konkluzionet janë të shprehura edhe në Raport. Në gjithë diskutimet u vu theksi se me ndryshimet që i janë bërë Kushtetutës kemi një koncept të ri për imunitetin e deputetëve dhe zyrtarëve të lartë. Në Këshilli i Rregullores Imunitetit dhe mandateve, mbizotëroz mendimni që edhe ky këshill edhe vetë Parlamenti të mos jetë pengesë pasi nuk janë ata që vendosin për arrestimin e deputetëve, por është Gjykata e Lartë ajo vendos përfundimisht. Nga kjo pikëpamje i hapëm rrugën Kërkesës së Prokurorisë.”- tha Arbando Subashi. 

Ora 11:39 Frroku “mbrohet” para deputetëve: Mos i hapni rrugë kërkesës denigruese të Prokurorisë

Frroku: Unë në këtë histori jam i huaj dhe nuk është normale të më ndërpritet jeta ime politike. Unë nuk kam parë një politikan deputet të burgoset për një dëshmi të rremë e cila nuk ekziston ndaj meje, se para prokurorit kam dhënë dëshmi të saktë dhe vetëm kam thënë të vërtetën. Prokurori kërkon kontroll në shtëpi a thua se dëshmia ime është bërë me armatim të rëndë. Besoj se nuk do t’i hapni rrugën këtij precedenti, se atëherë shumë prej jush do të përfundoni nesër ashtu siç po pretendohet ndaj meje sot. Në 24 vite janë bërë dëshmi të rreme dhe të provuara, në rastin konkret për mua nuk është e provuar, edhe njohja me Durim Bamin që thotë Berisha është e paprovuar dhe nuk ekziston. Kam qenë shumë korrekt në këtë sallë parlament, në zyrat e kuvendit të Shqipërisë, në jetën time personale, marrëdhëniet me miqtë, por edhe me ligjin. Unë mendoj se kërkesa e organit të akuzës është e nxituar, denigruese, i kërkoj kolegëve të mi mos t’i hapin rrugë këtij precedenti. Fjala në fund dhe veprimi është në dorën tuaj, unë nuk kam frikë të përballem me drejtësinë dhe çdo akuzë që më bëhet. I ngelem pikë për pikë asaj dëshmie që kam bërë dhe do të vazhdoj prapë jetën time politike pasi të jetë sqaruar kjo histori dhe nuk ka shans që unë të ndaloj. Faleminderit të gjithëve
Dule: Faleminderit zoti Frroku. Nuk ka pyetje nga kolegët deputetë.

Ora 11:37 Nis seanca plenare pas 5 minutave pushim

Ora 11:31 Balla: I pashpjegueshëm qëndrimi i PD, vijojmë normalisht seancën

“Besoj se ndaj të gjithë shqetësimin për degradimin e PD dhe liderit të saj Berishëa në zëdhënës të Durim Bamit. E pashpjegueshme që të sulmojnë institucionet e vendit të mos respektojnë në asnjë gërmë rregulloren. Sjellja e sotme e PD e pashpjegueshme. Qëndrimi ynë i bërë qartë. Bindja jonë është se seanca duhet të vijojë në respekt të rregullores. Qytetarët janë ata që vlerësojë. Saliu i mbetur i pa punë pre 23 qershorit, ka zënë punën të re, zëdhënës i Durimit.”- tha Balla.

Ora 11:28 Raporti i Këshillit për arrestimin, Doshi s’merr pjesë në seancë

Ndërsa në Parlament diskutohet raporti i Këshillit të Imunitetit që ka pranuar ditën e djeshme kërkesën e Prokurorisë për arrestimin e deputetëve Mark Frroku dhe Tom Doshi, ky i fundit deri tani nuk është bërë pjesë e seancës Parlamentare.
Ndërkohë që deputeti tjetër nën akuzë, Mark Frroku ka marrë pjesë në Parlament madje është shprehur edhe se do të flasë gjatë seancës plenare 

Ora 11:15 Seanca nuk shtyhet, 5 minuta pushim

Dule: Zoti Berisha ju lutem, nuk është etike në një kohë që unë ju drejtohem ju ngriheni në këmbë. Ju lutem një vetëpërmbajtje elementare. Kemi një kërkesë nga opozita se ka paraqitur raportin e saj. Le të lexohet raporti i mazhorancës dhe i opozitës që e ka gati. Ky qëndron kërkesa për shtyrje, është në shkelje me rregulloren. Mos të përpiqet asnjëra palë për përfitime politike, jemi të gjithë duke u vlerësuar nga opinioni dhe shoqëria. Unë propozoj të fillojmë normalisht me deputetin Doshi dhe Frroku
(Opozita krijon zhurmë në sallë)

Dule: 5 minuta pushim 

Ora 11:13 Topalli: Seanca duhet shtyrë/ Dule: Rregullorja e ka ndryshe

Ish-kryetarja e Parlamentit, Jozefina Topalli ka kërkuar që seanca për kërkesën e Prokurorisë për arrestimin e Doshit dhe frrokut të shtyhet pas 48 orësh. Sipas saj rregullorja e parashikon që seanca duhet zhvilluar 48 orë pas dorëzimit të raportit.
Ndërkohë që nënkryetari i Kuvendit ia ka hedhur poshtë këtë argument duke lexuar nenin 118 pika 4 të rregullores. Pikë e cila raportet për heqjen e imunitetit vendoset pika e parë e rendit të ditës së seancës së parë.

Topalli: Rregullorja e Kuvendit thotë që çdo raport që vjen nga komisionet, detyron kreun e Kuvendit që të mos zhvillojë seancën 48 orë pas dorëzimit të Kuvendit. Raporti sapo është dorëzuar, seanca duhet të zhvillohetpas 48 orësh.

Dule: Nuk është e udhës të lexojmë rregulloren. Të gjithë e dimë. Neni 118 pika 4, kërkesa për heqjen e imunitetit vendoset pika e parë e rendit të ditës së seancës së parë pas përfundimit të raportit.

Rama: Për çështje të procedurës fjala jepet menjëherë. E kemi bërë këtë parlament qesharak prej një viti duke e bërë shkeljen e rregullore frymë të diskutimit këtu duke i thënë shqiptarëve një video si ajo e kopshtit zoologjik. Mjaft më me këtë farsë.

Dule: Zoti kryeministër parlamenti nuk mund të bëhet qesharak. 


Ora 11:08 Rama: PS do largohet nga Kuvendi nëse shkelet rregullorja
Rama: Po ju kërkoj edhe njëherë respektoni rregulloren dhe po ju citoj rregulloren: Në këtë seancë plenare fjala i jepet deputetit ndaj të cilit është paraqitur kërkesa për të dhënë shpjegime, raporti i Këshillit nuk është objekt diskutimi, votimi është i fshehtë. Së pari sot në këtë pikë jemi në një situatë specifike të caktuar nga rregullorja. Edhe përtej kësaj pike ju kërkoj të zbatohet rregullorja në këtë Kuvend. Unë ju siguroj se PS do të tërhiqet nga ky Kuvend në çdo moment që do të shkelet rregullorja. S’mund të pranojmë të japim çdo të enjte një shfaqje të shëmtuar 
Ora 10:55 Debatet Berisha-Dule
Berisha: Ndjehesh komod që ulesh në vendin e një njeriu të akuzuar për dy vrasje. Ai bllokon paraqitjen e provës se i ka dërguar në qeli Durim Bamit xhelatin e i ka thënë të pres kokat e fëmijëve nëse dëshmon të vërtetën. Nëse ky është trillim ai që e ka bërë meriton ndjekje vetëm për këtë. Por në rast se është e vërtetë aty duhet të ishte Ilir Meta. Ti je Parti e të drejtave të Njeriut, dhe në një farë mënyre me këto veprime duket sikur bëhej avokatia e Ilir Metës me bllokimin e provës, çka stononte me zhvillimin e seancës. A ka mundësi të votojnë njerëzit pa lexuar një gërmë këtu. Mirë ne që e ndoqëm seancë, por a duhet të njihen ata që se ndoqën. Të gjitha këto janë në funksion të një njeriu.
Dule: Askush në këtë sallë dhe në Këshill nuk e kishte të dëshirueshëm praninë e tij si në zhvillimin ashtu edhe në vendimmarrje. Ka dhe disa rregulla loje, drejtimi i seancës është e drejtë kushtetuese.
Rama: Ju lutem respektoni rregulloren dhe ti japim fund historisë ku bëhemi dëshmitarë të shkeljes së rregullores. Të procedojmë siç e parashikon rregullorja. Muhabetet e shtëpisë së oficerëve t’i bëjnë atje. 
Ora 10:50 Debate Topalli-Dule
Topalli: Zoti kryesues i seancës, në Parlament ka një histori, në zyrat e kryesisë së Kuvendit ka një arkivë. Shumë deputetë kanë qenë të pranishëm, ka pasur shumë kërkesa për heqje imuniteti. Në momentin që vjen një relacion nga prokuroria për të kërkuar heqjen e imunitetit, ka një praktikë, Këshilli i Rregullores e ka për detyrë për të kërkuar bashkangjitur me relacionin e Prokurorisë, dokumentet bashkëngjitur. Vota kundër e mazhorancës për të mos pranuar provat shtesë është e paprecedentë. Nuk mund të gjykohet pa provë, ju dje votuat kundër marrjes së provës. Unë ju kërkoj ti merrni prokurorisë provat dhe dokumentet shtesë.
Dule: Është një çështje që u diskutua edhe në Këshill. Kodi i Procedurës Penale është amenduar në 2014 dhe tashmë kërkohet vetëm relacioni. Rastet që ju i referoheni janë bërë më parë 

Ora 10:45 Nisin debatet ne Kuvend
Paloka: Ne sapo na erdhi një raport i Këshillit për Imunitetin që është përgatitur nga deputetët e mazhorancës dhe shohim që është përfshirë edhe mendimi i opozitës. Mendimi i opozitës do të paraqitet nga deputetët, nëse mazhoranca do marrë përsipër të thotë mendimin e opozitës nuk e dimë a kemi parlament pluralist. Kërkoj që mendimin e opozitës ta japë zoti Halimi.
Dule: Me kërkesën e pjesëtarëve të opozitës në mbledhjen e djeshme të Këshillit u shpreh kërkesa që në këtë raport të artikulohet edhe mendimi i opozitës i cili edhe është përfshirë. Nëse opozita kërkon të ketë raportin e saj pa asnjë problema do të lexohet në seancën plenare.
Halimi: Lidhur me atë që thoni ju zoti kryetar duhet ti themi qytetarëve të vërtetën. Në fjalën e deputetëve të PD u theksua në fund të mbledhjes se qëndrimi i deputetëve të PD duhet të shënohet qartë në procesverbal. Në përfundim të mbledhjes nuk u vendos se cila do të ishte data kur do paraqitej ky raport. Pas pak minutash në përfundim të mbledhjes, kur u tha se sot do të zhvillohej kjo seancë dhe raporti do ishte sot, unë ju kam telefonuar dhe në mungesë të përgjigjes ju kam cuar mesazh dhe ju e keni lexuar. Meqënëse se keni caktuar datën se kur do paraqitet raporti opozita do të paraqitet me raportin e saj. Kjo është e vërteta, apo jo zoti DUle?
Dule: Ju falenderoj për ndërhyrjen tuaj. Ju kujtoj për përmbylljen e diskutimit tonë të djeshëm në Këshill. Jemi dakord me kërkesën e Prokurorisë, raporti do të reflektojë pikërisht këtë qëndrim konsensual. 
Meta lë drejtimin e Kuvendin, ulet në karriken e Dules
Ashtu siç ka bërë edhe në mbledhjen e djeshme të Këshillit të Mandateve dhe Imunitetit të deputetëve, Kryetari i Kuvendit Ilir Meta ja ka lënë edhe sot stafetën e drejtimit të Seancës Parlamentare Vangjel Dules. Meta ka vendosur t’ia lërë drejtimin Dules, duke shmangur në këtë mënyrë zërat apo akuzat që mund të ngrihen ndaj tij për konflikt interesi, duke qenë se ai është i akuzuari i drejtpërdrejtë nga deputeti socialist Tom Doshi, me pretendimin se ka urdhëruar atentat ndaj tij.
Në seancën e sotme ai shikohet të jetë ulur diku nga fund i sallës në karrigen e deputeti Vangjel Dule.
Mazhoranca dhe opozita kanë bashkuar votat në orët e vona të mbrëmjes së djeshme për dhënien e autorizimit Kuvendit për arrestimin e deputetëve, Tom Doshi dhe Mark Frroku, kërkesë kjo e dërguar një javë nga Prokuroria e Përgjithshme dhe që pritet të votohet nga momenti në moment në Parlament. 

Ora 10:40 Kuvendi nis seancën nën drejtim e Vangjel Dules
Ashtu sikurse në mbledhjen e Këshillit për Mandatet dhe Imunitetin, Meta i ka lënë drejtimin e seancës parlamentare zëvendësit të tij Vangjel Dule.
Ora 10:15 Mark Frroku ne Parlament per mbrojtjen 
Kreu demokristian Mark Frroku do të jetë në parlament për të paraqitur argumentet e tij para deputetëve se përse sipas tij nuk duhet të vendosin kundër tij duke i hequr imunitetin. Lajmi konfirmohet nga burime për A1 Report, ndërsa gjatë mbledhjes së këshillit të Mandateve dhe Imunitetit mbrëmjen e së mërkurës deputeti u përfaqësua nga dy avokatët. 
Ora 10:00 Mbaron mbledhja e grupit të PD, opozita nuk voton për Doshin dhe Frrokun
Ora 09:40 Demokratët diskutojnë mundësinë për të mos marrë pjesë në votimin “Doshi-Frroku” 
Para nisjes së seancës së sotme plenare kreu demokrat Lulzim Basha ka mbledhur grupin parlamentar. Sipas burimeve nga selia blu për A1 Report, pavarësisht se një ditë më parë votuan pro kërkesës së prokurorisë, demokratët pritet të bojktojnë votimin e sotshëm në Kuvend. Sipas të njëjtave burime, ky vendim vjen për faktin se Këshilli i Mandateve dhe Imunitetit nuk pranoi të merrte në shqyrtim si provë videon e dytë që deputeti i përjashtuar nga PS Tom Doshi pretendo se zotëronte, e ku sipas tij shfaqet i ndaluari nga Fushë-Kruja Durim Bami duke thënë se deri më tani ka dëshmuar para hetuesve nën kërcënimin e njerëzve me pushtet.
Rendi i ditës i seancës plenare
1. Miratimi i procesverbalit të seancës plenare, datë 19.03.2015.
2. Kërkesa e Prokurorit të Përgjithshëm “Për dhënie autorizimi për fillimin e ndjekjes penale për arrestimin ose heqjen e lirisë si dhe për të ushtruar kontroll personal dhe të banesave të deputetëve Tom Doshi dhe Mark Frroku”. (shqyrtimi në seancë në varësi të paraqitjes së raportit të Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin sipas nenit 118/4 të Rregullores)
Shprehen deputetët Tom Doshi dhe Mark Frroku
Paraqitja e raportit të Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin
Koha e votimit
3. Projektligji “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 8097, datë 21.3.1996, “Për pensionet shtetërore suplementare të personave që kryejnë funksione kushtetuese dhe të punonjësve të shtetit”, të ndryshuar”. (shumicë e thjeshtë)
4. Projektligji “Për ratifikimin e marrëveshjes së grantit, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë, përfaqësuar nga Ministria e Financave, dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, si administrator për fondet e granteve, për ndërtimin e kapaciteteve për konçensionet për investimet në energji dhe industri”. (shumicë absolute)
5. Projektligji “Për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Italisë, për mbrojtjen e ndërsjellë të informacionit të klasifikuar”. (shumicë absolute)
6. Projektvendim “Për shqyrtimin me procedurë të përshpejtuar të projektligjit “Për ratifikimin e marrëveshjes kuadër, ndërmjet Republikës së Shqipërisë, përfaqësuar nga Këshilli i Ministrave i Republikës së Shqipërisë dhe Komisionit Europian për rregullat e zbatimit të asistencës financiare të BE-së për Shqipërinë, në kuadër të instrumentit për asistencën e paraanëtarësimit (IPA II)”. (shumicë e thjeshtë)
7. Projektrezolutë “Për vlerësimin e punës së Entit Rregullator të Ujit për vitin 2014”. (shumicë e thjeshtë) Shprehet komisioni përgjegjës për Veprimtaritë Prodhuese. Tregtinë dhe Mjedisin
8. Diskutime për çështje jashtë rendit të ditës.
Koha e diskutimeve deri në 60 minuta.