I gjithë pushteti nën këmbët e Berishës

502
Sigal

 PROKURORI I PËRGJITHSHËM/ Dje Presidenti Bujar Nishani dekretoi Adriatik Llallën si pasardhësin e Ina Ramës

 Dekreti i Presidentit të Republikës me Nr. 7840 dt.03.12.2012 për emërimin e kreut aktual të ILDKP, Adriatik Llallës si Prokurori i Përgjithshëm, duket se i ka vënë kapak debateve të nisura prej ditësh në lidhje me emrin dhe kandidaturën më të përshtatshme apo më të pranueshme sikurse parapëlqehej në korridoret e politikës shqiptare. Madje aq shumë ju kushtua rëndësi këtij posti saqë nuk mjaftuan ambasadorët europianë, por u deshën edhe deklaratat e Departamentit të Shtetit të SHBA-ve a thua se po diskutohej për shefin e CIA-s dhe jo një prokurore që në këto 20 vite është i gjashti që ngjitet në karrigen e luftës kundër krimit, ku shumica e të parëve kanë dështuar apo kanë dalë të implikuar prej saj. Dhe për çudi kriminaliteti sa vjen e shtohet dhe  trafikantët apo shpërndarësit e drogës janë bërë aq shumë sa mund të krijojnë një batalion po t’i mbledhim nga 3 ,4 apo 5 çdo dite. Por sa për të qeshur dhe për të qarë nga ana tjetër të bënë fakti se, në njoftimet zyrtare thuhet se, janë kapur disa  kg drogë, në çanta, makina në trajlera, diku më tej me kuintalë apo furgonë të rrafshuar që kalojnë sasinë mbi një ton brenda porteve të vendit. Dhe po t’i mbledhim këto, vetëm brenda muajit i takon që të krijohen hambarë të tërë dhe tonelata që nuk dihet, ku janë mbjellë apo nga kanë hyrë. Nejse ne nuk do analizojmë punën e Prokurorisë apo të kriminalitetit që është në ditën më të zezë në të njëjtat parametra si ato të ‘97-s me vrasje dhe larje hesapesh. Ne sot duke marrë shkas nga dekreti presidencial për emërimin e Kryeprokurorit të ri të vendit. Dihet që ndërprerja e mandatit të prokurores aktuale dhe largimi i saj e ka zanafillën nga marrëveshja Rama-Berisha, të cilët vendosën kufizimin e mandatit të Prokurorit të Përgjithshëm për një afat jo më shumë se 5 vjet.  Dekretimi i Prokurorit të ri duket se është bërë me një lloj arrogance nga maxhoranca  duke shpërfillur aleatët e vetë dhe sidomos LSI-në, partia që e solli në pushtet PD-në në 2005-n dhe po LSI-ja ishte partia që e mbajti në pushtet në 2009 –n. Mesa duket demokratët nëpërmjet vetos morën përsipër të gjitha pushtetet e pavarura si ato të drejtësisë, të kontrollit dhe hetimit. Por një gjë e tillë do jetë me shumë pasoja në marrëdhëniet PD-LSI  dhe burimet brenda LSI-së bëjnë me dije se asnjë lloj “joshjeje apo lëshim” i mëvonshëm nga PD-ja nuk do të na tërheq nga vendimmarrja jonë për të mos bashkëpunuar  pas qershorit të 2013-s me PD-në. Ne ju përmbajtëm të gjitha pikave të marrëveshjes me PD-në, por nga ana e kësaj të fundit ne nuk patëm të njëjtën mbështetje dhe se demokratët duhet ta kenë të qartë se nëse sot kanë mbi 80% të pushtetit e kanë vetëm nga LSI-ja, sepse do ishin në opozitë dhe zgjedhjet lokale treguan se, në Tiranë së bashku me 20 mijë votat tona mezi e balancuan PS-në. Nëse PS-ja do të ishte në aleancë me LSI-në jo vetëm bashkinë qendrore, por edhe të gjitha minibashkitë do t’i kishte marrë. Sot marrëdhëniet tona me PD-në janë vetëm një formalitet dhe se, mënyra se si përflitet LSI-ja apo detyrimi për të larguar nga puna kohët e fundit përfaqësuesit tanë na detyron që ta konsiderojmë bashkëjetesën me PD-në, njëlloj sikurse “në një kafaz të futësh ujkun dhe qengjin”. Mesa duket, Berisha dhe demokratët i morën të gjitha pushtetet e pavarura falë papërgjegjshmërisë së PS-së për ndryshimet  kushtetuese, pjesë e marrëveshjes Rama –Berisha. Kjo bëri që LSI-ja, e cila e solli dhe e mbajti në pushtet PD-në të mos marrë asnjë nga këto institucione, kur dihet fare mirë se vetë pozita e sotme kur ishte në opozitë para 2005-s  mori edhe Presidentin konsensual, por të propozuar nga ajo, mori kreun e KLSH-së, Guvernatorin e Bankës Qendrore, ndërsa aleatit të saj nuk i dha atë që kishin vendosur në zgjedhjet e 2009-s. Gjithsesi, Berisha me emërimin e Prokurorit të ri theu akullin me partinë e Bamir Topit duke vendosur një të besuar të tijin dhe kjo, u duk menjëherë, kur FRD-ja deklaroi se e njohim dhe e mbështesim këtë kandidaturë. Llogaritë janë bërë duke llogaritur limitin që i duhet për kalimin në Kuvend të kandidaturës dhe më këtë rast Berisha me “një gurë vret dy zogj”. E para, i tregoi “dhëmbët” Metës, por që nuk do të kalojë kollaj, pasi dihet që Ilir Meta është një kockë e fortë që nuk kapërdihet kollaj. E dyta bënë për vete Bamir Topin dhe i merr votën Gazmend Oketës, pa të cilin jo vetëm që nuk zgjidhet Prokurori i ri, por rrëzimi i tij do të thotë automatikisht edhe kalimi në qeveri teknike dhe zgjedhje të parakohshme. Ditët e ardhshme do të jenë plotë ngrica në marrëdhëniet PD-LSI dhe se mbarimin e kësaj marrëveshjeje do të ndryshojnë edhe raportet e pushtetit lokal, ku një bashkim votash mes PS-së dhe LSI-së bënë që 74% e pushtetit lokal në shkallë Republike të administrohet nga ky koalicion i ardhshëm. Berisha do të përpiqet të shuajë qejfmbetjet dhe ndarjen duke i ofruar LSI-së postin e ILDKP-së, që lë vakant Llallaj, por një gjë e tillë nuk do të zbusë krisjen që ka nisur dhe pret vetëm fundin e mandatit qeverisës. Ajo që duhet theksuar në emërimin e Kryeprokurorit të ri është fakti që Edi Rama ndihet disi i tradhtuar, kur flitet për disa lidhje mes prokurorit të ri dhe disa deputetëve të PS-së dhe sidomos, me kreun e grupit parlamentar të socialisteve, Ruçi dhe mbështetjen që disa deputetë të majtë do i japin Prokurorit të ri nëse do shkojnë në votime. Nëse Rama do të kërkojë të mos jetë e pranishme opozita në Parlament gjatë votimit të Kryeprokurorit për shkak të ndërprerjes së mandatit që iu bë Ina Ramës nga maxhoranca aktuale.  Nga ana tjetër, mbledhja e të gjitha pushteteve në një dorë të vetme sikurse është ajo partisë në pushtet, të krijon idenë se, vetëm në kohën e diktaturës këto pushtete punonin për individët dhe jo qytetarin. Një analist i njohur i SHBA-ve i pyetur para disa kohësh për marrjen e pushteteve nga një parti e vetme dhe përgjumjen e opozitës së një vendi u shpreh: “Askush nuk duhet të kënaqet kur një vendi i asfiksohet opozita. Kjo është e rrezikshme për fatet e demokracisë së atij vendi dhe se marrja në një dorë e pushtetit legjislativ, administrativ dhe gjyqësor pjell rrezikun e diktaturave të reja”.

Flasin për “Telegraf”:

Prof. Dr. Sabit Brokaj

Po, tani mund të thuhet pa diskutim se me dekretimin e Kryeprokurorit të ri, të gjitha pushtetet janë vënë nën këmbët e Berishës. Kështu u shpreh për “Telegraf”, Prof. Dr. Sabit Brokaj. Më tej ai shtoi se, këtë hap Berisha e ndërmori se do Kryeprokurorin për periudhën para zgjedhjeve dhe sidomos për zgjedhjet e vitit të ardhshëm.

 Armando Subashi, deputet i PS-së

Unë nuk mund ta paragjykoj politikisht Kryeprokurorin e ri dhe mendoj se nuk ka lidhje me zgjedhjet e mëparshme në poste të tjera. Kështu deklaroi dje deputeti socialist Armando Subashi, ish -koleg i dikurshëm i zotit Alla. Subashi tha se, PS ka pasur qëndrimin e saj të qartë lidhur me mandatin e zonjës Ina Rama, por jo për emrat konkretë, që do e zëvendësojnë atë. Ky nuk është problem emrash, është problem parimor, përfundoi Subashi.

 Nishani: “Zgjedhjet parlamentare do mbahen më 23 qershor 2013”

Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishani, dekretoi datën 23 qershor 2013 për mbajtjen e zgjedhjeve Parlamentare. Sipas njoftimit nga Presidenca, “bazuar në nenin 92 shkronja “gj” dhe 93 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, si dhe të nenit 9, paragrafi 1, të ligjit nr. 10019 , datë 29.12.2008 “Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë” i ndryshuar, zgjedhjet për Kuvendin të zhvillohen ditën e dielë, më datë 23 qershor 2013”. Data e zgjedhjeve duket se ka qënë e vetmja pikë me të cilët janë bashkuar palët, pasi është shprehur edhe në takimet e forcave politike me kreun e shtetit.

“Kryeprokurori i ri”, Adriatik Llalla dekretohet nga Presidenti Nishani si pasardhës i Ina Ramës

 

Llalla: “Sfidë dhe përgjegjësi”

Adriatik Llalla, kreu i Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive, dekretohet nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishani, për postin e Prokurorit të Përgjithshëm. Lajmi bëhet i ditur nga zyra e Presidencës, e cila publikon dhe dekretin për emërimin e pasardhësit të Ina Ramës, i cili hyn në fuqi menjëherë. “Në mbështetje të nenit 93 dhe nenit 149.1 të Kushtetutës, si dhe të nenit 7, pika 1, të ligjit nr. 8737 , datë 12.02.2001 “Per organizimin dhe Funksionimin e Prokurorisë në Republikën e Shqipërisë, i ndryshuar, D e k r e t oj : Zoti Adriatik Llalla, emërohet Prokuror i Përgjithshëm i Republikës së Shqipërisë. Ky dekret hyn në fuqi menjëherë. Nr. Dekretit 7840”, thuhet në dekretin e Presidentit. Ashtu  siç ishte parashikuar mandatit të kryeprokurores Ina Rama po i vjen fundi, pas dekretimit të Adriatik Llallës, i cili pritet të zërë vendin e saj në krye të organit të akuzës. Ishte vetë Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, i cili pas konsultave me partitë politike paralajmëroi se mandati i Ina Ramës përfundon më 22 nëntor, duke formalizuar edhe qëndrimin e maxhorancës për këtë çështje, ndërkohë që opozita kundërshtoi vendimin duke theksuar se mandati i kryeprokurores përfundon më 23 maj 2013-të, datë kur është dhe afati i përcaktuar në ndryshimet kushtetuese të vitit 2008, ku përcaktohet mandati pesëvjeçar i kryeprokurorit.

Llalla: Pozicionin e shoh si sfidë dhe përgjegjësi
Kandidati për Kryeprokuror të Përgjithshëm, Adriatik Llalla e vlerëson pozicionin e ri si sfidë dhe përgjegjësi njëherësh. Në një prononcim për mediat Llalla shprehet se do të vijojë në krye të ILDKP-së deri në momentin që dekreti i sotëm i presidentit Bujar Nishani të votohet. Llalla bën me dije se ka marrë telefonata urimi edhe nga opozita. “Padiskutim që kam pasur telefonata urimi, familja, dashamirës edhe nga opozita, nga të gjithë. Nuk është ende momenti për të diskutuar, janë disa procese të tjera që duhen kaluar”,- deklaroi Llalla.

NISHANI: JA PSE ZGJODHA LLALLËN

Më 14 tetor 2008 Adriatik Llalla mori zyrtarisht detyrën e Inspektorit të Përgjithshëm të Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive, post të cilin e gëzon edhe aktualisht. Në relacionin shoqërues të dekretit, Presidenti shpjegon se ka përzgjedhur për funksionin e Prokurorit të Përgjithshëm Z. Adriatik Llalla, duke vlerësuar eksperiencën e gjatë në strukturat e Prokurorisë. “Me Dekretin Nr. 7840, datë 3.12.2012 kam vendosur të emëroj si Prokuror të Përgjithshëm Z. Adriatik Llalla. Ndërmjet disa kandidaturave, përzgjodha për funksionin e Prokurorit të Përgjithshëm Z. Adriatik Llalla, pasi vlerësova eksperiencën e gjatë në strukturat e Prokurorisë, institucion në të cilin ka kryer funksione të ndryshme. Vlerësova gjithashtu zgjedhjen e tij konsensuale nga Kuvendi i Shqipërisë në pozicionin e Inspektorit të Përgjithshëm të ILDKP, institucion, i cili nga partnerët tanë ndërkombëtarë është vlerësuar si i konsoliduar dhe i pavarur. Kam bindjen se kjo kandidaturë gjen gjithashtu vlerësimin dhe pranimin jo vetëm të faktorit politik, por edhe të opinionit publik”, thuhet në relacionin e kreut të shtetit.

KARRIERA
Zoti Adriatik Llalla është zgjedhur Inspektor i Përgjithshëm i Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive më 09.10.2008 nga Kuvendi i Shqipërisë, me propozim të Presidentit të Republikës së Shqipërisë, dekret datë 14.07.2008. Zoti Llalla ka kryer studimet e Larta në Universitetin e Tiranës, Fakulteti Drejtësisë, Titulli Jurist. Në muajin Janar të vitit 1998 ka filluar karrierën profesionale si Oficer i Policisë Gjyqësore në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Lushnje. Më pas u emërua Prokuror në këtë Prokurori detyrë në të cilën punoi nga viti 1999-2002. Nga viti 2002-2003 ka punuar si Prokuror në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Kavajë. Në vitin 2003 është emëruar Drejtues i Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Fier detyrë në të cilën ka punuar deri në vitin 2005. Nga viti 2005-2008 ka punuar si Zv.Drejtues i Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë. Në vitin 2006 zgjidhet anëtar i Këshillit të Prokurorisë dhe nga viti 2007-2008 ka qenë Kryetar i Këshillit të Prokurorisë. Më datë 4 Maj të vitit 2010 zgjidhet Kryetar i Rrjetit të Ekspertëve të Integritetit, pjesë e të cilit janë institucionet përgjegjëse për parandalimin e konfliktit të interesave dhe deklarimit të pasurive për shtetet e Europës Jug-Lindore dhe disa vende të tjera të Europës. Në vitin 2011 ka përfunduar Masterin për “Të Drejtë Penale”, në Fakultetin Juridik të Universitetit të Tiranës. Zoti Llalla ka njohuri shumë të mira në gjuhën angleze.