I dërguari i Merkel i tërheq veshin opozitës: Ndryshimi vjen nga zgjedhjet. Absurd qëndrimi në çadër

472
Ministri i jashtëm i Gjermanisë po zhvillon një vizitë zyrtare në Tiranë. Gjatë konferencës për mediat me homologun shqiptar Ditmir Bushati, duke u ndalur tek protesta e opozitës e cila ka bojkotuar Kuvendin, Sigmar Gabriel theksoi se është absurde fakti se deputetët e zgjedhur, refuzojnë të bëjnë punën e tyre në Parlament, ndërsa kërkoi dialog për zgjedhjen e ngërçit politik.

“Ju e dini se zhvillimet ne rajon janë mjaft të rëndësishme. Shqipëria është mjaft e rëndësishëme për rolin që ka në rajon. Ne mbështesim perspektivën për vendet që duan të jenë anëtare të BE-së. Në të shkuarën në të gjithë rajonin interesat e qytetarëve nuk kanë qenë në vëmendje të poltikaneve. Është shteti ligjor ai që duhet të jetë parësor. Ne kemi qenë të gëzuar që në Parlamentin shqiptar u mundësua me konsensus miratimi i ligjeve të rëndësishme dhe tani konstatojmë se reforma në drejtësi po pengohet. Pra kjo është absurde që deputetët e zgjedhur refuzojnë të bëjnë punën e tyre në parlament. Është e paimagjinueshme që opozita përpiqet të ndryshojë gjendjen jo përmes zgjedhjeve, por përmes bojkotit. Për ne është mjaft e rëndësishme që mbi bazën e Kushtetutës dhe ligjeve të zbatohet reforma në drejtësi”- tha ministri i jashtëm gjerman.

Ndërkohë ministri Ditmir Bushati vlerësoi mbështetjen e dhënë nga Gjermania, ndërsa u shpreh se ka informuar homologun gjerman për situatën politike në Shqipëri.

“I shpreha gjithë mirënjohjen mikut Gabriel për mbështetjen që na ka dhënë sidomos në rrugën e reformave shtetformuese. Pata mundësinë që të këmbejmë me ministrin Gabriel pikat tona të vështrimit mbi situatën e sigurisë në Ballkan. Ndamë pikëpamjet se procesi i Berlinit e ka rigjallëruar bashkëpunimin rajonal duke theksuar nevojën për projekte konkrete në turizëm dhe fusha të tjera. E informova kolegun gjerman për zhvillimet në Shqipëri, sidomos për zbatimin e reformës në drejtësi. Dëshiroj të shpreh falënderimet jo vetëm për reformën në drejtësi, por edhe për mbështetjen në fusha të tjera. Për ne respektimi i demokracisë dhe zhvillimi i debateve brenda institucioneve janë elemente thelbësorë për vijimin e reformave shtetkonsoliduese”- tha Bushati.

Kujtojmë se ministri i jashtëm gjerman është zyrtari i dytë evropian që përcjell mesazhe për dialog politik dhe zgjidhjen e ngërcit poltik, pas ministrit të jashtëm holandez i cili kërkoi të njëjtën gjë gjatë konferencës me herët me ministrin Ditmir Bushati.
Sigal