Hysni Burgaj sfidon ligjin, rimerr në punë Breçanin, që kërkoi rrëzimin e Kryeministrit të zgjedhur

507
Sigal

 Policia trembet të përballet me kriminelët e drogës

 Edhe pse policia italiane ndihmoi policinë shqiptare që të evidentojë parcelat e mbjella me bimë narkotike, deri tani, policia shqiptare ka mundur të shkulë vetëm disa dhjetëra rrënjë në Pukë. Ndërsa në Lazarat, edhe pse u pohua dhe u pranua nga vetë drejtuesit e policisë së shtetit që xhirua  vjetore, nga tregtimi i bimëve narkotike, arrin  në 4.5 miliardë euro, policia e shtetit nuk guxon që të ndërmarrë asnjë aksion që të shkulë qoftë edhe një rrënjë të bimëve narkotike. Madje, janë kultivuesit e bimëve narkotike, që guxojnë edhe të gjuajnë me armë, siç ndodhi pardje, ku në Gjirokastër, u plagos një e re , nga ato plumbat qorre që mbërrijnë në qytet, nga të shtënat e armëve që bëjnë bosët e drogës. Përse policia e shtetit nuk ndërhyn asnjëherë në Lazarat e të shkatërrojë plantacionet e bimëve narkotike? Është e pafuqishme Policia e Shtetit përballë bosëve të drogës? Është kaq i pafuqishëm vetë shteti përballë Lazaratit të drogës? Apo janë të paaftë drejtuesit e policisë së shtetit për të luftuar krimin dhe drogën?

Burgaj arreston punëtorët, ngaqë nuk arreston dot bosët e drogës

Bosët e kultivimit të bimëve narkotike në Lazarat, hapur e në mes të ditës, shkojnë në Gjirokastër dhe marrin punëtorë, që të punojnë në plantacionet e bimëve narkotike, thua se ata janë kooperativa e kultivimit të duhanit. Autobotet e mbushura më ujë, çdo ditë përshkojnë itinerarin Lazarat- Gjirokastër, për të përballuar nevojat e ujitjes të bimëve narkotike të plantacioneve të Lazaratit, ndërsa Policia e Shtetit, është në rolin e një dispeçeri, që inventarizon rrugëtimet e autoboteve, pa mundur që të ndërhyjë. Dhe, për të justifikuar “luftën kundër drogës” policia e shtetit ndërmerr ndonjë aksion, duke arrestuar punëtorët e gjorë, që janë vite të papunë, dhe për një ditë pune, rrezikojnë jetën, për të punuar qoftë edhe një ditë në plantacionet e drogës. Këta punëtorë, policia e zotit Burgaj i arreston në rrugë, pa asnjë provë faji, dhe në asnjë rast policia e Burgaj, nuk ka arrestuar asnjë punëtorë në plantacionet e bimëve narkotikë. Arsyeja, përse?

E thjeshtë! Policia e shtetit është e pafuqishme që të prekë qoftë edhe një rrënjë bime narkotike që kultivohet në plantacionet e Lazaratit. Duket që Lazarati është shtet brenda shtetit, ku atje sundon ligji i bosëve të drogës, aq sa policia e Hysni Burgaj, i ngjan një kali plak, që është në pragun e ngordhjes.

Braçani, që bëri thirrje të rrëzohet Kryeministri i zgjedhur, është sërish në punë si zv/komisar

Zv/drejtor i policisë së Tiranës, Erzen Breçani, më 2 korrik 2013, 10 ditë pas zgjedhjeve, bëri  thirrje  publike, gjithë mbështetësve të Partisë Demokratike që ashtu siç bënë në vitin 1991, të ngrihen për të larguar me dhunë kryeministrin e ardhshëm Edi Rama. Breçani nëpërmjet një postimi në faqen e tij personale në ‘Facebook’, teksa përshëndet kryeministrin Berisha duke e etiketuar si liderin historik të shqiptarëve, etiketon Ramën si “Enver Hoxha i dytë” dhe “Hitler që do të gjunjëzojë shqiptarët”. Më 3 korrik, Hysni Burgaj pezullon vetëm me një muaj Erzen Breçanin për komentet në rrjetin social,ku quajti Edi Ramën si Hitler dhe hodhi thirrje për rrëzim. Ky afat shërben për hetimin nëse nëndrejtori i Policisë së Tiranës i ka shkruar vetë ato fjalë. Dhe dje gazeta “Telegraf” kontaktoi me vetë zotin Breçani, nëse është në detyrë. Zoti Breçani, me çiltërsi, pohoi se vazhdon të punojë në detyrën që ishte në policinë e shtetit. Zoti Burgaj nuk ka bërë publike deri tani asnjë rezultat të hetimeve, që të justifikojë rimarrjen në punë të Breçanit. Ndoshta, për zotin Burgaj, thirrjet e Berçanit, si zv/komisar i policisë së Tiranës, që të rrëzohet me dhunë Kryeministri i zgjedhur Edi Rama, janë të ligjshme dhe në përshtatje me bindjet e tij politike, ndaj nuk ka …problem ligjor. Ky është perceptimi i shtetit ligjor që ka drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit Hysni Burgaj!