Hysen Osmanaj, ish-anëtar i KQZ/ Këshilli Bashkiak nuk merr dot vendim për kryebashkiaken. Ademi në detyrë deri në zgjedhjet e reja

964
Sigal

Hysen Osmanaj, ish-anëtar i KQZ-së

Këshilli Bashkiak i Shkodrës nuk ka kompetenca ligjore për të marrë as një vendim për Kryetaren aktuale të Bashkisë

Voltana Ademi do të qëndrojë në krye të Bashkisë Shkodër deri në zgjedhjet e reja

Jakup B. GJOÇA

Hysen Osmanaj, ish-anëtar i KQZ-së në intervistën për gazetën “Telegraf” sqaron, se si mund të zgjidhet ngërçi i vakancës së kryebashkiakut të Shkodrës. Kryetari i Grupit Parlamentar të PS-së Taulant Balla deklaroi para disa ditësh, se Këshilli Bashkiak do të zgjedhë një zëvendëskryetar të bëjë detyrën e kryebashkiakut deri në zgjedhjet e reja. Mirëpo, Hysen Osmanaj, e hedh poshtë këtë pohim të Taulant Ballës, duke argumentuar, se Këshilli Bashkiak nuk i ka kompetencat që të zëvendësojë kryebashkiakun, ndërkohë as KQZ-ja nuk mund të caktojë dot datë për zgjedhje të pjesshme për bashkinë e Shkodrës vetëm për kryebashkiak. Zoti Osmanaj argumenton se Presidenti i Republikës ka caktuar 13 tetorin për zgjedhje të përgjithshme vendore, pra, nuk mund të bëhen as në 13 tetor vetëm zgjedhje për Bashkinë e Shkodrës. Zoti Osmanaj thotë se këtë ngërç institucional për vakancën e kryebashkiakut të Shkodrës e zgjidh vetëm Gjykata Kushtetuese, dhe, ndërkohë, Voltana Ademi do të kryejë detyrën e kryebashkiakes deri në betimin e kryebashkiakut të ri.

-Zoti Osmanaj, si do të plotësohet vakanca në Bashkinë Shkodër, e cila është krijuar si rezultat i dorëheqjes para se të bënte betimin nga kandidati fitues në votimet moniste të 30 Qershorit?

KQZ-ja, votimet e 30 qershorit i ka cilësuar të vlefshme dhe janë shpallur rezultatet në shkallë vendi, për rrjedhojë KQZ-ja i ka dhënë mandatin e kryetarit të bashkisë zotit Pjetri dhe KQZ-ja nuk mund të merret me bashkinë Shkodër, pasi ligjërisht nuk ka më kompetencë të caktojë datë zgjedhjesh. KQZ-ja ka kompetencë për të përsëritur zgjedhjet vetëm në rastin kur votimet shpallen të pavlefshme, përcaktuar në nenet 160 e 161 të Kodit Zgjedhor. KQZ-ja me kryetarët dhe anëtarët e Këshillit bashkiak të mandatuar nga vetë ky institucion mund të merret vetëm nëse janë subjekte të ligjit të dekriminalizimit, atëherë është detyrë e KQZ-së të marrë vendim, a duhet të qëndrojë në detyrë apo të shkarkohet, por dhe në këtë rast po u krijua vakanca për kryetar bashkie, i vetmi institucion që cakton datën e zgjedhjeve është Presidenti i Republikës, bazuar në amandamentet Kushtetuese në fuqi. Aktualisht ne jemi në momentin kur zoti Pjetri ka marrë mandatin e kryetarit të bashkisë nga KQZ-ja, e ka vërtetuar nga gjykata e Rrethit Gjyqësor Shkodër, por nuk ka kryer betimin para Këshillit bashkiak, duke dhënë dorëheqje, si rrjedhojë në mbështetje të ligjit Nr. 139/2015 “Për Qeverisjen Vendore” nenit 60 pika 3 mandati nuk është i vlefshëm, në këtë moment është krijuar vakanca e Kryetarit të Bashkisë. Në nenin 60 pika 4 është e sanksionuar se ushtrimi i mandatit të Kryetarit të Bashkisë fillon në çastin kur ai bën betimin dhe përfundon kur bën betimin kryetari pasardhës.

Në rastin kur Kryetari i Bashkisë nuk pranon të bëjë betimin, atëherë mandati i kryetarit quhet i përfunduar para kohe mbështetur në germën (a) të pikës 1 të Nenit 61 të ligjit Nr. 139/2015 “Për Qeverisjen Vendore”. Në zbatim të pikës 4 të nenit 61 të këtij ligji, me përfundimin e mandatit para afatit organizohen zgjedhje të pjesshme vetëm për Kryetarin e Bashkisë që është krijuar vakanca në përputhje me dispozitat e Kodit Zgjedhor. Mbështetur në procedurat ligjore në fuqi, të cituara më lart Voltana Ademi është e detyruar të qëndrojë në detyrë deri sa të përfundojnë votimet në Bashkinë Shkodër dhe në momentin që bën betimin kryetari i ri përfundon ushtrimin e mandatit znj. Ademi.

– A mund ta kryejë detyrën e Kryetarit të Bashkisë një zëvendëskryetar i zgjedhur nga Këshilli Bashkiak, deri në zgjedhjet e reja?

– Në rastin e Shkodrës nuk mund të zbatohet pika 5 e nenit 61 të ligjit për qeverisjen vendore i cili përcakton se në rastin e përfundimit të parakohshëm të mandatit të Kryetarit të Bashkisë deri në zgjedhjen e kryetarit të ri funksionet e tij i kryen zëvendëskryetari, sepse nuk jemi në rastet kur kryetari i votuar më 30 Peshor ka bërë betimin dhe ka ushtruar mandatin, pra nuk jemi në rastet e përcaktuar nga neni 61, pika 1, germa b, c, ç, d, dh dhe e që të zbatohet kjo procedure.

Si mund te zgjidhet ngërçi për Kryebashkiakun e Shkodrës deri sa Presidenti ka dekretuar 13 Tetorin?

– Për dekretimin e datës së zgjedhjeve mbështetur në amandamentet kushtetuese është vetëm Presidentit i Republikës që dekreton datën e zgjedhjeve pasi të informohet nga Këshilli i Ministrave për vakancën e krijuar. Më 13 Tetor KQZ-ja nuk mund të bëjë zgjedhje të pjesshme pasi dekreti i Presidentit është për zgjedhje vendore në shkallë vendi, pra dhe Presidenti nuk mund të dekretojë zgjedhje të pjesshme, kur ka dekretuar zgjedhje vendore në shkallë vendi më 13 Tetor dhe për rrjedhojë jemi në një ngërç institucional, të cilin mund ta zgjidhë vetëm Gjykata Kushtetuese. Çfarëdo veprimi i një institucioni tjetër është në shkelje të ligjit zgjedhor dhe atij kushtetues. Si rrjedhojë Kryetari i Bashkisë Shkodër do jetë Znj. Ademi, e cila do punojë me këshillin e ri bashkiak deri sa të marrë vendim Gjykata Kushtetuese dhe të bëhet betimi i kryetarit pasardhës. Këshilli Bashkiak i Shkodrës nuk ka kompetenca ligjore për të marrë as një vendim për Kryetaren aktuale të Bashkisë.

-Faleminderit!