Humbja, hallet, agallarët, qehallarët dhe “çelësat e kullës” së rrënuar PD

569
Përparim HALILI
Kushdo e ka kuptuar tashmë, se brenda Partisë Demokratike nuk po zhvillohet fushatë zgjedhore për drejtimin e punëve në të ardhmen e kësaj partie, por kacafytje mes dy palëve, në dy linja të kundërta. Nga njëra anë është Lulzim Basha, kryetari “i ngrirë” që po lëviz, po inskenon, po kacavirret e përpëlitet për të mos e lëshuar kolltukun e partisë edhe pas humbjes së 25 qershorit. Kundër përpjekjes së tij, të mbajtur heshturazi me “serum” nga “doktori” i PD, janë pozicionuar drejtues, të zgjedhur qendror e lokal, anëtarë, kontribues dhe emra historikë të kësaj partie në zona, të drejtuar nga një prej figurave kryesore e potenciale të kësaj partie, Astrit Patozi, me platformën “Kryetar lësho partinë”, duke i bërë thirrje edhe “doktorit”, që “t’ia heq serumin” për mandatin e dytë si kryetar! Humbja më 25 qershor 2017, me mesatare 0.2 deputet për çdo degë të PD në rrethe, ka hapur e “plagët mbuluara e të mahisura”, duke ndarë në 3 grupe këtë parti:

1. Grupi i kryetarit Basha, që nuk dorëhiqet pas humbjes dhe nuk tërhiqet nga data e zgjedhjeve.
2. Grupi i kundërshtarëve të Bashës, që po e sulmojnë me akuzën “për uzurpim dhe shkatërrim të partisë”.
3. Grupi i atyre që po presin, se cili do të jetë fituesi, për ta duartrokitur e shkuar prapa.
Akuza, klane, prapaskena, kaos
Partia Demokratike, qysh mesnatën e 17 majit 2017 ka braktisur me vetëdije pozicionin e saj si opozitë, duke lënë kryeministrin në vazhdim, të bëjë “gallatë” me këtë popull e më këtë vend. Deputetët e rinj të listës, nuk po dalin ende në “fushë” as për “nxehje” si përfaqësues politikë të saj, për të nisur qoftë edhe formalisht betejën me pushtetin e “rilindjes”, por po “punojnë” të mbledhin vota për kryetarin që i shpërbleu me mandate deputeti! Brenda “tepsisë” së “rilindjes”, ministrat teknikë të PD kanë filluar të bashkë-qeverisin “më urtë”. Faktikisht PD është në paralizë e udhëkryq, jo se nuk di nga të shkoj tani, jo se nuk dihet nga cilët do të komandohet pas 22 korrikut 2017, por sepse anëtarët nuk e dinë se në ç’drejtim do të orientohen pas zgjedhjes së kryetarit! Kryetari Basha po kërkon nga anëtarësia vazhdimësinë në krye të PD, me “betimin” se do ta rrëzoj nga pushteti “klikën e republikës së hashashit”, por që brenda së cilës ka 6 ministra dhe 1 zv/kryeministër, të cilët duhet t’i rrëzojë të parët (t’i largojë). Kundërshtarët brenda PD e akuzojnë humbësin “krenar” që po kërkon vazhdimësinë në krye të partisë, për shitje të listës së kandidatëve për deputetë, për shitje të mandateve më 25 qershor, për pazar të fshehtë anti-PD me kundërshtarin. E akuzojnë për dhunim të Statutit, për shkatërrim të strukturave të partisë, për tjetërsim të saj në “klikë” personale e familjare. E akuzojnë, për skenar abuziv me kandidat “kukull” në procesin zgjedhor brenda partisë, me komisionerë të emëruar e kontrolluar prej tij dhe për lista votuesish, që po mbahen sekret.
“Sulltanizmi” në drejtimin e PD, shkak i firos së 200 mijë votave
Përse humbi PD? Me këtë pyetje duhet të hapej pas 25 qershorit, debati në këtë parti, së cilës “popullsia” e votuese, i ka rënë sa numri i votuesve që janë së bashku në listat zgjedhore të bashkive Lushnjë-Korçë! Kaq mjafton për të dhënë alarmin, mbasi edhe kur nuk të vijnë gjithë të ftuarit në dasmë, pas saj “nuk këndohet më”, por kërkohet shkaku! Mirëpo, në vend të merren me shkakun e humbjes së zgjedhjeve e për më tepër me firon 200 mijë vota, në PD po zhvillohen zgjedhje, ndërkohë që ka struktura të munguara dhe ato që ka në “letra” janë të shpartalluara! Në këtë gjendje mjerane, PD nuk u katandis prej anëtarësisë qëndrestare që ka sakrifikuar gjithçka për këtë parti, por prej ngatërrestarëve që depërtuan nëpërmjet klaneve dhe e uzurpuan drejtimin e saj, duke shpërfillur anëtarësinë e cila, me të drejtë i ndëshkoi më 25 qershor 2017 me 200 mijë vota mangët. Agallarët e PD, duhet ta kuptojnë mirë së me sjelljen e tyre, kanë krijuar neveri tek 200 mijë demokratë e mbështetës që nuk i votuan! Përse? Për shkak të zullumeve të bëra prej tyre gjatë 8 viteve të qeverisjes 2005-2013, të cilën e kthyen në “fermë personale”! E po kështu gjatë 4 viteve të opozitës, kur më 22 korrik 2013, pa dhënë llogari për humbjen, forcuan “sulltanatin” e tyre klanor e familjar, klientelistë e kurvëror në Këshillin Kombëtar, në Kryesinë e PD, në departamentet e partisë, në listën e deputetëve, në degët e PD në rrethe e kudo, deri në listën e kandidatëve të 25 qershorit 2017. Anëtarëve të PD, “nuk ua ndjen fare” se përse në lista ishte Muli e nuk ishte Juli, apo se përse nuk reagon Luli, kur e sulmon Ruli. Shqetësim për ta është produkti pas 4 vitesh opozitë dhe 3 muaj “Çadra e Republikës së Re”, rezultat që tregon realiteti faktik të gjendjes në të cilën ndodhet PD. 
Fakte, që krijojnë dyshimet e garës fiktive
1. Tollonët e karburantit për të shkuar në rrethe, kandidat Selamit i jepen nga kryetari Basha!
2. Podiumi dhe banderola me logon e PD, i jepet vetëm me lejen e kryetarit.
3. Qyteti se ku do të shkoj për takim, ia cakton kryetari rival!
4. Pas çdo takimi, Selami raporton tek kryetari rival.
5. Kronikat që transmeton në media për takimet e tij, i përgatit stafi i kryetarit rival!
6. Kryetarët e PD në rrethe, njoftohen nga kryetari, për :vizitën” e rivalit Selami!
7. Në Gjirokastër mblidhen kryetarët e PD së jugut dhe deklarojnë në media votën për Lulzim Bashën, gjë të cilën e ndalon Statuti i PD.
8. Në Elbasan, në takimin e kandidatit Selami, vihen parullat: “Jemi me Lulin”.
9. Në Lezhë, Berat, Shkodër, Dibër, Mat, Kolonjë, Pogradec, Vlorë, Gjirokastër, takimet hapen kështu: Fjalën e ka kryetari ynë, Lulzim Basha!
10. Në Korçë, demokratët që janë kundër këtij procesi zgjedhor, akuzojnë dy kandidatët si “desantë” të Sorosit, të vënë në shërbim të kreut të “Rilindjes”!
Sigal