Hoyt Yee, në përfundim të detyrës si zv/ndihmës i Sekretarit të Shtetit

394
Një zëdhënës i Departamentit të Shtetit i tha “Zërit të Amerikës” se Hoyt Yee është në përfundim të detyrës si zëvendës/ndihmës i Sekretarit të Shtetit për Çështje të Evropës Qendrore dhe Jugore, një post që e ka mbajtur që në shtator të vitit 2013. Zëdhënësi i bëri këto komente në përgjigje të pyetjes së “Zërit të Amerikës”, nëse Yee kishte dhënë dorëheqjen, siç kishin njoftuar disa media në Ballkan. “Siç e dini, thotë zëdhënësi, diplomatët amerikanë lëvizin nga postet çdo dy vjet, në kuadrin e një procesi normal të emërimit në poste të reja”. Zoti Yee ka shërbyer në postin aktual prej katër vjetësh. “Në këtë moment, tha zëdhënësi, nuk kemi ndonjë njoftim për detyrën e ardhshme të zotit Yee”. “Ne i jemi mirënjohës zotit Yee, për vitet e tij të shërbimit dhe përkushtimit në këtë pozicion dhe i urojmë më të mirën në detyrën e tij të ardhshme!”, tha zëdhënësi me anë të një deklarate. Hoyt Brian Yee njihet në Tiranë për negociimin gjatë krizës së fortë politike të vitit të shkuar, që çoi në marrëveshjen mes kryeministrit Rama dhe kryetarit të PD, Lulzim Basha. Diplomati amerikan ka qenë një vizitor i shpeshtë i Tiranës zyrtare edhe gjatë debateve për reformën në drejtësi. Ndërkohë, shtypi ka raportuar se diplomati i njohur mund të emërohet ambasador në një nga kryeqytetet e Ballkanit. Ndër detyrat e tij të mundshme janë raportuar Shkupi dhe Athina, ndërsa së fundmi është folur edhe për marrjen e drejtimit të ambasadës amerikane në Sarajevë.
Sigal