Homazhe lamtumire, Ferdinand Poni, zëri i fuqishëm i PD-së

1048
Sigal

Personaliteti erudit, një nga ekspertët më supremë të decentralizimit, autonomisë vendore dhe zgjedhjeve

I është dhënë lamtumira e fundit ish-zv/ministrit të Brendshëm Ferdinand Poni, i cili ndërroi jetë dy ditë më parë në moshën 49-vjeçare, si pasojë e një ataku kardiak. Deputetë të Kuvendit, qytetarë të shumtë, kolegë, miq, të afërm, përfaqësues të trupit diplomatik të akredituar në Tiranë, përfaqësues të medias, etj., kanë zhvilluar homazhe rreth orës 12:30 në hollin e Teatrit Kombëtar për nder të z.Poni. Homazhe ka zhvilluar, Kryetari i PD-së, Lulzim Basha, ish-Kryeministri Sali Berisha dhe i gjithë grupi parlamentar i Partisë Demokratike. Pasi vendosën kurora me lule pranë arkivolit me trupin e pajetë të Ponit, kreu i PD-së dhe ish-Kryeministri Berisha kanë lënë edhe një shënim në librin e kujtimeve. Kryetari i PD-së Basha ka mbajtur fjalimin e lamtumirës, duke ngritur lart figurën e Ferdinand Ponit. Miq, kolegë dhe bashkëpunëtorë kanë shprehur ngushëllimet e tyre për ish-zëvendësministrin e Brendshëm.

Ish-Kryeministri Berisha i shprehu ngushëllime familjes dhe miqve, për humbjen para kohe të Ponit. “Poni kishte kontribute të rëndësishme për Partinë Demokratike, shoqërinë shqiptare dhe vendin në tërësi. Ferdinand Poni ishte modeli i zyrtarit të përkushtuar, efiçent, që punoi me vendosmëri të madhe, avokat i pamposhtur i PD-së, demokratëve, programit dhe vlerave. Vendosi sistemin më modern. Ju garantoj se, kjo është vetëm njëra anë. Ai dha kontribut të vyer në të gjitha fushat, decentralizimit, qeverisjes vendore, zgjedhjeve. Ishte një zë i fuqishëm dhe i ditur. Vërtet u largua nga ne shumë para kohe, në kulmin e energjive, por na la një trashëgimi, e cila do mbahet mend”,-tha Berisha.

Deputeti i PD-së, Oerd Bylykbashi shprehet se: “nëse sot Shqipëria ka arritur standarde ndërkombëtare dhe është më e mirë për gjithkënd, Ferdi ka pa diskutim gjurmën dhe firmën e tij në këto arritje. Këto nuk ia vë dot askush në dyshim”.

Deputeti Kastriot Islami, duke i shprehur ngushëllime familjes dhe të afërmve për ndarjen nga jeta të Ferdinand Ponit, shkruan se: “ai ishte një ekspert i veçantë dhe një zë i fuqishëm në pushtetin vendor. Me kontribute të konsiderueshme në çështjet zgjedhore”.

Ngjarja

Kreu i grupit të këshilltarëve të djathtë në Bashkinë e Tiranës, ndërroi jetë dy ditë më parë në moshën 49. Mësohet se ka pësuar një atak kardiak kur ndodhej për një vizitë në qytetin e Prizrenit, ndërsa ishte duke drekuar me dy miq në një lokal në Reçan. Megjithëse është dërguar me urgjencë në spital, zoti Poni nuk ka mundur të mbijetojë.

Jetëshkrimi

Ferdinand Poni është lindur 16 Mars të vitit 1965. Ai ka mbajtur postin e zëvendësministrit të Brendshëm në vitet 2005-2007. Poni ishte diplomuar në Fakultetin e Shkencave të Natyrës dhe më pas në Fakultetin e Drejtësisë dhe ka ndjekur disa kurse specializimi në Universitetin e Nju-Jorkut. Prej vitit 1999 e në vazhdim, ai ishte funksionar pranë selisë qendrore të PD-së dhe ka mbajtur një sërë funksionesh. Në periudhën 1993-95 ka qenë ndihmës i Kryeministrit për pushtetin lokal. 1995-1997, ishte Drejtor i Përgjithshëm i Pushtetit Lokal në Ministrinë e Brendshme. Është hartues i shumë punimeve në fushën e autonomisë lokale, institucioneve demokratike dhe zgjedhjeve, si bashkëhartues në një sërë ligjesh të rëndësishme.

Ferdinand Poni, mbrojtësi më i flaktë i dhe kapiteni pushtetit lokal

 Nga Lulzim Basha  

 Pasditja e djeshme solli një lajm tronditës. E pabesueshme, por lajmet e këqija të tilla janë! Ferdinand Poni, argumentuesi me tone të larta, i qeshuri me humor pikant, bashkëpunëtori serioz dhe i përkorë, sa herë e lypte nevoja, nuk jeton më. Pikëllimi dhe dhimbja e thellë më ka pushtuar, teksa jam i detyruar t’i jap lamtumirën e fundit mikut dhe bashkëpunëtorit tim të ngushtë e të besuar, Ferdinand Poni! Humbja është shumë e madhe dhe njeriu nuk i bën dot menjëherë të gjitha llogaritë, por e di se humbje të pamatshme ka dhe ndien familja e Ferdit, nëna e tij Fata, shoqja e tij e jetës Meri, djemtë Rei dhe Ralfi, motra e tij Majlinda dhe vëllai i tij Bardhi. Humbje të madhe ndiejnë të afërmit dhe miqtë e tij të shumtë, që u derdhën sot për t’i dhënë respektet e fundit; humbje të jashtëzakonshme ndiejnë demokratët; ndiej unë; ndjen Partia Demokratike, por edhe miqtë e kolegët e tij anembanë, sepse kemi humbur Ferdi Ponin, avokatin dhe mbrojtësin më të flaktë për pushtetin lokal, në të gjitha nivelet. Na ka ikur kapiteni i pushtetit lokal, zëri i fuqishëm dhe me autoritet për këtë kauzë, shpesh të trazuar; kemi humbur drejtuesin energjik, të vendosur dhe të guximshëm që drejtoi procesin e modernizimit të regjistrit të gjendjes civile dhe përgatitjen e platformës për pasaportat dhe kartat biometrike. Kemi humbur kryekëshilltarin demokrat në Këshillin Bashkiak të kryeqytetit, zërin e fortë të interesit qytetar, por që për të njëjtat interesa, të qytetarëve, dinte të gjente gjuhën e urtë të kompromisit. Vendi ka humbur personalitetin erudit, një nga ekspertët më supremë të decentralizimit, autonomisë vendore dhe zgjedhjeve, njeriun e përkushtuar me pasion pas punës dhe ndjenjës të shërbimit publik, avokatin këmbëngulës dhe të palëkundur në bindjet dhe parimet që besonte, atdhedashësin dhe patriotin që punoi pa pushim për modernizimin e qeverisjes dhe vendit. I çiltër, i drejtpërdrejtë dhe buçitës, por edhe i ndjeshëm, me zemër të madhe e të bardhë, Ferdi do të na mungojë të gjithëve, prandaj jemi mbledhur këtu, për të ndarë me familjen e Ferdit dhe me njeri-tjetrin dhimbjen e madhe për humbjen e tij, por jemi këtu edhe me mirënjohjen e madhe që e patëm mes nesh dhe për të nderuar me krenari veprat dhe të mirat që ka lënë pas. Lamtumirë, mik i dashur! U prehsh në paqe!

Bujar Nishani: Ferdi, një nga bashkëpunëtorët më të ngushtë

Me shumë hidhërim mora lajmin e ndarjes nga jeta të Ferdinand Ponit. Në karrierën time shtetërore, Ferdi, ka qenë një nga bashkëpunëtorët më të ngushtë, një nga ndihmësit më të aftë, një nga personalitetet më njerëzorë dhe të mirëkuptueshëm. Familja humbi njeriun e dashur, shokët mikun gazmor dhe të papërtuar, shteti një shërbëtor të përkushtuar. Në këto çaste të rënda jam pranë familjes së tij, ndaj dhimbjen me miqtë e tij, përulem me nderim ndaj kujtimit të kontributeve të tij.

Aldrin Dalipi: Humbëm një zë të fortë!

Humbja e parakohshme e Ponit, lajm i trishtueshëm. I shpreh ngushëllime familjes. Qeverisja vendore humbi një zë të fortë.

Hashim Thaçi, ngushëllon familjen Poni dhe Kryetarin e PD-së

Me pikëllim morëm lajmin për vdekjen e ish-zëvendësministrit të Brendshëm, Ferdinand Poni. Vdekja e parakohshme z. Poni është humbje për familjen, miqtë e tij si dhe për Partinë Demokratike të Shqipërisë. Duke ndarë dhembjen me ju e nderuara familje Poni, si dhe me zyrtarët e PDSH-së, ju lutem pranoni ngushëllimet më të sinqerta, në emrin tim dhe të Qeverisë së Republikës së Kosovës.