Homazh për Xhevdet Ferrin: Dy fjalë për ty njeriu i të gjithëve!

548
Sigal

Nora Malaj

Dy fjalë për ty njeriu i të gjithëve!

Mos – thashë, kur mora vesh se dhe Xhevdeti( Xhoda), siç miqtë i thërrisnin, kish marr rrugëtimin drejt botës së amshuar! Dy lot më rrodhën faqeve dhe nuk doja ta pranoja që ky rrugëtim i fundmit filloi kaq shpejtë për të!

Iku dhe një tjetër mik, i të gjithëve, nga ky vend, nga kjo botë, por ai nuk iku si emigrant, për ta lënë vendin e tij përkohësisht e për t’u rikthyer, po iku pa kthim, por la prapa shumë vepra artistike e shumë filma, për të qenë përherë i kujtuar ndërmjet nesh.

Për mua personalisht, ishte një mik me vlerë ai dhe e mira Rozeta, bashkëshortja e tij, që sot në ditën e pikëllimit, ndjen se gjysma tjetër e saj, nuk do të jetë më fizikisht, po do të jetë realisht me shpirtin e tij pranë, si një engjëll mbrojtës, për të qenë prezentë e për të rrezatuar energji pozitive, sa herë ajo dhe fëmijët do të kenë nevoje për kujtimin e babait, bashkëshortit dhe njeriut të mirë!

Ee, nuk do të dëshiroja që Janari i 2020 të fillonte kështu, pasi brenda vetes dua të besoj që ky fillim-viti i dekadës së re, do të jetë ndryshe?! Po nuk qenka e thënë! Kontrata që ka bërë jeta me vdekjen është shume sfidante e nuk pyet, as për moshë, as për emër, po kur ore bie, udhëtimi për në botën tjetër nis!

Kështu ishte dhe për Xhodën tonë, për njeriun e mirë, aktorin e madh dhe deputetin me vlera që i shërbeu vendit, familjes dhe shoqërisë me çdo gjë që kishte!

E sonte ai do të prehet në tokën amë erëmirë dhe shpirti i tij i lirë, do të fluturojë drejt parajsës, duke na thënë se jeta në tokë është e përkohshme, ndaj bëni veç të mira.

Lindim, rritemi, krijojmë familje dhe ikim nga kjo botë. Të qoftë rruga drejt Parajsës e lehtë dhe shpirti yt u prehtë në paqe, o njeriu me vlera, Xhevdet Ferri!

Ne të gjithë do na mungosh, do ta ndjemë mallin e ikjes dhe lotët do na të na shkasin faqeve, se një njeri i mirë, një mik i shtrenjtë iku e na la, për të vazhduar ne, misionin për ta bërë njerëzimin më të mirë.

Lamtumirë Xhoda i mirë, miku i të gjithëve! Zoti të pranoftë!