Holanda kërkon rikthimin e vizave për Shqipërinë/ Gjosha: Alarm kombëtar, precedent që duhet ndalur

431
Sigal

Ish ministrja e Integrimit Klajda Gjosha ka komentuar vendimin e Parlamentit holandez për të rikthyer regjimin e vizave me Shqipërinë.

Sipas ish-deputetes së LSI, ky është një lajm shumë i keq për shqiptarët, që për vite me rradhë kanë qenë të izoluar.

“Për mua është dyfish i keq. E kam përjetuar pak më rëndë si lajm. Edhe duke kuptuar pjesën teknike. Populli shqiptar ka kaluar një sakrificë shumë të madhe. 45 vite nlë një izolim total dhe më pas disa vite demokraci duke u përpjekur në rradhë të gjata në ambasada, është realisht e rëndë. Pas kaq vitesh të diskutosh rikthimin e vizave është alarm kombëtar dhe një precedent që duhet ndaluar”, shprehet Gjosha.

Sipas Gjoshës, gjasat janë që Holanda të votojë pro këtij vendimi.

“Për mua Holanda pritet të votojë pro. Dhe më pas ky proces mund të shkojë edhe në Bruksel. Në një kohë kur Shqipëria pret hapjen e negociatave dhe kjo është një gjë e rëndë. Problemi thelbësor është që ky mund të kthehet në një debat për të gjithë parlamentet e vendeve anëtare”, deklaroi Gjosha.

Rritja e kriminalitetit në vend, ku shumicën e trafiqeve e drejtojnë shqiptarët dhe numri i lartë i kërkesave për azil nga shqiptarët detyruan parlamentin e Holandës të ndërmarrë këtë veprim.